Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të mërkurën se kishte folur me kompaninë Coca-Cola dhe se kompania kishte rënë dakord, të fillonte përdorimin e "sheqerit të vërtetë të kallamit" në Coca-Cola-n e prodhuar në Shtetet e Bashkuara.
Coca-Cola nuk pranoi ta konfirmonte menjëherë këtë pretendim.
"Ne e vlerësojmë entuziazmin e Presidentit Trump për markën legjendare Coca-Cola", tha zëdhënësja e kompanisë, Michelle Agnew, në një deklaratë.
"Më shumë detaje mbi opsionet e reja inovative në të gjithë linjën e produkteve Coca-Cola do të shpallen së shpejti."
Sipas New York Times, Trump e bëri deklaratën pa përmendur shurupin e misrit me fruktozë të lartë, i cili është përdorur gjerësisht në Coca-Cola amerikane që nga vitet 1980, pjesërisht sepse është më i lirë se sheqeri.
Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore Robert F. Kennedy Jr. ia ka atribuar pjesërisht epideminë e obezitetit në Shtetet e Bashkuara përdorimit të këtij shurupi.
Coca-Cola tashmë shet versione të pijeve të saj të buta të bëra me sheqer kallami, siç është "Mexican Coke" (e njohur edhe si MexiCoke), e cila fillimisht u importua jozyrtarisht nga Meksika përmes shpërndarësve të pavarur. Që nga viti 2005, kompania ka importuar zyrtarisht edhe MexiCoke në Teksas, duke zgjeruar gradualisht shpërndarjen e saj në të gjithë vendin - kryesisht në zona me komunitete të mëdha hispanike.
Gjithashtu, për periudhën e Pashkës, kompania prodhon dhe shpërndan një version "kosher" të Coca-Cola me sheqer në vend të shurupit të misrit, pasi konsumi i misrit dhe drithërave të tjerë është i ndaluar për hebrenjtë tradicionalisht fetarë. Ky produkt dallohet nga kapaku i tij karakteristik i verdhë.
Mbetet e panjohur nëse Coca-Cola do ta zëvendësojë plotësisht shurupin e misrit me sheqer në prodhimin e saj amerikan të Coca-Cola-s. Një zëdhënëse e kompanisë nuk tha nëse kjo ishte e afërt apo nëse deklarata e Trump ishte thjesht një dëshirë personale apo një keqkuptim. Shtëpia e Bardhë ende nuk ka komentuar për këtë çështje.