Valët e para të shkaktuara nga një tërmet masiv 8.8 ballë pranë brigjeve të Rusisë kanë arritur në brigjet e shteteve amerikane Hawaii dhe Kaliforni
Tërmeti ndodhi sot në brigjet e Kamçatkës, Rusi, në një thellësi prej afërsisht 21 km. Paralajmërim për cunami është lëshuar në Paqësor: valë të fuqishme godasin Hawaiin, Alaskën dhe Japoninë. Guami, Kina, Meksika, Peruja dhe Ekuadori janë gjithashtu në rrezik. Ekspertët thonë se është një nga tërmetet më të forta të regjistruara në dekadat e fundit.
Një tërmet i fortë me magnitudë 8.8 ballë u regjistrua në brigjet e Kamçatkës, në Lindjen e Largët të Rusisë, këtë mëngjes në orën 1:24 të mëngjesit sipas kohës europiane. Tërmeti shkaktoi një paralajmërim për cunami për zonat bregdetare në të gjithë Paqësorin, nga Hawaii (SHBA) në Japoni, përfshirë Ishujt Kuril. Valët arritën 5 metra lartësi në qytetin rus Severo-Kurilsk. Epiqendra e tërmetit ndodhej afërsisht 119 kilometra në lindje të Petropavlovsk në një thellësi prej 20.7 kilometrash. Ishte një nga tërmetet më të forta që nga viti 1900. Pas ngjarjes sizmike, e cila shkaktoi disa të lënduar në Rusi, një paralajmërim për cunami u lëshua në Rusi, Japoni, Guam, Hawaii dhe Alaska, si dhe në Kinë, Ekuador, Meksikë dhe Ishujt Galapagos. "Nevojitet veprim urgjent për të mbrojtur jetët dhe pronën", tha Qendra e Paralajmërimit të Cunamit të Paqësorit.
Centrali bërthamor i Fukushimës, i goditur nga cunami i vitit 2011, u evakuua menjëherë, së bashku me afërsisht dy milionë njerëz në të gjithë pjesën tjetër të Japonisë. Në distriktin Yelizovsky të Kamchatka-s, autoritetet lokale regjistruan valë prej 3-4 metrash, të shkaktuara nga tërmeti.
Një valë cunami ka arritur në brigjet e Kalifornisë, duke ngritur shqetësime tek autoritetet. Sipas Qendrës Kombëtare të Paralajmërimit për Cunami, matjet fillestare tregojnë një valë prej 1.6 këmbësh (rreth 48 cm) në Arena Cove, pika e parë që goditi. Në Monterey, valët arritën 42 cm, ndërsa në Port San Luis shërbimi meteorologjik raportoi një "rritje të shpejtë dhe shkatërruese", me nivelin e detit që rritet nga batica e ulët në atë të lartë brenda pak minutash. Banorët janë këshilluar të shmangin zonat bregdetare, ndërsa valë të tjera janë regjistruar edhe në San Francisko.
Autoritetet lokale në Polinezinë Franceze kanë lëshuar një paralajmërim për cunami për arkipelagun e Ishujve Marquesas: valë me lartësi midis 1.10 dhe 2.20 metra pritet të godasin ishujt Ua Huka, Nuku Hiva dhe Hiva Oa natën e së martës ndaj të mërkurës, raporton Reuters.
Banorët u këshilluan të zhvendoseshin në vende më të larta dhe të ndiqnin udhëzimet zyrtare, përfshirë sigurimin e anijeve ose largimin e tyre nga bregu. Arkipelagë të tjerë në Polinezinë Franceze mund të goditen nga valë më pak se 30 cm të larta, të cilat nuk kërkojnë evakuime ose strehim, thanë autoritetet lokale.
Bregu verior i Hawaiit "ka të ngjarë" të përjetojë përmbytje ndërsa valët e cunamit mbërrijnë në shtet, ndërsa valët mund të jenë më të vogla në Bregun Perëndimor të SHBA-së, tha Yong Wei, një shkencëtar i lartë kërkimor në Universitetin e Uashingtonit dhe Laboratorin Detar të Mjedisit të Paqësorit të NOAA-s.
Wei u bëri thirrje njerëzve të qëndrojnë vigjilentë dhe të qëndrojnë larg plazheve, duke shpjeguar se valët e cunamit janë shumë të ndryshme nga valët e zakonshme të oqeanit. "Ato udhëtojnë me rreth 700 kilometra në orë, si një aeroplan reaktiv", i tha ai Lynda Kinkade të CNN.
Sapo vala e cunamit arrin në ujë të cekët, energjia transferohet në lartësinë e valës, gjë që mund të shkaktojë dëme serioze përgjatë bregdetit, shtoi Wei.