Tobias Xhaxhiu
Homeri (me shumë gjasa një burrë), e populloi veprën e tij me një mori karakteresh femërore, të cilat ndajnë mes tyre disa veçori të përbashkëta: ato janë të bukura, të gjora dhe budallaqe. Ndaj, edhe "delja e zezë" e shpurës, magjistrica Çirçe e ishullit Aiaia, zë një hapsirë le të themi periferike në vepër, por megjithatë të pacënueshme.
Kështu, 3000 vite pasi papirusi i parë i Odisesë së plakut syxhamtë u shfletua në ndonjë kthinë të kalldrëmtë të Athinës, një grua vendosi të merrte frenat nē dorë, për ta rrëfyer ngjarjen edhe një herë, kësaj radhe me sytë jo të verbër të një rapsodeje femër.
Në romanin e saj më të fundit titulluar "Çirçe", autorja amerikane Madeline Miller, fituese e Orange Prize për "Balada e Akilit" në 2012, ofron një portretizim kompleks e krejt origjinal mbi figurën e një prej grave më të anatemuara të historisë, ndonëse kemi të bëjmë me një personazh letrar.
Çirçe është e pavdekshme, ashtu si të gjithë të afërmit e saj, por në dallim nga zërat e tyre bubullimë, të papërkthyeshëm nga veshët e njerëzve, zëri i saj ishte ai i një vdekatareje.
Bija e një nimfe të detit dhe Titanit - Diell, Heliosit, Çirce e nis rrugëtimin e ditëve të saj të pafundme në pallatin perandorak të të atit. Atje ajo njihet me mizorinë e perëndive dhe natyrën e tyre egoiste.
E përbuzur nga familja e saj hyjnore, dhe e nxitur nga dashuria për një peshkatar të vdekshëm, të cilin s'mund ta bëjë të sajin pa qenë edhe ky i fundit një hyjni; ndaj ajo ndërmerr veprimin e dëshpëruar të shndërrimit të djaloshit në një Zot, duke zbuluar prirjen e saj për yshtje dhe magji.
Por djaloshi e harron shpejt dhuratën e paçmuar të hyjneshës, së bashku me dashurinê e saj, dhe jepet i tëri pas nimfës Skilla.
Skilla e bukur pëson të gjithë furinë e tërbimit të Çirçes, e cila e transformon qenien e saj në një përbindësh famkeq.
Nga ky çast, jeta e Çirçes ndryshon një herë e përgjithmonë. Magjistrica dëbohet në ishullin e Aiaias, ku një aradhë burrash të famshën nê të gjithë botën e lashtë, magjepsen dhe dashurohen pas kësaj gruaje të pazakontë.
Nëse e lexoni këtë libër në pritje të një kryevepre që rivalizon origjinalin e Homerit, do të mbesni të zhgënjyer. Përkundrazi, "Çirçe"është një trajtim plot ngjyra, një roman ngërthyes që të zhyt në aliazhet e shndritshme të historisë dhe legjendave./Gazeta Liberale