Celibashi tha se bashkitë ku janë hasur më me shumë probleme deri tani janë Tirana, Dropulli, Kamza, Konispoli, Lezha, Tropoja.
Ndër të tjera ai tregoi dhe kallëzimet që janë bërë nga PS për dy kandidatët e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, Luçiano Boçi dhe Belind Këlliçi.
“Janë tre denoncime në dy subjekte zgjedhore, tre nga PS dhe një nga koalicioni BF. Një në Elbasan me Luçiano Boçin dhe në Tiranë. Ka një denoncim në KQZ nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit për parregullsi gjatë shpërndarjes së materialeve elektorale. Janë 24 denoncime nga qytetarë të ndryshëm”.
“Bashkitë që janë prezantuar si me probleme janë Tirana, Dropulli, Kamza, Konispoli, Lezha, Tropoja. Në referim të përmbajtjes së këtyre denoncimeve, lidhen me parregullsi gjatë ushtrimit të detyrës nga ana komisionerëve. Korrupsion aktiv apo pasiv, ka denoncime mbi intimidimin e votuesve në Peshkopi dhe në Tiranë. Denoncime në lidhje me përmbajtje elektorale në rrjetet sociale. Ka denoncime dhe për votim familjarë në disa qendra votimi”- tha ai.
Celibashi është ndalur tek denoncimet që KQZ ka marrë, për të cilët tha se më të shumtat lidhen me parregullsi nga ana e komisionerëve, si edhe denoncime për votime familjare apo edhe intimidime.
Po ashtu tha se janë 4497 qendra votimi që në kohë reale përcjellin informacion në KQZ, ndërsa shtoi se ka pasur 927 tentativa për votim të dyfishtë.
“Kemi disa informacione lidhur me denoncimet. Deri tani në KQZ, qoftë nëpërmjet platformës, janë 29 denoncime të paktën formalisht ose zyrtarisht të prezantuar në mënyrë formale. Ka denoncime edhe me postime me përmbajtje elektorale në rrjete sociale. Dhe së fundmi denoncimet lidhen edhe me votime familjare, në disa bashki. 998 mijë 633 votues apo persona që janë identifikuar nëpërmjet pajisjes elektronike”, theksoi Celibashi.