Nëse historia e shtetndërtimit të Kosovës, do të ndahej në tri etapa, prej lëvizjeve të vitit 1989, një dhjetëvjeçar i rëndësishëm do të ishte ai i administrimit ndërkombëtar të një populli të çliruar që përpiqet të ndërtojë institucionet e tij demokratike.
Një periudhë , që siç do të thoshte ish-ambasadori Arben Çeku, që e kaloi një pjesë të madhe të misionit të tij nën administrimin e UNMIK-ut, pak vjen e pasqyruar në literaturë dhe në media.
Gazetarja Alma Lama, përmes një libri studimor, “Kosova nën administrim ndërkombëtar”, botuar nga UET PRESS, trajton pikërisht rolin e UNMIK-ut në procesin e demokratizimit, ndërtimin e institucioneve dhe sundimin e ligjit.
“Është fakt që pas misionit gjithëpërfshirës të UNMIK-ut, nuk ka pasur një mision të ngjashëm të OKB-së në asnjë vend tjerë të botës, megjithë luftërat dhe konfliktet e shumta që kanë pasur në dekadën e fundit, që lidhen me pranverën arabe apo luftërat civile në disa vende të Afrikës”, tha autorja gjatë përurimit të librit, në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës. Zonja Lama tha se shpreson që ky libër t’u vijë në ndihmë studentëve të shkencave politike dhe të gjithë atyre që merren me apo kanë synim të angazhohen në misione ndërkombëtare.
“E vënë përballë një sprove të madhe në Kosovë, një vend në Europë, një territor relativisht i vogël i vogël dhe me një popullsi relativisht të vogël krahasuar me shumë nga vendet që u përfshinë në luftë viteve të fundit, duket se në OKB ka munguar vullneti dhe resurset për të përsëritur misionet gjithëpërfshirëse”, shtoi ajo, e mendimit se dështimi i misioneve të tilla në shoqëri ku mungojnë tradita dhe kultura demokratike, është i garantuar.
Në këtë studim, Lama tha se sjell dy komponentë kontradiktorë, ai i administrimit ndërkombëtar imponues, por edhe misioni për të ndërtuar një shtet demokratik. Ajo zbuloi se ideja për këtë libër studimor i erdhi nga përvoja si gazetare në Kosovë. Ajo që njerëzit e mediave vinin re ishte një mbyllje institucionale për të dhënë informacion, nga ana e UNMIK-ut. Autorja sheh ngjashmëri të kontrollit të narrativës, me regjimet autoritare.
“UNMIK kërkonte dhe në një masë të madhe ja doli që të impononte narrativën e tij për krijimin e një shoqërie multi-etnike, që kërkonte të harroheshin armiqësitë dhe krimet e së shkuarës, një narrativë ku flitej për pajtimin pa pasur realisht kërkim falje, një narrativë për vlerat demokratike por pa mundur vetë t’i implementojë ato, për shkak të vetë natyrës së misionit”, ndau me të pranishmit autorja.
Ndarjen e autoriteteve ndërkombëtare me ato vendase të Kosovës, Lama i krahason në mënyrë figurative me zotat e Olimpit përballë vdekatarëve të thjesht. Ironikisht, thekson ajo, UNMIK kishte detyrë të menaxhonte shoqërinë kosovare për ta transformuar atë sipas vizionit demokratik, ku në radhët e tij kishte edhe zyrtarë që vinin nga vende, pa lidhje me demokracinë
“Disa përfaqësues specialë e filluan dhe mbaruan misionin e tyre pa e kuptuar shoqërinë kosovare dhe plagët e saj të thella, të tjerë balancuan fuqishëm të gjitha llojet e interesave, kontradiktave të thella, por edhe parimeve demokratike, narrativën e së cilës e ndërtuan dhe e bënë pjesë të legjislacionit’, shtoi gazetarja.
Sot ky mision është i pranishëm në Kosovë, por vetëm si një rudiment i Rezolutës 1244 të OKB-së, ende në fuqi de juro, për shkak të vetos ruse në Këshillin e Sigurimit, por që de facto nuk ka ndonjë kompetencë administrative nga ato që kishte para shpalljes së pavarësisë.
Ajo tha se misioni i UNMIK-ut pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, meriton një studim tjetër, ndërsa është akuzuar shpesh për promovim të interesave ruse në veri të Mitrovicës.
Ish-ambasadori Çeku tha se aty ku janë dështimet e UNMIK-ut, janë edhe plagët ku vuan sot Kosova, duke renditur si më kryesoren mos shtrirjen e sovranitetit në pjesën veriore. Sipas tij është një plagë me të cilin përballet sot kryeministri Kurti dhe institucionet e Kosovës, që vjen si pasojë e paqartësisë ndërkombëtare atje.
Ai e cilësoi si mision ekzistencial, i cili përballë kishte një audiencë dhe institucione po aq ekzistenciale. Zoti Çeku vlerësoi trajtimin që gazetarja Alma Lama i ka bërë periudhës së administrimit ndërkombëtar, si profesional dhe pa emocione.
Diplomati tha se ky libër plotëson një boshllëk në përditshmërinë e leximeve dhe të kërkimeve për Kosovën, që lidhet me periudhën e UNMIK-ut. “Për fat të keq kemi pak botime, pak studime e pak analiza”, tha zoti Çeku. Ai inkurajoi qendrat studimore dhe universitetet të nxisin botime dhe të presin autorë të ndryshëm, qofshin këta edhe kritikë. “Librat nuk duhen shkruar për personazhe e figura politike, por për parime e ngjarje dhe, ky libër është një studim që nuk lë hapësirë për të thënë që nuk është prekur, por nga ana tjetër vetë korniza kohore e këtij libri përfshin një periudhë dhjetëvjeçare dhe, të përfshish një aktivitet dhjetëvjeçar është një sfidë, të cilën mendoj se Alma e ka kaluar me sukses”, tha zoti Çeku.
Edhe pedagogu i UET, Bledi Lami vlerësoi qasjen e autores, duke i parë zhvillimet si në një teatër ngjarjesh, që e bëjnë librin interesant.
Autorja shqyrton avantazhet dhe vështirësitë në gjashtë momente të cilët, pasqyrojnë edhe ndikimet e drejtpërdrejta që lidhen me idenë e përgjithshme. Në secilin rast, gjendet argumenti, arsyetimi dhe racionaliteti për aktorë dhe skenarë. “Një krahasim fundor përmbledh këto pozicione edhe pse të ndryshme, që vëren pamjen e plotë dhe diferencat në vlerësim dhe analizë për kuptimin e gjithë dinamikës së rolit të komplikuar të këtij misioni, që tashmë duket ka mbetur një relikte e paqartësisë së vet institucioneve madhore, Këshillit të Sigurimit, ose më thjesht, të atyre që për interesa të tjera kanë ndikuar në mjedisin kosovar”, përfundoi zoti Lami.
Punën e zonjës Lama, e çmoi edhe dekania e Fakultetit Juridik, të Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Juelda Lamçe. Dekania u shpreh se dyert e UET janë të hapura për gazetaren, e cila gjithashtu është lektore e shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare , në universitetet e Kosovës.
Kristaq Xharo, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës, thotë në parathënien e librit se ky punim i zonjës Lama ndihmon të kuptuarit e momenteve më të rëndësishme të dekadës së pas-luftës deri në ditët tona, por edhe për të lexuar tendencat e zhvillimeve të mundshme të lidhura , me ndërveprimin e shtetit të Kosovës me misionet ndërkombëtare. “Me një informacion sa të freskët aq edhe të vështirë, për distancën e shkurtër kohore nga ngjarjet, autorja integron konceptet dhe autorë klasikë me ata bashkëkohorë, duke u përpjekur suksesshëm të ofrojë qasje të mprehtë”, shkruan zoti Xharo. Ai vlerëson se ky studim hyn në debatin teorik për çështje kryesore me të cilat ndeshen vendet që dalin nga lufta dhe hyjnë në procesin e ndërtimit të paqes.
Shqetësimi i autores, siç lajmëron që në hyrje, është të shqyrtojë se si Kosova, pavarësisht ndikimeve të aktorëve dhe rrethanave të tjera (UNMIK), mund të frymëzohet për prosperitet demokratik. Ky libër studimor i gazetares Alma Lama, i punuar për tezën e saj të doktoraturës i bashkohet një sërë botimesh të rinj të UET PRESS që kanë si temë kryesore Kosovën. Gazetari Mero Baze flet, bazuar në dokumente dhe intervista me protagonistë të kohës, mbi shtetin paralel të udhëhequr nga Rugova dhe Bukoshi në dhjetëvjeçarin e parë, të shtetndërtimit, titulluar ‘Republika e parë”. Gani Mehmetaj vjen me librin “Rugovën si e kam njohur”, si një dëshmitar dhe aktor i ngjarjeve dhe politikës së kohës. Aktivisti Ekrem Bardha sjell për lexuesin librin me kujtime “E vërteta, pavarësia e Kosovës” . Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-ministri Enver Hoxhaj trajton rrezikun rus në Ballkan, e veçanërisht në Kosovë, me librin “Përplasja e madhe: Si e lufton Rusia Kosovën”.