Aktualitet

Botim i UET PRESS/ Ekrem Bardha, një rrëfim për të gjithë diasporën

Shkruar nga Liberale

Ish-ministra, deputetë, akademikë dhe njohës të punës së Zotit Bardha në çështjen e Kosovës nderuan me pjesëmarrjen e tyre të enjten në promovimin e librit, i cili botohet nga UET PRESS. Ky është libri i dytë me kujtime i Zotit Bardha pas atij të botuar në vitin 2002 "Larg dhe pranë Shqipërisë".

Vetë autori e ka konsideruar botimin e kujtimeve si detyrim moral ndaj kontributit të diasporës në Pavarësinë e Kosovës, që siç thotë ai “është lënë në harresë”.

"[Ndër vite] Bashkëpunuam me shoqata dhe organizata të tjera si Vatra e Konicës dhe Nolit. Dua të theksoj se janë qindra dhe mijëra aktivistë shqiptarë e amerikanë që punuan për këtë kauzë [Pavarësinë e Kosovës]. Përmes këtij libri dua të ilustroj me shembuj konkret punën, përkushtimin dhe dedikimin e diasporës shqiptare të Amerikës në dekada të kaluara," – u shpreh Zoti Bardha.

"Me keqardhje kam konstatuar se roli i diasporës në Çlirimin e Kosovës ose është lënë në hije, ose është harruar fare, prandaj e shoh detyrim moral ndaj çdo përfaqësuesi apo aktivisti të diasporës që të hedh dritë mbi të vërtetën e këtij kontributi," – vijoi ai.

Përmbajtja e librit dhe jeta e Ekrem Bardhës u diskutua në një panel të moderuar nga gazetarja Nisida Tufa me praninë e Nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, ish-kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Namik Dokle, shkrimtarit dhe bashkëthemeluesit të UÇK-së Bedri Islami si dhe gazetari Lekë Musolli.

Zoti Bardha nuk i fshehu dot emocionet ndërsa tregoi sërish dashurinë e pakushtëzuar për atdheun kur në nisje të promovimit të librit shoqëroi gjysmë i përlotur dhe nën zë himnin kombëtar që u këndua nga një grup artistësh.

Teksa vlerësoi botimin si tejet të çmuar për fushën e kujtesës dhe historisë, Prof. Dr. Nevila Nika tregoi për të pranishmit takimin e parë me Ekrem Bardhën të ndodhur rreth 30 vite më parë gjatë një fluturimi me avion nga Roma në Tiranë. Ajo theksoi përshtypjet që i kishte lënë modestia dhe kultura e tij.

"Jemi në avion [...] dhe shikoj një burrë që ka një tufë me trëndafila të kuq, ishin shumë. U ulëm afër dhe më thotë se i kishte për bashkëshorten [Lumturinë]. Në librin e tij ka një dedikim për të. Përshtypja ime e parë ishte [me mbresa], pasi në Shqipëri asokohe rrallë ndodhte që një burrë t'i çonte gruas lule, ishim në fillim-vitet 90-të, kishim aq shumë gjëra mangët, sa lulet ishin gjërat e fundit," – tha Prof. Dr. Nevila Nika.

"Libri që kemi sot në dorë, [është] libër i mrekullueshëm, sepse ne vuajmë nga kujtesa, kemi humbje të kujtesës sonë kombëtare," – vijoi Prof. Dr. Nika.

Por sipas ish-Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Namik Dokle, atdhedashuria e Ekrem Bardhës buron nga dhembshuria dhe karakteri i fortë i nënës së tij, të cilën ai e paralelizon me figura të shquara të grave shqiptare si Teuta, Tringë Smajli, Nënë Tereza etj.

"Gjithmonë emri i Ekrem Bardhës më kujton dy gra, Nënë Terezën që thoshte se duhen bërë gjëra të vogla me dashuri të madhe... dhe gruaja tjetër është Bule Bardha, e ëma e Ekremit, për të cilën kam lexuar një libër, e cila ka përjetuar një dramë të jashtëzakonshme. Asaj mund t'i vesh emrin e cilësdo gruaje të shquar shqiptare [...] sepse ajo ka përballuar një barrë të jashtëzakonshme dhe tragjedi të madhe. Duke pasur një prej djemve në burg ajo u tha djemve të tjerë që të iknin por të mendonin gjithmonë për Shqipërinë dhe besoj se me këtë amanet Ekrem Bardha i ka përjetuar të gjitha vitet në Amerikë," – u shpreh ish-kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Dokle.

Ekrem Bardha, bashkëthemelues i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (1996), është ndër të vetmit shqiptarë që ka mundur të takojë personalisht shtatë presidentë dhe dhjetëra kongresmenë të SHBA.

Për të ka qenë gjithmonë në fokus Shqipëria dhe Kosova. Në katër dekada angazhime dhe organizime për çështjet shqiptare, ai konsiderohet si i pari që hapi dyert e Kongresit Amerikan për një çështje për Shqipërinë duke tejkaluar stafetat e lëna nga Faik Konica dhe Fan Noli.

Pas takimeve dhe organizimeve me kongresmenë lokalë, Bardha zhvilloi takimin e parë me një president në vitin 1968, kur u prit nga Presidenti Richard Nixon, prej të cilit mori garanci se SHBA nuk do ta pranonin kurrë një aneksim grek të juglindjes së Shqipërisë. Më tej Zoti Bardha ka vijuar angazhimin për të lobuar "pro" Shqipërisë në politikën amerikane duke takuar presidentë të tjerë si Jimmy Carter, Ronald Reagan, George H. Bush, Bill Clinton, George W. Bush e Joe Biden.

Përpjekjet e tij dhe bashkëkombasve të tjerë në SHBA rezultuan vendimtare gjatë viteve 1998-1999 për njohjen e Departamentit Amerikan të Shtetit me kontekstin dhe krimet e serbëve gjatë luftës në Kosovë.

Kjo arkivë lëvizëse e pasur me momente të jashtëzakonshme angazhimesh politike u vlerësua tejmase nga nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili e konsideroi librin e Bardhës të së njëjtës rëndësi me librat e Henry Kissinger.

"Unë e shoh si një libër i cili ka një vlerë të veçantë historike, por që përtej historisë e shoh si një libër shumë të rëndësishëm për kohën që po jetojmë, ku politika e jashtme po dëshmohet si një provë e forcës... ajo që ka ndodhur në Ukrainë para dy vitesh, në Izrael para dy javësh dhe pyetja kryesore është kush do të jetë pas tyre... po tregohet se politika e jashtme është kthyer në një real-politikë që mendonim se i takonte shekullit XX apo XIX dhe në këtë real-politikë mendoj se shqiptarët duhet ta shohin këtë libër dhe kontributin e Ekrem Bardhës si një udhërrëfyes, si një platformë asocimi," – tha nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Hoxhaj.

Në vitin 1986 falë kontributit të Ekrem Bardhës dhe shqiptarëve të tjerë të SHBA, diaspora mundi të depërtonte në Kongresin Amerikan sa të nxiste miratimin e një rezolute ku Jugosllavisë i hiqej statusi si vend i favorizuar. Fakti që rezoluta mori mbështetjen e rreth 150 kongresmenëve tregoi qartësisht rritjen e lobit shqiptar në SHBA, lob i cili do të luante një rol domethënës në angazhimin për logjistikë humanitare dhe përkrahje politike gjatë luftës në Kosovë.

"Është  pak një përmendore në Kosovë, është pak një rrugë, shumë pak, ai ka qenë institucion i lirisë së Kosovës, kam qenë i lumtur që e kam njohur dhe jam i lumtur që e kemi këtu mes nesh. Zoti Bardha çfarë do që të bëjmë ne për ju është pak, ju keni bërë shumë për ne, jam shumë i vogël, por i lumtur që flas para një vigani të punëve të mëdha që keni bërë për Kosovën, ju falënderoj shumë," – u shpreh me vlerësime gazetari Lekë Musolli.

Për shkrimtarin dhe bashkëthemeluesin e UÇK-së Bedri Islami, libri i Ekrem Bardhës është një libër që të rrëmben dhe që sipas tij duhet të përfshihet në shkolla në mënyrë që brezat e ardhshëm të kuptojnë se çfarë bëri diaspora shqiptare dhe se çfarë mundi i madh qëndroi pas Pavarësisë së Kosovës.

"Nuk ka qenë rrugë e lehtë, ka qenë një rrugë me sakrifica të jashtëzakonshme, nuk është vetëm batalioni Atlantiku që erdhi nga SHBA për të luftuar në Kosovë, por janë pikërisht këta mendimtarë, këta filozofë, këta njerëz të sakrificës, biznesmenë, njerëz të punës dhe sakrificës që bënë të mundur që Kosova të jetë e lirë, sigurisht krahas mendimit politik të Rugovës dhe UÇK-së," – vlerësoi Islami.

Nga Kolonja në Michigan, historia e largimit nga Shqipëria dhe lobimit afatgjatë

Ekrem Bardha u lind më 13 maj 1933 në fshatin Radanj të Kolonjës. Ai ishte i treti mes pesë djemve – Sami, Njiazi, Myfit dhe Agim, – të familjes së Sulos dhe Bules, e cila ishte shpërngulur nga Konica. I ati ishte pjesë e grupeve të para të shqiptarëve që emigruan në SHBA. Fatkeqësisht u nda nga jeta në moshë të re.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, fshati Radanj dalloi për përkrahje të Ballit Kombëtar. Kjo u bë znafillë e përndjekjeve të regjimit komunist, i cili nisi arrestimet dhe dënimet e para që në vitin 1945. Pushkatimi i dajës, Kajan Vasha, e tronditi familjen e Ekremit.

Në vitin 1947, dy vëllezërit e tij, Njaziu dhe Samiu, u bënë pjesë e një grupi prej tetë personash që u arratisën nga vendi. Kjo bëri që përgjegjësia e vëllait të madh t'i kalonte Ekremit 14-vjeçar.

Në mërgim, Samiu dhe Njaziu u përfshinë me Komitetin "Shqipëria e Lirë" dhe u angazhuan pa sukses në disa përpjekje të koordinuara nga shërbimet amerikane dhe britanike për rrëzimin e regjimit. Në një prej këtyre përpjekjeve, në vitin 1950, Samiu u kap nga Sigurimi i Shtetit dhe u arrestua si "diversant". Pasi dëshmuan tre viteve tortura të të vëllait në burg dhe përndjekjen sistematike të regjimit, Ekremi së bashku me të ëmën dhe dyvëllezërit e tjerë Myfitin dhe Agimin, vendosën të arratiseshin.

Arratisja ndodhi më 17 qershor 1953. Ekremi 20-vjeçar, asokohe ishte ushtar, por pa armë, pasi si pjesëtar familjeje reaksionare nuk i lejohej të armatosej. Mori leje duke dhënë ryshfet dhe me t’u kthyer në Radanj bindi të ëmën që të largoheshin, pavarësisht se burgosja dhe lënia pas e vëllait të madh, Samiut, do i mbetej peng përjetë.

Fillimisht kaluan në Greqi, nga Konica në Janinë ku të detyruar nga autoritetet greke u desh të qëndronin për rreth një vit. Që atje, falë kontakteve me vëllain tjetër, Njaziun, i cili qe vendosur në Gjermaninë Perëndimore, ia dolën që të bashkoheshin në vitin 1954 dhe më pas të shpërnguleshin përfundimisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke u vendosur në Detroit, Michigan.

Për fatin e vëllait të tyre, Samiut, pushkatuar nga regjimi pak muaj pas arratisjes së tyre, në gusht 1953, ata do të mësonin vetëm dy dekada më vonë kur pushteti do t’i kalonte Ramiz Alsë.

Përkrahja nga komuniteti shqiptar dhe ai italian, si dhe përkushtimi për t'u integruar, bëri që vëllezërit Bardha të spikasnin në sipërmarrje të ndryshme si stilimi i flokëve, restorantet dhe pasuritë e paluajtshme, ku Njaziu, Agimi dhe Ekremi dalluan në hapjen e salloneve të flokëve dhe dyqaneve fast-food të brendit McDonald's.

Megjithatë ata, dhe sidomos Ekremi, të cilit i pëlqente më shumë politika, nuk e harruan origjinën dhe për këtë iu kushtuan pa kursim çështjeve shqiptare me organizime të shumta takimesh, tubimesh dhe konferencash të ndryshme për të mbledhur fonde dhe mbështetje politike për Shqipërinë gjatë diktaturës, pas rënies së komunizmit dhe sidomos gjatë luftës në Kosovë.

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH