Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Firence të Italisë. Të enjten pasdite, më 17 prill, një djalë shqiptar 16-vjeçar, u gjet pa shenja jete në shtratin e tij në banesën ku jetonte me familjen.
Ishte nëna e tij ajo që bëri zbulimin tronditës rreth orës 15:30, kur u kthye nga puna dhe nuk e gjeti të birin as në dhomën e ndenjes dhe as nuk mori përgjigje kur e thirri.
Duke menduar se ai ishte ende në gjumë, pasi shkolla ishte e mbyllur për pushimet e Pashkëve, ajo shkoi në dhomën e tij për ta zgjuar. Por aty pa se djali ishte i palëvizshëm dhe pa ndjenja.
E dëshpëruar, ajo thirri menjëherë shërbimin e urgjencës dhe tentoi ta zgjonte, por përpjekjet e saj dhe ato të mjekëve që mbërritën më pas, fatkeqësisht, nuk dhanë rezultat. Vdekja e tij u konfirmua në vendngjarje.
Sipas të dhënave paraprake, vdekja dyshohet se ka ndodhur për shkaqe natyrale. Në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune.
Megjithatë, prokurori i çështjes ka urdhëruar kryerjen e autopsisë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.