Katër persona janë arrestuar nga policia në Athinë pasi rrëmbyen dhe torturuan një 24-vjeçar, djalin e një biznesmeni, për të marrë prej tij para dhe pasuri.
Ngjarja ndodhi më 6 maj, në zonën e Ymittos. Tre prej autorëve e sulmuan të riun, e goditën me një mjet të mprehtë në këmbë dhe e kërcënuan me jetë. Më pas e futën në një makinë dhe filluan ta dhunonin gjatë gjithë rrugës.
Ata i kërkuan viktimës 25 mijë euro dhe një motor BMW që kushton po aq. Dhuna ndaj tij vazhdoi për orë të tëra, ndërsa në zonën e Saronidës u bashkua edhe një person i katërt, që erdhi me motor. Ata madje u përpoqën t’i prisnin gishtat me një prerës, por nuk ia dolën sepse i riu rezistoi.
Pas pesë orësh torturë, 24-vjeçari arriti të ikte dhe njoftoi një mik. Gjatë rrugës, autorët i morën atij çelësat e makinës, para cash (740 euro), një karikues telefoni dhe një orë luksoze që kushtonte deri në 29 mijë euro. Edhe pas ngjarjes, ata vazhduan ta kërcënonin me mesazhe dhe video.
Policia organizoi një operacion natën e 22 majit dhe arrestoi katër autorët në tre zona të ndryshme të Athinës.