Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur veriun e Filipineve, pasi një autobus humbi kontrollin dhe u përplas me disa automjete në një nga autostradat më të ngarkuara të vendit. Si pasojë e përplasjes, dhjetë persona kanë humbur jetën dhe mbi 30 të tjerë janë plagosur, në një prej ngjarjeve më të rënda të këtij viti.
Sipas autoriteteve lokale, shoferi i autobusit ka pranuar se kishte rënë në gjumë në timon, duke humbur kontrollin mbi mjetin. Ai është arrestuar nga policia dhe mund të përballet me akuza për drejtim të pamatur që ka shkaktuar vrasje të shumëfishta. Edhe faturino i autobusit është marrë në paraburgim për hetime të mëtejshme.
Mes viktimave të konfirmuara janë edhe katër fëmijë, çka e ka rritur edhe më tej tronditjen publike për këtë tragjedi. Aksidenti ndodhi në autostradën Subic-Clark-Tarlac, e njohur për qarkullimin e dendur të autobusëve që transportojnë punëtorë dhe udhëtarë mes Manilës dhe provincave përreth.