Kryeministri anglez Keir Starmer po planifikon t’i kërkojë Kosovës të jetë një shtet pritës për azilkërkuesit, pasi e njëjta kërkesë nuk u pranua nga Shqipëria.
Kjo kërkesë është në vazhdën e strategjisë së re për deportimin e emigrantëve, e ngjashme me skemën e diskutuar më parë me Ruandën.
Ndërkaq, më herët gjatë këtij muaji, Kryeministri Starmer njoftoi nisjen e bisedimeve për krijimin e “qendrave të kthimit”, ku azilkërkuesit me kërkesa të refuzuara do të dërgohen në vende të treta deri në shqyrtimin e dokumentacionit dhe kërkesave të tyre.
Kryeministri britanik bëri këtë deklaratë gjatë vizitës së tij në Tiranë javën e kaluar, por Kryeministri Rama refuzoi që Shqipëria të jetë pjesë e një marrëveshje të tillë.
Megjithatë, mediat britanike raportojnë se Kosova është ndër 9 vendet e përzgjedhura nga ministrat britanikë si destinacion potencial për këto qendra.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur gatishmërinë e vendit të saj për të diskutuar mbi këtë çështje, megjithëse ka theksuar se deri më tani nuk ka pasur asnjë kërkesë zyrtare nga Britania e Madhe.
Qeveria britanike argumenton se këto masa do të ndihmojnë në zvogëlimin e numrit të kalimeve të paligjshme përmes gomoneve dhe do të minimizojnë rastet e azilkërkuesve që përdorin arsye të ndryshme ligjore, si krijimi i familjeve, për të shmangur deportimin.
Ndër vendet e tjera të përzgjedhura për këtë skemë janë Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja-Hercegovina, si dhe disa vende jashtë Evropës.
Ministrat britanikë shpresojnë që bisedimet të kenë avancuar deri në kohën kur Mbretëria e Bashkuar të organizojë në vjeshtë një samit me liderët e Ballkanit Perëndimor në Londër, ku do të diskutohet edhe çështja e migracionit të paligjshëm.