Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Itali. Një adoleshente 14-vjeçare, Martina Carbonaro, e zhdukur më 26 maj në Afragola, pranë Napolit, është gjetur e pajetë nga policia italiane. Trupi i saj u zbulua i fshehur nën një dyshek në një ndërtesë të rrënuar pranë ish-stadiumit “Moccia”.
Autori i dyshuar i krimit është Alessio Tucci, një 19-vjeçar dhe ish-i dashuri i vajzës, i cili ka pranuar para hetuesve se e ka goditur me gurë disa herë në kokë dhe më pas ka fshehur trupin.
Sipas mediave italiane, Tucci ka deklaruar se nuk mund ta pranonte ndarjen nga vajza.
Ironikisht, një ditë para se trupi të gjendej, ai i ishte bashkuar kërkimeve së bashku me familjen e viktimës, duke shtuar më shumë tronditjen dhe indinjatën publike.