
22 persona janë vrarë pas sulmeve të shumta ruse gjatë natës në Ukrainë. 11 prej tyre u vranë në qytetin Dobropilia në vijën e parë të betejës në rajonin lindor të Donetskut në Ukrainë.
Sipas medieve të huaja, Rusia gjuajti dy raketa balistike në qendër të qytetit dhe më pas nisi një sulm duke synuar përsonat që u përgjigjën, sipas Volodymyr Zelensky. Dyzet e shtatë persona, përfshirë shtatë fëmijë, u plagosën në sulm, tha presidenti ukrainas në platformën X.
“Është një taktikë frikësimi çnjerëzore që rusët përdorin shpesh,” tha ai.
“Ishte një nga sulmet më brutale. Ishte llogaritur qëllimisht që të shkaktonte dëme maksimale. Raketat, së bashku me një dron Shahed, shënjestruan pjesën qendrore të qytetit. Nëntë ndërtesa banimi u goditën. Gjithashtu u goditën qendra tregtare dhe dyqani.”
Misioni i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Ukrainë tha se ishte një nga sulmet më vdekjeprurëse të vitit 2025 ndaj civilëve ukrainas.
Rreth 24 orë më parë, Rusia goditi objektet energjetike të Ukrainës duke përdorur dhjetëra raketa dhe dronë.
Sulmet ruse nisën të shtunën mbrëma pasi administrata e Shtëpisë së Bardhë pezulloi shkëmbimin e informacionit me Ukrainën.
Shtetet e Bashkuara po i bëjnë presion qeverisë së Presidentit Zelensky që të bashkëpunojë në thirrjen e bisedimeve të paqes me Rusinë.
Kompania amerikane e hapësirës ajrore Maxar Technologies njoftoi të premten se kishte çaktivizuar aksesin në imazhet e saj satelitore për Kievin.
Aftësia e tij për të goditur brenda Rusisë dhe për t’u mbrojtur kundër bombardimeve është zvogëluar shumë pa imazhe të tilla.
Zelensky nuk e përmendi shkëmbimin e informacionit të shtunën, por tha se ai mirëpret propozimin e Trump për të vendosur sanksione bankare dhe tarifa ndaj Rusisë derisa të arrihet një armëpushim dhe një zgjidhje përfundimtare e paqes.