
Rebelët jemenas, Huthi, kërcënuan se do të rinisin sulmet ndaj anijeve izraelite, nëse furnizimet me ndihmë në Gazë nuk rinisin për katër ditë.
“Nëse Izraeli vazhdon pas katër ditësh të parandalojë hyrjen e ndihmave në Rripin e Gazës, atëherë ne do të nisin operacionet tona detare kundër Izraelit armik”, tha kreu i këtij grupi rebel që mbështetet nga Irani, Abdulmalik al-Huthi.
Rebelët Huthi, që kontrollojnë shumicën e Jemenit, kanë kryer sulme me dronë dhe raketa në anijet izraelite dhe të lidhura me Izraelin, si dhe ndaj anijeve të tjera në Detin e Kuq gjatë luftës në Gazë. Rebelët njoftuan për një armëpushim në janar.
Kërcënimi i rebelëve Huthi vjen disa ditë pasi Shtetet e Bashkuara e rifutën grupin jemenas në listën e organizatave të huaja terroriste dhe vendosën sanksione ndaj shtatë figurave të larta të grupit.
Më 2 mars, Izraeli njoftoi për bllokimin e dërgesave humanitare në Gazë derisa Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – të pajtohej për zgjatjen e fazës së parë të armëpushimit.
Faza e parë e armëpushimit, që përfshiu rritjen e ndihmës humanitare, skadoi më 1 mars. Të dyja palët duhet të negociojnë për fazën e dytë, në të cilën Hamasi është paraparë të lirojë dhjetëra pengje të mbetura në këmbim të tërheqjes së Izraelit dhe një armëpushimi afatgjatë.
Gjatë fazës së parë, fazë gjashtëjavore e armëpushimit, Hamasi ka liruar 25 pengje izraelite dhe trupat e tetë të tjerëve në këmbim të lirimit të pothuajse 2.000 palestinezëve të burgosur nga Izraeli. Forcat izraelite u tërhoqën nga shumica e Gazës dhe Izraeli lejojë hyrjen e ndihmës humanitare. Por, faza e parë u përcoll me akuza nga palët për shkelje të marrëveshjes.
Hamasi e nisi luftën në Gazë, pasi sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Që atëherë, si pasojë e ofensivës ushtarake të Izraelit, në Gazë janë vrarë më shumë se 48.000 palestinezë.
Në janar, dy palët u pajtuan për një marrëveshje armëpushimi me tri faza, që synon përfundimin e luftës./rel