
Presidenti i përkohshëm i Sirisë Ahmed al-Shara bëri thirrje për paqe sot pasi më shumë se një mijë njerëz, kryesisht civilë, u vranë në përleshjet midis forcave siriane të sigurisë dhe besnikëve të ish-presidentit të vendit, Bashar al-Assad.
“Ne duhet të ruajmë unitetin kombëtar dhe paqen e brendshme. Ne mund të jetojmë së bashku. Të jeni të sigurt, ky vend ka kapacitetin për të mbijetuar”, theksoi Al-Shara, duke folur në një xhami në Damask.
Sipas vlerësimit të tij, ajo që po ndodh aktualisht në Siri është “brenda sfidave të pritura”.
Siç tha ai, sot në Siri nuk ka dallim mes qeverisë dhe popullit dhe shteti do të mbetet garant i paqes civile, njoftoi agjencia siriane e lajmeve SANA.
“Disa mbetje të regjimit të rënë donin të testonin Sirinë e re që nuk e njihnin, dhe sot po e njohin përsëri dhe e shohin atë si një shtet të vetëm nga lindja në perëndim dhe nga veriu në jug”, tha ai, duke shtuar se autoritetet e reja do të vazhdojnë “të ndjekin mbetjet e regjimit të rënë dhe ata që kryen krime kundër popullit”.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Londër tha të shtunën se numri i të vdekurve në dy ditët e përleshjeve midis forcave siriane të sigurisë dhe besnikëve të ish-presidentit të vendit, Bashar al-Assad, kishte tejkaluar 1000, duke përfshirë 750 civilë.