
Presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi të hënën se është i hapur për t’u ofruar Shteteve të Bashkuara të Amerikës një qasje në mineralet e rralla të Rusisë, duke përfshirë edhe ato të territoreve ukrainase që Rusia i ka pushtuar prej fillimit të luftës 3-vjeçare.
Oferta e Putinit, shihet si alternativë e marrëveshjes për mineralet e rralla midis SHBA-së dhe Ukrainës, e cila sipas presidentit amerikan, Donald Trump dhe zyrtarëve të tjerë ukrainas është afër finalizimit.
Në një prononcim për televizionin shtetëror të hënën, Putin tha se është i gatshëm të “ofrojë” burime për partnerët amerikanë në projekte të përbashkëta, duke përfshirë edhe burimet në “territoret e reja” – referencë kjo e pjesëve lindore të Ukrainës që Rusia i ka okupuar nga operacioni ushtarak në shkallë të gjerë.
Ai theksoi se një marrëveshje mes Amerikës dhe Ukrainës për mineralet e rralla nuk është shqetësim dhe se Rusia “s’ka dyshim që ka, më shumë burime të këtij lloji se Ukraina”.
Mineralet e rralla janë një grup prej 17 elementesh që janë thelbësore për shumë lloje të teknologjisë, duke përfshirë celularët, disqe e për pajisje për automjetet elektrike dhe hibride.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e kishte refuzuar propozimin fillestar amerikan për të kontrolluar 50 për qind të mineraleve të rralla të Ukrainës, për arsye se propozimi nuk përmbante angazhimet e pritura që do të ofronin garanci sigurie në rast të një armëpushimi mes Ukrainës dhe Rusisë./ Përgatiti Liberale.al, marrënga BBC