
Ministrja franceze e Arsimit, Élisabeth Borne, ka njoftuar një masë të re për shkollat e mesme në Francë, e cila do të ndalojë përdorimin e telefonave celularë nga nxënësit e moshave 11 deri në 15 vjeç. Ky propozim pritet të hyjë në fuqi nga shtatori i këtij viti dhe ka për qëllim largimin e nxënësve nga ndikimi i tepruar i rrjeteve sociale dhe t’i ndihmojë ata të përqendrohen më shumë në mësime.
Sipas rregulloreve të reja, nxënësve do t’u kërkohet të ruajnë telefonat në dollapë të posaçëm gjatë orëve të mësimit dhe t’i rimarrin ato vetëm pas përfundimit të mësimit. Ky rregull do të aplikohet në të gjitha shkollat e mesme të vendit.
Masa është një vazhdim i një iniciative të ngjashme të ndërmarrë nga Franca në vitin 2018, ku u ndalua përdorimi i telefonave për nxënësit e shkollave të mesme, por ata mund t’i mbajnë telefonat në çantë dhe t’i fiknin gjatë orëve të mësimit. Në këtë rast, ndalesa do të jetë më e rreptë dhe do të kërkojë që nxënësit të jenë plotësisht pa telefon gjatë orëve të mësimit.
Ministrja Borne e ka cilësuar këtë masë si thelbësore për ruajtjen e mirëqenies dhe për të garantuar suksesin në shkollë të nxënësve. Po ashtu, kjo nismë është mbështetur edhe nga mësuesit dhe prindërit, të cilët e shohin si një mundësi për t’i larguar fëmijët nga distraksionet e teknologjisë dhe për t’i ndihmuar ata të përqendrohen në studimet e tyre.
Aktualisht, telefonat celularë janë të ndaluar në shkollat fillore në Francë, por me këtë masë të re, ndalimi do të zgjerohet dhe do të përfshijë edhe shkollat e mesme. Ministria e Arsimit ka theksuar se, nëse do të jetë e nevojshme, do të ndërmerren masa shtesë për të siguruar që nxënësit të jenë të përqendruar dhe të shmangin shpërqendrimet gjatë mësimit.
/Liberale.al