
Të shkrira, të karbonizuara – gjashtëmbëdhjetë makina Tesla u shkatërruan nga flakët gjatë natës në Romë.
Elon Musk reagoi në platformën e tij X, ish-Twitter, duke shkruar vetëm një fjalë: "Terrorizëm". Kështu, miliarderi amerikan, pronari i kompanisë që prodhon makinat luksoze elektrike, reagoi ndaj lajmit të postuar në rrjetet sociale nga një përdorues, shkruan La Repubblica.
Zjarri, që dyshohet të jetë i qëllimshëm, shpërtheu gjatë natës mes së dielës dhe të hënës, më 1 mars, rreth orës 4:30. Makinat u shkrinë nga flakët, të cilat prekën edhe një tendë dhe pjesën e jashtme të disa zyrave të Tesla Center, qendra e vetme e markës në Romë, e vendosur në periferi të kryeqytetit italian. Në total, gjashtëmbëdhjetë makina u dogjën plotësisht, të gjitha të parkuara pranë pikave të karikimit dhe vetëm disa hapa larg showroom-it kryesor në rrugën Serracapriola, në zonën e Torrenovës.
Ngjarja po hetohet nga Digos dhe nuk përjashtohet mundësia që pas sulmit të qëndrojë një grup anarkist. Hetuesit e policisë së Romës po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë.
Flakët nisën në disa pika të ndryshme brenda parkingut, direkt mbi automjetet, një detaj që forcon hipotezën se bëhet fjalë për një sulm të mirëorganizuar dhe të paramenduar.
Tesla nuk ka dhënë ende një qëndrim të qartë, por përfaqësuesi i saj në Itali, Marco Santini, deklaroi: "Jemi të vetëdijshëm për incidentin në Romë. Po e hetojmë aktivisht ngjarjen dhe do të bashkëpunojmë me autoritetet lokale për të zbuluar shkaqet e saj."
Në mbështetje të Elon Musk reagoi edhe zëvendëskryeministri italian dhe lideri i Legës, Matteo Salvini, duke shkruar në rrjetet sociale: "Dhuna, fyerjet, sulmet dhe zjarrvëniet. Ka shumë urrejtje të pajustifikuar kundër Tesla-s. Kjo periudhë urrejtjeje dhe konfliktesh duhet të marrë fund sa më parë."
Në lidhje me zjarrin: gjatë natës, në vendngjarje mbërritën agjentët e komisariatit Casilino dhe ekspertët e policisë shkencore për të analizuar provat dhe për të kërkuar ndonjë mekanizëm të mundshëm ndezës.
Të parët që ndërhynë ishin zjarrfikësit, me dy cisterna uji. Ata raportuan se flakët u përhapën shumë shpejt dhe me intensitet të lartë, duke mos lënë asnjë nga Teslat e parkuara në atë zonë të mbijetonte.
Ndërkohë, makinat e tjera të parkuara disa metra larg dhe ato brenda showroom-it mbetën të paprekura – një fakt që mbështet hipotezën e një sulmi të qëllimshëm.
Nëse konfirmohet si zjarrvënie kriminale, ky do të ishte sulmi i parë kundër Tesla-s në Itali.
Ngjarje të ngjashme kanë ndodhur javët e fundit edhe në Gjermani, Francë dhe Shtetet e Bashkuara.
Ky incident ndodh pas një serie aktesh vandalizmi ndaj makinave Tesla në Romë gjatë dy muajve të fundit.
Të paktën katër herë, në zona të ndryshme të qytetit, mbi makinat elektrike të Musk është shkruar grafiti: "Fuck Elon Musk" – ngjarje të raportuara në lagjet San Giovanni, qendër dhe dy herë në Ostia.
Më 22 mars, po në Romë, një zjarr tjetër i madh shkatërroi të paktën 30 makina Ford në një koncesionare në Castel Giubileo. Flakët nisën nga disa automjete hibride dhe shkrumbuan edhe zyrat dhe punishten e servisit.