Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin Namur të Belgjikës, ku një foshnjë vetëm 15 muajshe është gjetur pa jetë brenda një makine të parkuar, në një ditë me temperatura të larta.
Sipas autoriteteve belge, dyshohet se babai e kishte harruar fëmijën në makinë, pasi nuk e kishte çuar në çerdhe përpara se të shkonte në punë. Foshnja qëndroi për orë të tëra në automjet, çka i shkaktoi vdekjen si pasojë e goditjes nga të nxehtit (hipertermisë).
Ekspertiza mjeko-ligjore ka përjashtuar ndërhyrjen e ndonjë personi tjetër dhe ka konfirmuar se vdekja ka ardhur për shkak të temperaturës së lartë brenda mjetit. Ndërkohë, prokuroria belge ka hapur një hetim për vrasje nga pakujdesia.
Tragjedi të tilla nuk janë të izoluara. Raste të ngjashme janë raportuar edhe në vende të tjera të Evropës. Vetëm në Itali, gjatë 26 viteve të fundit janë regjistruar 12 raste të fëmijëve që kanë humbur jetën pasi janë harruar në makina. Së fundmi, edhe në Spanjë, një fëmijë 2-vjeçar ka ndërruar jetë në kushte të ngjashme, në një ditë me temperatura që shkuan deri në 36 gradë Celsius.