Britania e Madhe dhe Irlanda janë përfshirë këtë të hënë nga një stuhi e fuqishme me emrin “Floris”, e cila ka sjellë erëra shumë të forta, me shpejtësi që në disa zona kanë kaluar edhe 160 kilometra në orë.
Sipas raportimeve nga “The Guardian”, më të goditurat kanë qenë zonat qendrore dhe veriore të Skocisë, ku është lëshuar një paralajmërim portokalli dhe autoritetet kanë këshilluar qytetarët të mos udhëtojnë deri në mbrëmje. Probleme janë raportuar edhe në Irlandën e Veriut, Uellsin e Veriut dhe pjesë të Anglisë veriore, ku meteorologët paralajmëruan për erëra “shkatërruese”.
Mbi 10 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të dëmeve të shkaktuara nga stuhia. Po ashtu, shumë ngjarje janë anuluar dhe udhëtimet me trenë dhe avionë janë shtyrë ose pezulluar.
Shërbimi Meteorologjik Britanik njoftoi se në zonat malore të vendit, si në Malësitë e Skocisë, erërat arritën deri në 170 km/h, ndërsa në qytete u matën shpejtësi deri në 144 km/h.
Autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet për të shmangur rrezikun.