Një aksident i rëndë ka ndodhur në rajonin e Leningradit, në veriperëndim të Rusisë, ku një autobus është përplasur me një tren mallrash, duke shkaktuar një viktimë dhe 11 të plagosur.
Ngjarja ndodhi të hënën, dhe sipas autoriteteve hekurudhore të rajonit, shkak për përplasjen është bërë hyrja e gabuar e shoferit të autobusit në një vendkalim hekurudhor, në momentin kur po afrohej treni.
“Shoferi i autobusit hyri në vendkalim përpara një treni mallrash që po afrohej”, thuhet në deklaratën e publikuar nga administrata rajonale hekurudhore në platformën Telegram.
Nuk dihet ende gjendja e të plagosurve, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësinë ligjore. Ndërkohë, lëvizja e trenave në zonën ku ndodhi ngjarja është pezulluar përkohësisht.