Aktualitet

Ben Blushi merr drejtimin e “Euronews Albania”

Shkruar nga Liberale
Ben Blushi merr drejtimin e “Euronews Albania”

“Euronews Albania” do të drejtohet nga Ben Blushi.

Pas përvojës së fundit 4-vjeçare në “Top-Channel”, Ben Blushit i besohet një detyrë tjetër e rëndësishme mediatike, në një ekran tjetër shqiptar, me prestigj ndërkombëtar.

Ai pati një përvoje të gjatë në politikë, por me rikthimin në botën e medias, Blushi ka preferuar të vijojë karrierën në pasionin apo ‘dashurinë’ e tij të vjetër, atë të gazetarisë dhe publicistikës.

Ishte përfolur më herët, ndërsa Ben Blushi, 53 vjeç, së fundmi ka marrë zyrtarisht drejtimin e “Euronews Albania”.

Si student Ben Blushi i përket brezit të famshëm të Dhjetorit ‘90.

Si gazetar Ben Blushi e nisi karrierën te “Koha Jonë”, gazetë të cilën e drejtoi para trazirave të vitit 1997.

Në vitet 1997-1999 ai nisi karrierën politike si zëdhënës dhe këshilltar i Kryetarit të Këshillit të Ministrave, në qeverisjen e Fatos Nanos.

Në vitin 1999-2000 ishte zv/ministër i Punëve të Jashtme. Në vitin 2001 Prefekt i Qarkut Korçë.

Nga viti 2001-2002, Blushi emërohet ministër i Arsimit dhe Shkencës dhe nga 2002 deri më 2005 ishte ministër i Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit.

Më pas, gjatë viteve kur PS-ja ndodhej në opozitë, Blushi ishte deputet në dy legjislatura si dhe kreu i Grupit Parlamentar Socialist. Drejtoi për pak kohë partinë e re “Libra”, për t’u rikthyer në media.

Ben Blushi mori në vitin 2017 drejtimin e Top Channel, duke i rikthyer gjatë katër viteve të administrimit dhe drejtimit prestigjin që po i lëkundej këtij ekrani. Suksesi i fundit e çon Blushin, në drejtim të një tjetër ekrani.

Ben Blushi është gjithashtu autor i disa librave. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH