Vrasja dhe fshehja e kufomës së një vajzë 23-vjeçare në Tiranë është zbardhur pas 8 vitesh nga Policia, që ka arrestuar si autorë babanë dhe vëllanë e saj.
Ngjarja e ndodhur në vitin 2012 është zbuluar pas identifikimit të kufomës që u gjet në Malin e Fagut në Shëngjergj, më 18 shtator të po atij viti. Pas hetimeve intensive të nisura në vitin 2017, është zbuluar se Eglantina Buci është vrarë me armë zjarri nga babai e vëllai i saj sepse kishte ikur nga shtëpia për të bashkëjetuar me të dashurin.
Familja me origjinë nga Dibra, me banim në Bathore, nuk e ka pranuar vendimin e vajzës, në atë kohë 23 vjeçe, dhe babë e bir kanë marrë vendimin fatal për të e për shumë vite me radhë kanë fshehur gjithçka.
Policia e Tiranës tha dje se ka finalizuar operacionin e koduar “Heshtja”, duke ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest me burg” për Faik Bucin, 66 vjeç, i cili u arrestua në shtëpinë e tij dhe Shkëlzen Bucin, 37 vjeç, i cili ndodhet në burg për një vrasje të mbetur në tentativë.
Sipas BW, vajza është marrë te zona e Freskut nën kërcënimin e armës dhe është ekzekutuar në Malin me Gropa, ku menjëherë pas krimit vëllai i viktimës e ka lënë trupin aty dhe është larguar. Pas tre-katër ditësh, i ati dhe vëllai i viktimës janë rikthyer në vendngjarje, kanë marrë trupin e pajetë të të resë dhe e kanë groposur rreth 500 metra më tej, nga frika se banorët e zonës mund ta gjenin.
Pas një muaji, një gjuetar ka gjetur pjesë eshtrash të 23-vjeçares, të cilat ishin nxjerrë nga kafshët e egra. Nisur nga eshtrat e sekuestruara dyshohet se viktima është ekzekutuar me një plumb në kokë, që përshkon nofullën e majtë dhe del në pjesën e pasme të kafkës.
Gjatë mbrëmjes së kaluar, janë thirrur në polici rreth 8 familjarë dhe të afërm të vajzës, të cilët janë pyetur nëse kanë pasur dijeni mbi ngjarjen e ndodhur më 2012-ën.