Kreu i PD, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me presidentin e Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar Agim Rrapaj dhe drejtoreshën ekzekutive Enisa Shena, të cilët i paraqitën situatën e vështirë në sektorin e zinxhirit ushqimor.
Në një postim në Facebook, Basha shkruan se u pajtua me kërkesat e fermerëve dhe sektorit të agrobiznesit për barazimin e TVSH, përfshirjen në skemën e garancisë sovrane dhe rritjen ndjeshëm të financimeve me grante për fermerët.
"Kryetari i Opozitës Basha shprehu mbështetjen për kërkesat e drejta të fermerëve dhe sektorit të agrobizmesit dhe së bashku me përfaqësuesit e KASH ndanë si prioritete urgjente për përballimin e krizës disa hapa duke përfshirë
1- Barazimin e TVSH-së për të ndihmuar prodhimin vendas dhe fermerët që kanë pësuar goditje nga pandemia duke ndihmuar të gjithë zinxhirin e prodhimit agro-ushqimor i vendit.
2 - Përfshirjen e institucioneve të mikrokredisë në skemën e garancisë sovrane që qeveria shqiptare ofron për bankat e nivelit të dytë. Sektori i mikrokreditit është jetik për të siguruar likuiditetin në sektorin agrobujqësor. Sot ky likuiditet mungon duke rrezikuar prodhimet së nesërmes.
3 - Qeveria shqiptare nëpërmjet AZHBR-së dhe institucioneve të tjera duhet të rrisë ndjeshëm financimin me grante për të gjithë fermerët shqiptarë të cilët kanë pësuar humbje nga situata e pandemisë së COVID-19.
Sot, shqiptarët po rrënohen ekonomikisht çdo ditë e më shumë. Çdo biznes, përfshirë dhe bujqësinë kane nevojë për ndihmë dhe jo fjalë boshe. Me mënyrën si po e menaxhon kjo qeveria situatën pandemia shëndetësore covid19 do të shndërrohet në pandeminë ekonomike 2020", thuhet në postimin e Bashës.
[gallery columns="1" size="full" gss="1" ids="1139697,1139698,1139699"]