Mustafa Nano promovoi në stendën e UET PRESS romanin “Lamtumirë baba”
Mustafa Nano i është rikthyer sërish romanit të tij të parë duke e sjellë në një variant të përpunuar për lexuesit nën titullin “Lamtumirë baba”. Është i njohur ky ritual kthimi tek vepra nga shumë shkrimtarë të njohur. Në stendën e UET PRESS në Panairin e 22 të librit që përgjatë 4 ditëve u mbajt në Pallatin e Kongreseve, Nano prezantoi para njerëzve të letrave romanin e tij të parë.
Ali Aliu studiuesi dhe akademiku i njohur i letrave shqipe, vlerësoi prozën e këtij libri duke e quajtur Nanon një rrëfimtar të lindur. Nga ana tjetër Aliu vlerësoi kapacititetin për tu përballur me një temë të vështirë siç është ajo e religjionit, që letrat shqipe shumë pak e kanë elaboruar. Studiuesi i njohur foli gjatë për narracionin dhe strukturën e romanit, duke veçuar mënyrën sesi Nano e ka ndërtuar historinë duke dashur të fusë brenda saj çdo element që do ta përsosi më tepër.
Vlerësime për veprën e Nanos bëri dhe Preç Zogaj dhe botuesi Henri Cili. I pranishëm në aktivitet ishte dhe poeti Xhevahir Spahiu.
Romani “Lamtumirë baba” rrëfen historinë e dy vëllezërve pas humbjes të së atit. I shkruar me stil libri na çon në shtjellim të një historie sa tërheqëse aq dhe delikate.” Romani Lamtumirë baba është një vepër letrare dinjitoze, me strukturë narrative të harmonizuar, ku të gjithë elementet e saj: – personazhet, subjekti, atmosfera dhe toni i rrëfimit – na lidhin pashmangshmërisht me çështjet e besimit. Dhe kështu, edhe në një shoqëri si e jona, që nuk mendon se është veçanërisht fetare, historitë që rrëfejmë, na shtyjnë të mendojmë për pikëpyetjet e mëdha të jetës, të cilave fetë janë përpjekur gjithnjë t’u japin përgjigje.
E nga ana tjetër, me vigjilencën e laikëve, në një kontekst shqiptar, kur pyetjet dogmatike ngrihen je me zotin, apo kundër tij, do të rikujtoja shprehjen e famshme të Volterit: Unë nuk jam në një mendje me ju, por do të luftoj që ju të vazhdoni të shprehni mendimin tuaj”, shprehet për këtë libër shkrimtarja Diana Çuli. /Gazeta Liberale