Editorial

Alegoria e Shpellës dhe ndjeshmëria jonë pluraliste

Shkruar nga Liberale
Alegoria e Shpellës dhe ndjeshmëria jonë pluraliste

Florian Çullhaj PhD

Në metaforën e alegorisë së shpellës të Platonit, njëri prej të burgosurve arratiset nga gjendja në të cilën ndodhet duke dalë jashtë saj dhe pasi njihet me të vërtetën, rikthehet në shpellë të përcjellë atë vërtetë që ai njohu për të burgosurit e tjerë. Nën këtë ide, një i arratisur i vetëm mund të sjellë një të vërtetë, ndërsa disa të arratisur mund të sjellin disa të vërteta të ndryshme. Asnjë prej të vërtetave të tyre nuk mund të provohet si e vetmja e vërtetë e padiskutueshme e asaj që është jashtë shpellës.

Ideja qendrorë e kësaj analize ka të bëj me një rikonceptim të skemës së alegorisë së shpellës së Platonit zhvilluar nga John Rawls dhe më pas nga Alessandro Ferrara në librin e tij, The Democratic Horizon: Hyperpluralism and the Renewal of Political Liberalism. Skema klasike e alegorisë së shpellës është përdorur në një numër versionesh për 24 shekuj dhe siç theksohet edhe nga Hannah Arendt, ky lloj konceptimi mbart në vetvete një lloj aureole autoritare. Si dëshmi për këtë kemi një mori shembujsh, siç është e vërteta transcendente që buron nga vullneti i Zotit, ose të vërtetat që në dukje pretendojnë të jenë më epistemike si ligjet e evolucionit apo emancipimi nëpërmjet luftës së klasave. Pra, ne kemi parë shumë versione të idesë së alegorisë, por sërish në fund mbetet vetëm një konceptim i së vërtetës - i cilitdo burim qoftë ai - që i jep të drejtë filozofit të sundojë brenda shpellës. Në thelb kjo formë ushtrimi autoriteti quhet epistokraci, ku një konceptim i së vërtetës përbën truallin e një qeverisje legjitime.

Sipas Ferrarës, John Rawls, jo në librin e tij Një Teori e Drejtësisë, i cili është versioni më ekstrem i këtij modeli, por në librin Liberalizmi Politik, ndahet nga ky konceptim i  dijes, i së vërtetës duke e ristrukturuar plotësisht këtë skemë. Përmbledhtas, sipas Rawlsit, ka një pasazh tek libri Republika i Platonit [519d] ku në dialogun ndërmjet Sokratit dhe Glaukonit, bashkëbiseduesin e tij, Sokrati flet në shumës, flet për një numër njerëzish që dalin nga shpella dhe shohin të vërtetën. Në këtë moment Sokrati tregon për një të burgosur i cili është përfaqësues i një klase filozofësh. Ky është bash momenti më i rëndësishëm i cili shërben për të kuptuar një pasazh të mëvonshëm në dialog.

Përkatësisht, nëse përfytyrojmë se nuk është vetëm një i burgosur, por një numër më i madh syresh që kanë dalë nga shpella dhe më pas ju duhet të bëjnë një përmbledhje mbi atë që ekziston jashtë saj. Për ne, është lehtësisht e imagjinueshme që përmbledhjet e tyre do të jenë pjesërisht të njëjta e pjesërisht të ndryshme. Po ashtu, natyrshëm do të lind pyetja se cila është përmbledhja e vërtetë e asaj që është jashtë. Për këtë, ne mund ta imagjinojmë që kur të kthehen, ata do të dëshironin të ndalonin për një hop, para se të hynin në shpellë dhe të reflektonin mbi atë që do t'u thonë njerëzve që janë brenda. Është e kuptueshme se ata nuk do të mund të dalin me të njëjtën përmbledhje, për shkak të pozicionimit të tyre të ndryshëm në krahasim me ato që kanë parë si dhe për shkak se si qenie njerëzore janë të kufizuar për të rrokur një realitet që është shumë i pa kapshëm. Për pasojë, ata do donin që për të qeverisur shpellën, të arrinin një marrëveshje bazuar mbi ato pjesë të ideve të tyre që kanë mbivendosje me njëra-tjetrën. Ky veprim, as nuk do të largojë as nuk do ta heshtojë dëshirën e tyre për të kërkuar të vërtetën, por do ta zhvendosë dëshirën e gjetjes se çfarë është një “ide e vërtetë”, jashtë forumit publik, aty ku shtrëngimi ligjor dhe veprimi institucional zhvillohet. Zhvendosje në sferën e asaj që Rawls e quan, kultura në sfond ose hulumtimi i lirë. Pra, pushteti duhet të jetë i lirë nga ide të diskutueshme mbi të vërtetën. Nëse filozofët e rikthyer do të pyeteshin se cila është arsyeja e asaj marrëveshje që ata kanë arritur - duke mos mbështetur apo imponuar asnjë nga ato ide të diskutueshme që janë jashtë shpellës, nëpërmjet forcës së ligjit ose forcës së institucioneve - ata nuk do të ishin në gjendje të thonin që vendimmarrja e tyre është një opinion ndërmjet të tjerëve,  si brenda në shpellë. As nuk do mund të thonin se vendimmarrja e tyre është diçka që ata dëshmojnë prej së jashtmi shpellës, prej iluminimit në kontakt me diellin. Por, vendimmarrja përfundimtare do të duhet të dilte si një konkluzion i marrëveshjes midis tyre, atë që Rawls do ta quante “arsyetimi publik njerëzor”.

Si përfundim, Ferrara argumenton se kjo është mënyra më e fuqishme për të justifikuar një qëndrim pluralist, pa rënë në grackën e mbrojtjes së pluralizmit të së vërtetës si një lloj ideje të mirëqenë që nuk ka nevojë të diskutohet. Të asaj të vërtete që qëndron jashtë shpellës, por duke e kthyer atë (të vërtetën) në një produkt të arsyes publike. Ky pra është mësimi se Alegoria e Shpellës ende mund të na përcjellë ide në përputhje me ndjeshmërinë tonë pluraliste. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH