Letërsi

Aftësia e shkrimtarit për të lëvizur si akrobat mes dy gjuhëve

Shkruar nga Liberale
Aftësia e shkrimtarit për të lëvizur si akrobat mes dy

Minella Aleksi

Mundësia e lëvizjes së lirë ka bërë të mundur që në dy dekadat e fundit të kemi shkrimtarë/e shqiptarë që kanë botuar letërsi trill në gjuhët e vëndeve ku jetojnë.

Gjatë një bisede mes miqsh u bë pyetja sesa të suksesshëm realisht janë shkrimtarët/et shqiptarë jashtë vendit të cilët shkruajnë letërsi në gjuhën e vendit ku jetojnë?. Arsyet për t'u bërë autorë ekzofonikë (në një gjuhë jo amtare) mund të jenë arsye politike, historike, socio-ekonomike apo për shkak të një zhvendosjeje gjeografike thjeshtë për arsye personale. Ekzofonia i çliron ata "nga kufijtë e gjuhës së tyre amtare" dhe i lejon ata të eksperimentojnë në gjuhë të huaj me shkrimin, gjuhën, kulturën dhe, në fund të fundit me identitetin për një audiencë më të madhe. Pyetja shtrohet: N.q.se autorja/ri ka botuar prozë të mirë në gjuhën amtare a do mund të arrij të shkruaj prozë po aq të bukur në gjuhën e dytë? Ndonjëherë janë vetë shkrimtarët ekzofonikë që përkthejnë veprat e tyre. Në Perëndim janë disa emra të njohur shkrimtarësh të huaj që kanë botuar në gjuhë të dytë, frëngjisht dhe anglisht dhe, edhe pse të vlerësuar pozitivisht nga lexuesit, prapëseprapë ata vet kanë çfaqur rezerva, nuk janë ndjerë plotësisht krenarë. P.sh. Samuel Beckett në një letër drejtuar regjisorit të tij amerikan, Alan Schneider, foli për "teprica cilësisht e kulturalisht të papërdorëshme deri nuanca vulgariteti të vetë-përkthimit". Vladimir Nabokov e krahasoi proçesin e vetë-përkthimit me "zgjedhjen e të brendshmeve të dikujt dhe më pas t'i provosh ato për madhësinë si provohen një palë doreza". Të dy e konsideruan proçesin të tillë që “kërkonte shumë kohë, të vështirë dhe të mundimshëm”. Pyetja se, çfarë është ai mekanizëm që e zhdërvjellëson apo e pa aftëson autorin për të lëvizur si akrobat mes dy gjuhëve? është e pashmangshme.

Mësimi i një gjuhe të dytë dallon dy metoda mësimi. Së pari atë të njëkohëshmërisë, kur me gjuhën amtare njëkohësisht mësohet edhe gjuha e dytë. Tjetra, ajo e njëpasnjëshmërisë të mësimit kur gjuha e huaj mësohet më vonë pasi është përvetësuar gjuha amtare.

Fëmijët në fillimet e tyre kanë vetëm një mënyrë për të mësuar gjuhën, të mësuarit në mënyrë të pandërgjegjshme, pa arritur vetëdijësim logjik. Fëmijët e vegjël nuk kanë asnjë ide për gramatikën, apo rregullat gramatikore, apo krahasimin e ndërgjegjshëm midis gjuhës së re dhe gjuhës së tyre amtare. Për fëmijët, mësimi i një gjuhe të re dhe theksi që vjen me të është përgjithësisht një udhëtim i thjeshtë, por koha kur fillon ai mësim duket që luan rol përcaktues. Të mësuarit e gjuhës kur je vocërrak në dryshim nga kur je i rritur është i krahasueshëm mei ndryshimin midis të qenit lehtësisht në gjëndje t’a ngasësh një biçikletë si fëmijë nga të mësuarit si t'a ngasësh një biçikletë duke e dëgjuar të shpjeguar si i rritur. Është e provuar se të mësuarit nën ndërgjegjeshëm është jashtëzakonisht efikas. Intuita e pavetëdijshme, subkoshienca e shtyn fëmijën si me magji që “të thotë, të flasë ose të bëj”. Dugjuhësia e njëhershme e ndihmon fëmijën të dalloj e të zgjidhë kuptimet, tingujt dhe modelet e fjalive të gjuhëve ndaj të cilave është ekspozuar. Dygjuhëshit e njëkohshëm por dhe me kulturë të gjerë shoqërore janë të favorizuar që të bëjnë lehtësisht dallimin kulturor të proçesit të mendimit. Kur krijojnë apo përkthejnë ata “notojnë” po aq mirë si në gjuhën amtare, prandaj shkruajnë dhe përkthejnë mirë letërsi trilluese në gjuhën e dytë. Rezultatet e hulumtimeve të bëra publike në 10-15 vitet e fundit konfirmojnë se, fëmijët dygjuhëshe të njëkohshëm i dallojnë lehtësisht dy gjuhët e tyre dhe nuk tregojnë prova konfuzioni. Nuk ka asnjë provë që fëmijët dygjuhësh janë të hutuar nga dygjuhësia e hershme, përkundrazi përfitimet njohëse që lidhen me dy-tre gjuhësinë pasurojnë “bankën e informacionit” në nënvetëdijen e fëmijës duke mos njohur “vuajtjen” që lidhet me nocionin e "lodhjes intelektuale". Eksperienca botërore ka treguar se noti, biçikleta, gjimnastika, luajtja e një instrumenti muzikor, etj., mësohen shumë më lehtë dhe cilësisht më mirë nëse fillohen në fëmijërinë e hershme.

Në këtë rast Dygjuhëshi i njëkohshëm e “ndryshon kodin etno-kulturor” nga gjuha amtare dhe gjuha e dytë dhe anasjelltas po aq lehtësisht si ndryshohen stacionet e një radioje. Mendoj se duhet mbajtur mirë parasysh se proçesi i mësimit të gjuhës angazhon gjithashtu një grup muskujsh të caktuar të gojës, laringut dhe të frymëmarrjes duke modeluar funksionimin e tyre sipas nevojës së shqiptimit të fjalëve dhe frazave. Dygjuhëshi i njëkohshëm këtë element e ka në favor, ndryshe nga dygjuhëshi i njëpasnjëshëm. Përsëris se e kam fjalën për shkrimtarë/e që shkruajnë fiction në një gjuhë të dytë, jo amtare.

Të rriturit janë të vetëdijshëm, më të aftë të mendojnë se çfarë të thonë në një mënyrë të vetëdijshme, por njohuritë e vetëdijshme, logjike në këtë rast janë më pak efikase kur tentohet mësimi i një gjuhe pas moshës 15 vjeç. Ky moment moshe nuk përbën një “kthesë të fortë” negative aftësimi por dëshmohet qartë se ka një rënie graduale në aftësitë e të mësuarit të gjuhës me moshën. Mendoj se veç argumentave të mësipërme ka edhe një zhvillim interesant që lidhet me moshën kur mësohet një gjuhë e huaj. Psikologu i Harvardit S. Pinker mendon se instinkti i mësimit të një gjuhe të huaj dobësohet ose ulet diku rreth zhvillimit të proçesit fiziologjik të pubertetit. Deri në këtë moshë fëmijët janë “gjeni” të mësimit të gjuhës, ndryshe nga fëmijët e moshës 14-18 vjeç e më tej.

Përse?

Në moshën e pubertetit fëmijës i ndodhin ndryshime të dukëshme fizike dhe mendonjëse. Në adoleshencën e hershme ai fillon të jetë një vëshgues/e i heshtur, “kalkulues” dhe vlerësues i aftësive e cilësive të veta unike, mendon për prirjet dhe pamundësitë e suksesit, eksperimenton me ide në përpjekje të administrimit të emocioneve. Në këtë realitet që e përthith në “situata fantazore” të panjohura më parë i fillojnë dyshimet ekzistenciale dhe çdo ditë e re i sjell një pyetje të re me karakter identitar. “Konkurenca” i interesave identitare duam s’duam është një faktor ngadalësues i instiktit të mësimit gjuhësor.

Në mësimin e gjuhës së huaj ky moment jetësor quhet hipoteza e "periudhës kritike" që përkon me kohën kur njeriu mëson gjuhën më ngadalë dhe më pak rrjedhshëm. Lidhur me këtë argument sillet shembulli i vëllezërve Henry dhe VValter Kissinger, të cilët emigruan nga Gjermania në SHBA si fëmijë. Henry Kissingeri ardhur 15 vjeç fliste anglisht me një theks të theksuar gjerman gjatë gjithë jetës së tij; vëllai i tij, vetëm dy vjet më i vogël, foli me një theks të përsosur amerikan. Kjo e bëri më të lehtë mësimin e një gjuhe të re për të, kështu që ai përvetësoi natyrshëm anglishten duke abandonuar po aq natyrshëm theksin e tij gjerman. Një shembull i dy njerëzve të ndarë në mënyrë të përkryer nga periudha kritike e përvetësimit të gjuhës. Sipas Pinker-it, theksi në të folur është po aq pjesë e instinktit gjuhësor sa edhe gramatika.

“Gjuhë të ndryshme shkruhen dhe na flasin në mënyra të veçanta, të kushtëzuara nga “kodi etno-kulturor” përkatës. Problemet janë të shumëfishta, thonë autorët që shkruajnë në një gjuhë të dytë, por dy janë kryesoret: si të krijohet një dialog me tingull autentik dhe si të injektohet më shumë kuptim në mendimet, në përdorimin e idiomave, në krijimin e metaforave që shtojnë ngjyrën dhe teksturën në gjuhën e shkruar. Shkrimtari/a janë të detyruar që të zhyten dhe të notojë përmes një rrjete ambivalencash, që nxisin ndjenja dhe mendime kontradiktore, dyshuese, pasiguri zgjedhjeje të frazave dhe fjalëve më të përshtatëshme, më të sakta dhe më specifike në gjuhën e dytë. D.m.th. të përshtatet në atmosferen etno-sociale të vendit të huaj në gjuhën e të cilit do të përcjell te lexuesi fuqishëm emocionet estetike.

Në fushën e kulturës Shqipëria ka pasur dhe ka personalitete dygjuhësh që shkruanin dhe shkruajnë me shumë sukses në gjuhën e dytë. Mendoj se suksesi i tyre është përcaktuar së pari nga të mësuarit e gjuhës së dytë sipas “të mësuarit të njëkohshëm” në vitet e para të jetës duke qënë lexues të pasionuar të letërsisë më pas, ndryshe nga ata që e kanë mësuar gjuhën e dytë në moshë të rritur, sipas “të mësuarit të njëpasnjëshëm”, në shkollë të gjuhëve të huaja apo të mësuar si studentë që kanë jetuar për disa vjet në vëndet përkatëse.

Janë disa sutor/e shqiptarë që shkruajnë letërsi trillim në italisht, spanjisht, gjermanisht, frëngjisht, anglisht. Natyrisht që përbëjnë arritje lavdëruese për ata vetë. Dëshiroj shumë që të jenë të mirëpritur nga lexuesi i huaj për vlerat e tyre letrare. Do të uroja që të kenë vazhdimësi dhe sukses por, nisur nga sa kam shprehur më sipër entusiazmin e kam me rezerva. Arsyeja lidhet me të qënurit e tyre si “të mësuar të njëpasnjëshëm” të një gjuhe të dytë e të tretë. Kjo bën që të jenë larg të qënurit në nivelin gjuhësor e letrar të të shkruarit në gjuhë të dytë si i mirënjohuri Yusuf Vrioni apo Tedi Papavrami që vazhdoi punën e tij. Të dy sipas “të mësuarit e njëkohshëm dhe të formuar me kulturë të gjerë letrare. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për përkthyesit e tjerë shqiptarë “të mësuar të njëpasnjëshëm” të cilët jan në nivele shumë të kënaqshme por jo në nivelin e Vrionit e të Papavramit. Do ishte me interes për dashamirët e letërsisë njohja e opinioneve të vet autorëve e autoreve që shkruajnë në gjuhë të dytë. Mendoj se po aq me interes është edhe opinioni i përkthyesve por dhe i specialistëve të gjuhës mbi nivelet letrare të arritura nga Faik Konica, Fan Noli, Branko Merxhani, etj..në gjuhë të dyta në kontekstin e kësaj teme me interes.

Liberale Newsroom

A ishin zgjedhjet e 11 majit 2025 një farsë elektorale, siç pretendon opozita?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH