Nga Aranit Muraçi
As godina e re e rinovuar, as bursa dhe as të tjera lehtësira nuk i kanë joshur maturantët, që të preferojnë më tepër se në vitet e tjera degë të Universitetit Bujqësor të Kamzës. Programet e studimit të Universitetit Bujqësor, i vetmi në vendin tonë, edhe këtë vit kanë pësuar ulje të aplikimeve nga maturantët. Sipas të dhënave zyrtare ato kanë marrë 600 aplikime më pak se vjet.
Godina moderne, bursa prej 32 mijë lekësh e ofruar nga ministria e arsimit dhe as zerimi i tarifave të shkollës për maturantët ekselentë nuk i ka joshur këta të fundit të zgjedhin një ndër degët që po braktisen masivisht, si për shembull, agronomia, veterinaria, inxhinieria pyjore, apo ajo e mjedisit. Duke u braktisur gjithmonë e më shumë nga studentët, disa degë janë të destinuara të mbyllen.
Në vitin 2021, kontributi i bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimit në vlerën e shtuar bruto në vendet kandidate për në BE, sipas Eurostat, varionte ndërmjet 6,3 % në Turqi dhe 20,3 % në Shqipëri, krahasuar me 1,8 % në BE. Në Shqipëri, sipas zyrës europiane të statistikave punësimi në bujqësi, pylltari dhe peshkim, si pjesë e punësimit total, ra nga 41,3 % në 2015 në 36,1 % në 2020; kurse në Kosovë është rritur nga 2.3%, në 4.8%, gjatë së njëjtës periudhë. Por edhe pse ka rënë, në 36.1 për qind (rreth 4 për qind është mesatarja e punësimit në bujqësi nga vendet e BE-së) në të gjitha aspektet bujqësia mbetet sektori kryesor i ekonomisë sonë.
Në mesin e vendeve kandidate Kosova (4,8 %) shënoi përqindjen më të ulët të bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimit në punësimin total në vitin 2020 nga vendet e rajonit; shifra 6.6 % në Mal të Zi ishte e vetmja shifër tjetër e punësimit nën 10 % (tab). Në të kundërt, rëndësia e lartë e bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimit për ekonominë e Shqipërisë u reflektua edhe në strukturën e saj të punësimit: në vitin 2020, punësimi në këto aktivitete përbënte më shumë se një të tretën (36,1 %) të punësimit total në vend. Në vendet e tjera kandidate nga Ballkani Perëndimor, fuqia punëtore e punësuar në aktivitetet e bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimit përfaqësohej ndërmjet 10% dhe 20% të punësimit total: në Maqedoninë e Veriut, pjesa ishte 11.1% në 2020, në Bosnje dhe Hercegovinë 12.0%, në Serbia 12,3 % dhe në Turqi 16,2 %.
Atëherë, në mënyrë paradoksale, pse ky sektor nuk ka tërhequr deri më sot profesionistë dhe njerëz të kualifikuar dhe pse universiteti i vetëm që i kualifikon ata, nuk tërheq studentë? Thuajse të gjithë të punësuarit në këtë sektor janë familjarë të zonave rurale në vendin tonë, të deklaruar të vetëpunësuar.
Megjithëse kanë regjistruar 9939 aplikime për 1725 kuota, drejtuesit e universitetit Bujqësor të Tiranës, janë përballur edhe këtë vit me braktisjen e studentëve. Kjo për shkak, se prej ’90 ka munguar vizioni i qeverive për të punësuar profesionistë. Në zonat rurale dhe në çdo fshat mungesa e agronomit dhe e veterinerit është mëse evidente. Edhe ekonomistët e fushës, të specializuar në sektorin e bujqësisë, nuk e gjejnë kurrë veten në treg.
E ndërsa ekonomia ka nevojë për agronomë dhe veterinerë, degët më të kërkuara te Universiteti Bujqësor i Kamzës vazhdojnë të jenë degët e ekonomisë, financë, agrobiznes, megjithëse pak ose aspak nga të diplomuarit nuk punësohen në sektorin përkatës. Të diplomuarit në këto degë jo vetëm që nuk punësohen në sektorin bujqësor, por përkundrazi, ata rivalizojnë me të diplomuarit për fushën e ekonomisë nga universitetet e tjera, dhe punësohen përgjithësisht në Administratën Publike, aty ku ka pak ose nuk ka fare rëndësi diploma, çka përbën një tjetër paradoks të universiteteve tona që mbahen nga taksapaguesit. Universiteti bujqësor këtë vit inaguron edhe ambjentet pritëse të konvikteve moderne, me kapacitetet pritës mbi 2200 student, pavarësisht nga fakti se do të presë akoma më pak studentë në ato degë ku ka nevojë ekonomia. Në vend të restaurimit të godinave, qeveria dhe universiteti në fjalë ndoshta duhet të financonin më parë një studim për të kuptuar më mirë problematikën, si dhe nevojat e tregut, dhe sfidat me të cilat ndeshet ata dhe studentët e tyre kur dalin në tregun e punës. /Liberale.al/