Marrë nga gazeta "Koha Jonë" e datës 12 prill 1998, Përgatiti për Liberale.al, Laert Miraku
Thellohet kriza Kryeministri- Presidencë: Jo populizmit të qeverisë
Fino: Meidani ia fut kot
"S'jemi dakort fare me vërejtjet pa vend të kreut të shtetit"
TIRANË - Zëvendëskryeministri Bashkim Fino i sugjeron Presidentit të Republikës që të jetë më i përmbajtur në vërejtjet e tij për kabinetin qeveritar. Dy ditë më parë kreu i shtetit, gjatë një vizite në qytetin e Beratit, në fjalën e tij tha se "...për një qeverisje të drejtë, transparente dhe të pakorruptuar, qeverisësit duhet të krijojnë besimin tek populli nëpërmjet punës dhe kontakteve të tyre të vazhdueshme...". Menjëherë pas kësaj, ka reaguar Fino: "Meidani nuk duhet të arrijë në konkluzionin që pushteti qendror nuk del në takime me popullin, sepse ne jemi në përfundim të këtyre takimeve me pushtetin lokal",- tha numri dy i qeverisë. Fino shton se Meidani vërtet mund të njohë ligjet e Pushtetit Lokal, "por unë i kam prekur më shpesh problemet e tyre". Duke iu përgjigjur Presidentit, Fino tha se deri tani kanë mbaru- ar vizitat në 8 prefektura, duke filluar që nga ajo e Shkodrës dhe kanë mbetur edhe tre të tjera. Vetëm tani ai quan "kohën e për- shtatshme" për të dalë në të gjithë prefekturat "sepse ne kemi në duar diçka që është e përfunduar" "Tani u treguam njerëzve një paketë të plotësuar ligjesh të nevojshme për nivelin lokal. Sepse në të vërtetë nuk mund të dilnim para tyre pa bërë diçka të plotë dhe kur ta ndienim se diçka po fillonte të funksiononte". Sipas Finos, fondet për Pushtetin Lokal aq sa janë, kanë filluar të lëvrohen, "por ato duhet të shfrytëzohen në verë, sepse në të kundërt mund të shkonin dëm".
Ndërsa Meidani në fjalimin e tij në Berat ka thënë se “të gjithë strukturat shtetërore duhet të dalin nga apatia, për t'i dhënë një impuls zhvillimit të gjithanshëm të jetës në vend. Kërkohet një mobilizim i qeverisësve dhe të qeverisurve për të përballuar sfidat e shoqërisë në luftën kundër krimit dhe vendosjes së plotë të rendit...", duke kërkuar daljen e ministrave në bazë.
"Meidani mund të ketë sh- kuar në prefekturën e Beratit, por ne nuk kemi rënë në apati, kështu që nuk më duket me vend vërejt- ja e tij”,- tha Fino. Ai saktësoi se ka mendimin që ministrat janë për qeverisjen e dikastereve të veçan- ta dhe është kundër frymës populiste që përpiqen t'u vishen atyre për kontaktet me popullin. "Meidani bën mirë që këto sugjerime t'ua paraqesë deputetëve që janë të lidhur me bazën, dhe jo ministrave që fare mirë mund të thirren në interpelancë nga këta deputetë”,- tha Fino. Dhe më pas duke sqaruar mënyrën e të shprehurit të numrit një të shtetit ai tha se duhet të ngulmohet tek bashkëveprimi dhe jo vetëm tek bashkëpunimi. "Sot ka ardhur koha që të bashkëveprojmë sepse një nënpunës tejet i politizuar, nuk e pranon popullin kur ky shkon i qan hallet, por i thotë: shko anko- hu tek ata që u ke dhënë votën! Dhe kjo është shumë e dëmshme, sepse po ky popull, u dha votën këtyre njerëzve në 20 tetor '96",- tha Fino. Sipas tij, ka ardhur koha e bashkëveprimit, "për të rregulluar të gjithë gjërat që i shkatërruam së bashku".
Duke iu përgjigjur edhe një tjetër thënie të Meidanit në Berat mbi "ngjyrimet politike në nivelet e qeverisjes lokale që janë mjaft të zbehta", Fino tha se kjo gjë nuk qëndron. "S'jam dakord fare me këtë, sepse në shumë raste këto ngjyrime politike të pushtetit lokal janë ashpërsuar së tepërmi", - tha ai.
Eshtë hera e dytë që Fino kundërshton Meidanin, për probleme të caktuara. Herën e parë "konflikti" mes tyre lindi për një mbledhje që Presidenti bëri në selinë e Presidencës me anëtarët e stafit antikontrabandë që drejtohet nga Fino. Ky i fundit mbeti i "indinjuar" për mungesën e tij në këtë takim. Ndërsa tani Fino i thotë Meidanit se e njeh mjaft mirë pushtetin lokal, duke dashur të rikujtojë se dikur ka qenë kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës. ANILA BASHA