Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 17-tetori, pse pedagogët i ka zënë “shah-mat” qeveria, për pagat

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 17-tetori, pse pedagogët i ka zënë

Aranit Muraçi

Stafet akademike dhe administrative të universiteteve publike, më 5 tetor, rreth dy javë para se të nisë viti i ri akademik 2022-2023, kanë paralajmëruar një protestë që sipas tyre, do të zgjasë deri në bllokimin e procesit mësimor nëse qeveria nguron t’iu plotësojë kërkesat, ku më kryesorja është rritja e pagave.

Pas një proteste të kaluar, apo edhe pas një diskutimi me ministren e Arsimit, nuk ka pasur asnjë reagim pozitiv nga qeveria lidhur me peticionin e tyre për rritje të pagave, ose edhe për mbështetje më të madhe financiare në kërkimet shkencore. Vetë ministrja Evis Kushi vjen nga oborri akademik dhe e njeh shumë mirë problematikën e krijuar.

Opozita nga ana e saj, më konkretisht ish-kryeministri Sali Berisha, i ka dalë në mbështetje kësaj proteste, duke ftuar madje edhe studentët që t’i bashkohen asaj. Kuptohet që detyrë e çdo kahu politik është që të përfitojë kredite nga çdo pakënaqësi publike kundrejt palës kundërshtare.

Qeveria njëkohësisht i druhet një proteste të studentëve, por jo protestës së pedagogëve. Këtë të fundit ajo mund ta menaxhojë në çdo situatë dhe kjo është arsyeja që refuzon rritjen e pagave. Studentët janë mbi 100 mijë dhe ata kanë kërkesa të tjera, të cilat kanë të bëjnë me koston e transportit, qiratë që janë rritur, si dhe me bursat (apo bonusin e munguar nga kriza). Ndryshe nga studentët e vendeve të tjera, ata shqiptarë nuk kanë përfituar asgjë, në këtë periudhë krize.

Dhe si për ironi asnjë nga këto shqetësime të studentëve nuk janë diskutuar nga pedagogët. Një shqetësim tjetër i madh i tyre, për të cilën çdo qeveri edhe është tallur me stafet tona pedagogjike, është fakti që ata nuk kanë ngritur dot një standart vlerësimi për studentët, duke i lënë këta të fundit gjatë tranzicionit të pakënaqur e të persektuar me nivelin e mësimdhënies. Në oborret akademike qarkullojnë legjenda të tilla, që i përkasin fatkeqësisht realitetit të universiteteve publike, si profesori i një lënde brenda një fakulteti mund të ngelë të gjithë klasën në shenjë “revolte” pas sherrit me gruan kurse një tjetër mund t’i kalojë të gjithë nga gëzimi se është bërë me djalë. Një studenti mund t’i digjet e ardhmja nga tekat e një profesori, ndërsa një tjetër mund të kalojë (funksionon miku ose paraja) pa ditur shkrim dhe këndim. Fakt është se brenda oborreve akademike nuk është gjetur kurrë një rrugëzgjidhje për të rregulluar këtë “kapricio” pa kuptim, në një kokë kur e ardhmja e Shqipërisë në BE kërkon standarde.

Prandaj, përsa i  përket shqetësimit të pedagogëve, rritja e pagave mund të jetë legjitime, por situata e tyre nuk është premtuese, sikurse mbetet shumë më e ndërlikuar. Qeveria së pari nuk ka buxhet të mjaftueshëm për këtë vit dhe dihet që asnjë qeveri nuk e ka pasur deri më sot prioritet arsimin. Përderisa arsimi nuk ka qenë prioritet, pedagogët duhet të ishin organizuar dhe të ishin ngritur me kohë në protestë. Pedagogët mund të ngrinin zërin e tyre çdo vit, qoftë direkt qoftë edhe përmes opinionit publik, sa herë që hartohet buxheti i shtetit, që sektori i tyre të kishte më tepër vëmendje dhe prioritet. Duke qenë se për fatin e tyre, arsimi është promotor zhvillimi i çdo vendi tjetër.

Ajo që pretendon qeveria, se para rritjes së rrogave kërkohet “pavarësia financiare dhe rishikim i titujve akademikë”, është më tepër një kërcënim ndaj tyre. Aktualisht mbi 75 për qind e buxhetit të universiteteve publike mbulohet nga buxheti i shtetit, ndërsa pjesa tjetër nga tarifat e studentëve.

Kështu, qeveria beson se universitetet publike kanë dështuar totalisht nga ana financiare dhe shumë prej tyre nuk janë të orientuara nga tregu. Është ky një tjetër realitet i hidhur i një vendi që vuan ende pasojat e tranzicionit të tejzgjatur. Në vend të kërkimit shkencor apo projekteve që mund të fitonin nga BE dhe vende të tjera, drejtuesit e universiteteve sa herë që kanë kërkuar financime, i kanë shpenzuar paratë e buxhetit të shtetit për zyra, makina, për të ruajtur godinën, shëtitje, projekte pa vlerë, ose për specializime, duke kualifikuar në mënyrë të diskutueshme personelin jashtë, një pjesë e të cilit nuk e ka merituar vendin as në oborrin akademik.

Qeveria pretendon gjithashtu se edhe titujt akademikë janë përfituar në mënyrë të pamerituar, çka do të thotë se rritja e pagës do të jetë e padrejtë nëse nuk rishikohet kjo pjesë. Edhe kjo mbetet një defekt i universiteteve, sepse ndërhyrja e qeverisë në rivlerësimin e titujve akademikë do të thotë cënim i autonomisë. Kështu, universitetet publike para se të pretendonin rritje pagash, duhet të kishin rregulluar këtë pjesë me vullnetin e tyre. Në këtë situatë më të penalizuarit duket se janë profesorët më të zotë dhe më të ndershëm, ata të cilët i janë dedikuar botës akademike dhe jo bindjeve politike në universitet publike. Gjithsesi, në pretendimet për t’i imponuar qeverisë rritje pagash, aktualisht stafet pedagogjike pavarësisht kërcënimit, janë zënë “shah-mat” nga qeveria.

I vetmi imponim që stafet pedagogjike mund t’i bëjnë qeverisë është bashkimi i të gjithë pedagogëve ( do të ndodhte nëse karriera e tyre s’do të kishte lidhje me bindjet politike) si dhe dalja e studentëve në protestë për të drejtat e tyre, gjë që duket e parealizueshme të ndodhë pasi pedagogët kanë dështuar për të ndërtuar qoftë edhe një marrëdhënie normale me ta. Ishin pedagogët që sipas qeverisë i propozuan një kosto shtesë për provimet e vjeshtës, duke ngritur në këmbë studentët pak vite më parë, çka tregon se marrëdhëniet mes tre palëve janë ngritur në bazë interesash dhe jo zhvillimi arsimor. Për më tepër, studentët i kanë më të shumta hallet se ato të qeverisë dhe të mësimdhënësve të tyre, për të cilat nga të fundit diskutohet më pak.

Kërkesat e pedagogëve, për qeverinë:

- Rritja e pagave të pedagogëve dhe stafit ndihmës.

- Kërkojnë që në tetor të këtij viti paga e tyre të rritet me 30% ndërsa në tetor të vitit 2023 të rritet me 20%

- Rritja e financimeve për kërkime shkencore

- Laburantët të paguhen për rrezikshmërinë që hasin në punë

- Pagesa e vjetërsisë në punë

- Pagesë për orët e shtesë

- Bërja publike e buxhetit të universiteteve dhe si menaxhohen paratë.

Në emër të qeverisë ministrja Evis Kushi pretendon para se të rriten pagat:

– mbështetja e kërkimit shkencor, e cila do të reflektohet edhe në Strategjinë e re Kombëtare të Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit;

– rishikimi i udhëzimit për veprimtarinë dhe ngarkesën mësimore të pedagogëve;

– rishikimi i procedurave për pagesën e orëve suplementare;

– rishikimi i kritereve për marrjen e titujve akademike;

– si dhe rritja e transparencës për veprimtarinë akademike dhe financiare të universiteteve.

Ndërkohë, do të vazhdojmë dialogun për politikën e pagave jo vetëm me ta, por edhe me rektorët e universiteteve dhe grupet e interesit. Ne synojmë që kjo politikë të lidhet me performancën e universiteteve, me qëllim vlerësimin e suksesit dhe nxitjen e cilësisë dhe konkurrencës.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH