Letërsi

Zonja nga Parga, flet çamërisht në letrat shqipe

Shkruar nga Liberale
Zonja nga Parga, flet çamërisht në letrat shqipe

Suela Mino

Shkrimtarin Enver Kushi e njoha përpara se të lexoja krijimtarinë  e tij; me një buzëqeshje të shndritshme në fytyrë dhe zërin e ulët në bisedë, ai rrëfeu qetazi, si të tregontë një film surreal, histori befasuese, të gjitha pjesëza nga letërsia e tij. Duhej ta njihja, ta lexoja…  Përmbledhja në prozë “Apokalips 6”, “Ëndrra të Ngrira”, apo romani “Koha Zero” ishin befasuese për nga mjeshtria e ndërthurjes së ireales në shtjellën e një rrëfimi I cili pështillet në të përditshmen që e hasim të gjithë.  Në truallin e tij letrar buron një gem i gjallë imagjinate, që të përkund mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës, por gjithmonë në dritë, ose në kërkim të dritës, përtej territ dhe ftohtësisë. Edhe imazhet më të përçudnshme nuk trembin; janë, sepse kanë një kumt për të dhënë, një kujtesë për të zgjuar, një histori që e mbart toka, për ata që duam të thërrasim kur na merr malli, kur kemi nevojë, kur kalamendemi në kujtime, apo kotësi… Proza shqipe e ka të pakët këtë lëndë letrare.

Ndërsa “Zonja nga Parga”(2019) është letërsi e një lloji tjetër; I mbrujtur me dashuri, rrëfimi këndon një këngë të vjetër malli zhuritës e fisnik, që e mërmërit me pemët dhe detin një Zonjë Dritë nga Parga. Befasisht, Ajo rrëfen në “gluhën” e saj, historinë e vet tragjike, e cila nis pragpranverën e 1944, kur ndodhi spastrimi etnik ndaj çamëve muslimanë, në tokat e përdiellta të Çamërisë “ku drita e diellit dhe bardhësia e hapësirës, ishin si ca ëndrra që shihen në agim”, edhe atë ditë kur nisi të shkruhet kjo histori.

“Zonja nga Parga” nuk tregon thjesht një episod tragjik mënxyre njerëzore, nuk ka mllef, nuk ka urrejtje, nuk bën histori. Historia e jashtëzakonshme e shpirtit të një populli, gjallon në kurmin e një gruaje të bukur në kufijtë e sublimes. Në shpirtin e vrarë, ajo ruan kujtimet e një fëmijërie të lumtur, mallin për familjen e saj të humbur,  nostalgjinë për detin dhe diellin e Tokës së saj, dashurinë për Kriston – ushtarin e pestë grek, i cili në vend që ta përdhunonte si 4  të tjerët, i shpëtoi jetën dhe e bëri gruan e tij për ta dashur sa pati frymë, e bëri nënë dhe i bleu pemë që t’I mbillte në oborr e të çmallej me familjarët e saj.

Në kufijtë e realizmit magjik, me zhdërvjelltësinë e një autori të sprovuar në “trillin” letrar, Enver Kushi me “Zonjën nga Parga”, ka tejkaluar shkrimtarin, duke dëshmuar njeriun që gjakon mallin e tij të origjinës came, e duke sjellë në letrat shqipe një prozë të spikatur jo vetëm për nga vlerat letrare, sesa për frymën që mbart.

Një novelë e mrekullueshme, në mjeshtërinë e strukturimit, stilin e rrëfimit,  herë në vetë të parë e herë në vetë të dytë, ngjyresat përshkrimore, lazdrimin e gjuhës (shqipja letrare, çamërishtja dhe greqishtja e rrëfimit të personazheve), pasurimin e tekstit nga  njohja e thellë e mjedisit ku gjallon ngjarja, për të ardhur e gjitha si një klithëm shpirti që lëshon jone drite dhe dashurie - të mekur, por gjithmonë aty, mes dy botëve tona.

Vlerësime

Ajo që e bën “Koha Zero” një ndër romanet më interesante të letërsisë shqipe, është thurja me dorë mjeshtri i ireales me realen, gjuha elegante dhe kompozicioni i përkryer.

Frederik Rreshpja

Modest dhe i ndrojtur, por i vlerësuar nga specialistët dhe njohësit e vërtetë të letërsisë, Enver Kusdi, në këtë roman ka bërë një vepër të vërtetë artistike. Romani “Koha Zero” me një ligjërim të mozaikuar, me një ndërthurje të suksesshme të kronikës gazetareske me trillin e imagjinatës, është një nga veprat e pakta, të rrallat e këtyre viteve të fundit, i shkruar me një forcë sugjestionuese të padyshimtë.

Moikom Zeqo

“Koha Zero” është një tablo e zymtë dhe shpresëbjerrëse, e cila, sadoqë shpreh një përjetim emocional të vetë autorit për vendin dhe kohën, nuk i hyn në hak realitetit, nuk e përçud atë.

Virgjil Muçi

Në “Ëndrrat e ngrira”, stinët janë gjithmonë vjeshtodimër, fundverë, pragvjeshtë, nuk ka ditë, ka vetëm ditënatë, fillimditë, fundjavë, moti është mjegull, nuk ka ngjyra, ka çngjyrosje, ka gjumë, ka përgjumje, gjysëmëndërr, nuk ka ligjërim, ka mërmëritje, copëra letrash të nisura detit, gjurmë në rërë dhe dëborë në bregdet.

Arian Leka

Enver Kushi është këngëtar i shpirtrave të trazuar, që duke përshkruar të gjitha ditët apokaliptike të popullit të tij, në këto tregime kërkon të na paralajmërojë të gjithëve të ruajmë vetvehten nga e keqja që na kërcënon në mënyrë të vazhdueshme.

Musa Vyshka

Personazhet e Enver Kushit janë unë, ti, ne në tërësinë e trazuar të tranzicionit. Vëllimi i tij ”Ëndrrat e Ngrira” dhe romani “Koha Zero”, janë pikërisht ai shpirt i trazuar, që na zgjon, jo pak herë, apo edhe kur mbyllim sytë, na trazon e nuk arrijmë të flemë.

Novruz Xh. Shehu

“Zonja  nga Parga” - një temë e vështirë, e trajtuar mire, me sukses. Hyrja, ajo që fillon me “Pedhi mu” – fantastike. Kuvendimi i gruas, që ka humbur të dashurit e vet e që flet me pemët, që i ka pagëzuar me emrat e tyre, është një gjetje antologjike. Çamëria është një plagë e madhe e kombit, që i kemi shumë borxh.

Prof. Agim Vinca

“Zonja nga Parga” është një prej veprave më të arrira të letërsisë shqipe të këtyre kohëve. Kjo vepër e shkruar mrekullisht, nuk i përmbahet thjesht një subjekti dhe ngjarjeve apo personazheve që përsillen rreth tij. Ndër të tjera ajo është kujtesa që fle e përmendet tek gjithësecili prej nesh. Aty pulson e kaluara që nëpërkëmb kohërat, duke na përforcuar mendimin se e sotmja është gjendja e ndërmjetme mes së shkuarës dhe imagjinatës, me imazhin e së cilës vishet e nesërmja!

Ermir Nika 

BOTIME

"Porta e Madhe" - Tregime

"Hëna e Vitit Zero" - Roman

"Ëndrra të Ngrira" - Tregime dhe novela

"Koha Zero" - Roman

"Apokalips 6" – Tregime

“Zonja nga Parga”- Novelë

NË FUSHËN E ARSIMIT 

"Antologjia e Letërsisë për shkollat e mesme"  (Nga fillimet deri në vitin 1939)

"Antologjia e Letërsisë për shkollat e mesme" (Periudha e Realizmit Socialist)

"Poezia në Kosovë"

SKENARË

FILMA ARTISTIKË

"Binarët"

"Ushtari"

"Kostumi"

FILMA DOKUMENTARË

"Ëndrra  e Çamërisë"

"Deti i Diturive: Hasan Tahsini"

"Hapësirat e një jete"

"Gjithçka për Kosovën, Ramush Haradinaj"

"Gjurmët e kohës"

"Saga e Dinejve"

"Gaveta"

"Kryegjyshata Botërore Bektashiane" /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH