Medium Personazhe

Zëri i saj ishte zëri i Kosovës

               Publikuar në : 13:16 - 07/02/20 Enver Robelli

Nga Enver Robelli

Çil njat zemër plot kujtime: Me rastin e vdekjes së Nexhmije Pagarushës.

1.
Për jetën e saj qarkullojnë shumë rrëfime, legjenda e tregime, por çfarë mbetet dhe do të çmohet përjetësisht jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha viset shqiptare është – zëri i saj. Ajo e bëri muzikën të rëndësishme për të gjithë në Kosovë, e nxori atë nga odat e burrave, e largoi nga toni i kukuvajkave. Sot Nexhmije Pagarusha ndërroi jetë (u lind më 1933). Nëse për Frank Sinatrën është thënë se është gjysma e Bethovenit, për Nexhmije Pagarushën mund të thuhet: ajo ishte Édith Piafi e Kosovës.
2.
Do ta quajnë këto ditë Nexhmije Pagarushën «Bilbil të Kosovës», do të dëgjohen sërish këngët e saj, do të kujtohet me inserte intervistash dhe me citate. Por Nexhmije Pagarusha në historinë e Kosovës ka hyrë jo vetëm si këngëtare. Ajo ishte zëri emancipues i Kosovës. Në kohërat kur patriarkalizmi në shoqërinë kosovare ishte edhe më i shtrirë se sot, ajo u ngjit në skenë dhe rrëzoi shumë mite, konvenca dhe të ashtuquajtura «tradita» e tabu. Ajo inspiroi shumë gra, ajo me këngët e saj dha këtë porosi: emancipimi është i mundur, çlirimi po ashtu. Dhe çlirimi fillon me një këngë. Nexhmije Pagarusha hapi një botë të re e të bukur edhe për burrat e Kosovës.
3.
Mënyra si këndoi Nexhmije Pagarusha, e ndryshoi qasjen e publikut ndaj gjërave dhe njerëzve. Baresha nuk ishte më vetëm një vajzë e mjerë pa ëndrra e ndjenja, e strukur dikur në thellësitë e fshatit. Pagarusha nxiti një perceptim tjetër të jetës ne një shoqëri që ishte shtypur gjatë dhe po shijonte çdo shkëndijë lirie. A ka të arritur më të madhe për një artiste apo artist? Me gjasë jo. Këngët e saj qenë melankoli dhe rezistencë, thirrje për emancipim dhe pasion përtej çdo kiçi. «Zëri i saj ma kujton shtëpinë, pasdite ora tre, Radio Prishtina», më shkruan një shok – dhe vetëm kjo fjali e përshkruan me saktësi krejt ndjenjën që e kanë shumë gjenerata të rritura me këngët e Nexhmije Pagarushës.
4.
Kënga «Baresha» sot këndohet në dhjetëra versione, është përpunuar dhe riinterpretuar nga këngëtarë të ndryshëm. Duhet kujtuar këtu rrethanat kur kjo këngë u realizua. Më 1966. Në vitin kur kishte rënë nga pushteti Aleksandër Rankoviqi famëkeq, i ngarkuari i Serbisë për terror në Kosovë. Pas vitit 1966 në Kosovë nuk u bë githçka mirë, por shumëçka. Dhe ato suksese në arsim, ekonomi, emancipim, kulturë kishin një melodi shoqëruese: këngët e Nexhmije Pagarushës. Në një intervistë për revistën «Teuta» ajo ka treguar: «Këngën ‘Baresha’ e ka kompozuar Rexho Mulliqi, ndërsa tekstin e ka shkruar shkrimtari Rifat Kukaj. Kjo këngë është realizuar në vitin 1966, apostafat për koncerte jugosllave të asaj kohe që mbaheshin nëpër qendrat e republikave dhe krahinave. Kjo këngë për herë të parë është realizuar në studion e Radio Beogradit e përcjellë nga orkestra e Radio Beogradit. Pastaj është realizuar nga orkestra e Radio Prishtinës nën udhëheqjen e Isak Muçollit».
5.
Jeta e Nexhmije Pagarushës fillon në një fshat në rajonin e Malishevës, në Pagarushë, dhe kulmon në shumë skena të muzikës, mes tyre, e paharrueshme, sipas saj, paraqitja në një koncert në Sarajevë më 1984, në vitin e Lojërave Olimpike Dimërore. Jeta e Nexhmije Pagarushës fillon në një familje pa privilegje, por të etur për dije e emancipim. Ajo ka treguar: «Babai im ishte mësues. Ai gjatë kohës së Mbretërisë Jugosllave, pat shkuar në Shqipëri dhe atje mbeti pesë vjet, derisa e kreu medresenë. Gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore, në vitet dyzet, kur erdhën italianët, ne shqiptarët në Kosovë përjetuam për herë të parë administratën në gjuhën shqipe, por edhe shkollimin në gjuhën shqipe. Babanë tim e caktuan mësues. Ai këtë punë e kryente edhe para luftës, por në mënyrë të fshehur. Ne, në atë kohë (kur i isha 12 vjeç) kaluam nga katundi Pagarushë (ku kam lindur), në Prizren. Pas pak kohësh qemë vendosur në Prishtinë. Babai im ishte i bindur se unë kisha talent për muzikë dhe qe gëzuar shumë kur vokalin tim e pat dëgjuar përmes valëve të Radio Prishtinës, kur këndoja, siç thuhet sot, live». Sot ajo iku duke na thënë: «Çil njat zemër plot kujtime». Kush këndon, është njeri i ndershëm. Ose siç do të thoshte Frank Sinatra: «I hear music when I look at you.» Kur e dëgjojmë Nexhmije Pagarushën na kujtohet një Kosovë që kishte pak mundësi dhe shumë ideale./Koha.net

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back