Genciana Abazi-Egro
Poeti Nezim Berati në krijimtarinë e tij bën publike që ka si mecen/padron Mahmut pashë Vlorën, të birin e Hysen pashës. Ai e quan atë Imzot, dhe me krenari pohon se është në shërbimin e tij.
Mahmut pasha është djali i vogël i Hysen pashës, i cili kur vdiq i ati më 1672 ishte i mitur dhe u rrit nën kujdesin e vëllait të madh Xhaferr beut. Edhe Xhaferr beu është ngjitur në postin e sanxhakbeut të Vlorës, në vitet ’70 dhe ’80 të shek. 17. Nga bashkëkohësit citohet të ketë qenë “njeri me pushtet dhe nga derë e madhe, por dhe njeri me vlerë, me emër dhe i aftë,” megjithatë deri më sot nuk kemi dokumente që dëshmojnë për ndonjë aktivitet të shprehur të tij në fushën e urbanizimit dhe të kulturës urbane në qytetin e Beratit. Mahmut pasha mori drejtimin e sanxhakut të Vlorës me qendër Beratin në fillim të shek. 18 dhe do të vazhdojë ta ruajë autoritetin dhe fuqinë politike të tijën dhe të emrit të familjes që trashëgonte deri në fund të jetës, më 1738.
Edhe ai, sikurse i ati, Hysen pashë Vlora shfaqi një vëmendje dhe interes të veçantë për dijetarët dhe poetët e Beratit. Të gjithë janë të kënaqur prej tij, por më së shumti njerëzit e mendjes, shprehet Nezim Berati në Divanin shqip. Megjithatë kjo marrëdhënie përtej ndjesisë së kënaqësisë që ngjallte tek njerëzit, ishte e ndërtuar mbi një sistem mecenati/patronazhi, që do të thoshte një marrëdhënie e veçantë mes padronit letrar dhe poetit që shkruante për të.
Në fakt, së pari kemi të bëjmë me një marrëdhënie të tipit të varësisë dhe të përkatësisë. Poeti shkruan për sundimtarin dhe ai e mbështet financiarisht atë. Nga krijimtaria e Nezim Beratit kanë mbijetuar tre poezi dedikuar Mahmut pashës në kohën kur ai ka qenë në pushtet dhe një poezi pas vdekjes, në shenjë respekti e kujtimi. Në këto poezi, poeti shpjegon dhe mburr personalitetin e Mahmut pashës, tregon respektin dhe reputacionin që ai gëzonte dhe veçanërisht aftësitë që ai shfaqte në drejtim. Nezim Berati e ka vlerësuar Mahmut pashën si shtetar të zotin, mendje e kohës, komandant famëmadh, por edhe bamirës shumë të madh. Në fakt Mahmut pasha duhet të ketë patur me të vërtetë një personalitet të tillë, sepse këto cilësi i gjejmë të konfirmuara nga dokumentacioni osman i kohës, por dhe nga mbishkrimi në xhaminë që ai ndërtoi në qytetin e Beratit.
Çështja e vërtetësisë së lëvdatave dhe e sinqeritetit të lutjeve ka qenë shumë e rëndësishme në marrëdhënien mes poetit dhe padronit. Në krijimtarinë e tij Nezim Berati bën të qartë që poezia panegjerike mbi Mahmut pashë Vlorën “është e vërteta e artistit” që i bëhet e ditur botës. Madje, pikërisht mungesa e vërtetësisë në lutje dhe lëvdata ka cënuar dhe marrëdhëniet që poeti ka tentuar të vendosë pas vdekjes së Mahmut pashës, me të birin e tij, Ismail pashë Vlorën i njohur me llagapin Velabishti. Në një poezi-lutje dërguar Ismail pashës, Nezim Berati kërkon të garantojë padronin e tij, lidhur me vërtetësinë e lëvdatave dhe kuptimin e poezive, veçanërisht për lutjet që ai thurr për të.
Mahmut pasha e ka shpërblyer poetin për poezitë e tij panegjerike. Deri më sot, nuk kemi të dhëna konkrete lidhur me pagesat apo natyrën e përfitimeve financiare që ka marrë poeti Nezim Berati. Por nga poezitë e tij mësojmë se poetit i është plotësuar “çdo gjë që i ka kërkuar Zotit të tij [Mahmut pashës]” dhe kjo e ka lumturuar shumë atë. Megjithatë kjo mbështjetje nuk ka qenë vetëm një shkëmbim i thjeshtë vlerash dhe një akt bamirësie. Krahas financave të mira, ajo i ka siguruar poetit dhe status social dhe mbrojtje publike. Nezim Berati e shpreh qartë që ndihet i sigurtë nga atakimet e natyrave të ndryshme, pasi ka mburojë padronin e tij letrar që siç thotë ai, “Imzot është si mal, prandaj kurrë nuk kam atë hall pse leh i biri i Çaparit” që ishte njëri ndër rivalët e tij.
Mbështetja financiare dhe publike që Mahmut pasha i dha poetit dëshmojnë se shkrimi i poezive në këtë periudhë po fitonte statusin e një profesioni të respektuar. Nëpërmjet letërsisë poeti Nezim Berati mund të siguronte jetën e tij dhe sipas të dhënave të deri më tanishme, ky ka qenë dhe preukopimi i vetëm që ka patur gjatë gjithë jetës. Madje shkrimi i poezive kundrejt kërkesave ka qenë një dukuri e përhapur, të cilën e gjejmë të shprehur qartë në krijimtarinë e poetit, ku kemi një kategori poezish, dedikuar individëve të caktuar, për të cilat është bërë sqarimi se janë shkruar me kërkesë të veçantë. Nga ana tjetër letërsia dhe padroni letrar përveç sigurimit të jetesës i kishte dhënë poetit dhe një status të respektuar në shoqëri. Në dokumentet zyrtare të kohës Nezim Berati përmendet me emrin Nezim efendi Ibrahim bej. Nezim i referohet pseudonimit letrar dhe Ibrahim, emrit të lindjes. Në këtë emër, i përbërë nga dy pjesë që diferencohen nga përdorimi i dy titujve të ndryshëm, del qartë se bej i përket statusit që gëzonte familja e tij, ndërsa titulli efendi që shoqëron pseudonimin letrar, i referohet statusit të tij social, të fituar nga krijimtaria dhe veprimtaria si poet.
Ky status i ri që fituan poetët përcaktohej nga shumë faktorë, megjithatë faktori determinues krahas marrëdhënies që poeti ndërtonte me padronin ishte influenca që poezia e tyre kishte në publik. Në këtë marrëdhënie që ata vendosën me publikun ndikoi dhe ndjeshmëria që ata shfaqën ndaj shqipes. Në periudhën e sundimit të Mahmut pashë Vlorës, letërsia krahas gjuhëve dominante të Perandorisë Osmane (turqisht, persisht, arabisht) filloi të shkruhet gjerësisht dhe në gjuhën amtare. Përdorimi i gjuhës shqipe u bë pjesë e rëndësishme e komunikimit të letërsisë sepse ofronte një marrëdhënie shumë komplekse me të gjithë shtresat e shoqërisë. Letërsia në gjuhën shqipe i përgjigjej niveleve dhe llojeve të ndryshme të kërkesave që kishin lexuesit. Poezia që ishte dhe forma dominante e krijimit në këtë kohë, u bë pjesë e jetës së njerëzve, në sajë të gjuhës që përdorte (shqipes), por edhe të temave njerëzore që trajtonte, sikurse ishte për shembull dashuria, miqësia mes njerëzish, apo dhe kënaqësia që jepte konsumimi i përditshëm i kafesë. Kjo marrëdhënie e re që letërsia vendosi me publikun, nën ndikimin dhe të patronazhit letrar, solli krijimin dhe lëvrimin e zhanreve të reja letrare.
Divani filloi të lëvrohej në letërsinë shqipe në fillim të shek. 18. Nezim Berati në kohën e mecenatit të Mahmut pashë Vlorës, eksperimenton i pari në gjuhën shqipe këtë zhanër klasik. Këtë nismë ai e ka ndërmarrë me vetëdije, për motive gjuhësore dhe letrare, të cilat i artikulon qartë në poezinë hyrëse të Divanit Shqip. Hartimin e një zhanri mbretëror sikurse Divani në gjuhën shqipe, së pari ai e mendon si një sfidë letrare ndaj poetëve të tjerë. Ndërsa arsyen e dytë poeti e shpjegon me gjuhën shqipe. Nezim Berati është i shqetësuar për situatën e shqipes, nën presionin e turqishtes osmane, e cila ndikonte dhe në cilësinë e poezisë së tij. Ai kërkon që me anë të lëvrimit të këtij zhanri të mundësojë një kodifikim të gjuhës që përdorte letërsia. Këtë mision ai e bën publik nëpërmjet poezive, duke bërë edhe lexuesit pjesë të shqetësimeve dhe ideve të tij inovatore. Madje në poezinë dedikuar Mahmut pashë Vlorës, ai shkon edhe më tej. Nezim Berati kërkon t’i shërbejë dhe të jetë për shqipen njësoj sikurse poeti Hafiz i shërbeu persishtes dhe poeti Urfi turqishtes. Ky diferencim i poetëve sipas gjuhëve të cilat ato shkruajnë tregon për një shkallë të lartë vetëdijësimi për gjuhën, por edhe zhvillimin e një ndjenjë të fortë përkatësie gjuhësore që kishte filluar të zhvillohej në qytetin e Beratit, lidhur me shkrimin në gjuhën shqip.
Megjithatë zhanri më i suksesshëm, dhe më jetëgjatë, që fitoi një dinamikë të re në këtë periudhë ishin këngët qytetare. Një pjesë e poezive, që pëlqeheshin nga publiku, të shoqëruara me melodi, u bënë pjesë e repertorit të ceremonive të ndryshme festive. Madje Mahmudeja e stolisurë e poetit Sulejman Naibit ka vazhduar të këndohet deri në mesin e shek. 20. Gjatë këtij kalimi këto poezi kaluan në një proces transformimi dhe sikurse shprehet Zef Jubani, në antologjinë/historinë e tij të letërsisë shqipe, ato janë “poezi të bamun bejt.”
Patronazhi letrar i familjes Vlora vazhdoi edhe pas vdekjes së Mahmut pashë Vlorës. Të gjithë pjesëtarët e familjes së tij ndërtuan marrëdhëniet e tyre me poetët dhe letrarët e Beratit dhe u bënë pjesë e letërsisë së oborrit që u zhvillua në këtë periudhë. Poeti Nezim Berati u ka dedikuar poezi të gjithë bijve të Mahmut pashës: Bajram pashës, sanxhakbej i Delvinës; Sulejman beut, mutesellim i sanxhakut të Vlorës; dhe zonjës Rukije, martuar me Sulejman Pashën nga Biçakçiu (Elbasani). Megjithatë si mecen letrar ai deklaron vetëm Ismail pashë Vlorën (Velabishti). Këtij të fundit poeti i thotë imzot dhe ndaj tij ka zhvilluar një retorikë të pasur dedikimi. Duke qenë se poeti kishte patur si mecenë letrarë të dy, at dhe bir, është plotësisht e mundur që nga retorika e dedikimit të përcaktohen dhe profilet e të dy padronëve, por edhe disa prej karakteristikave të patronazhit të tyre letrar. Në fakt marrëdhënie me Ismail pashë Vlorën dëshmohet të ketë patur edhe poeti Sulejman Naibi, por për shkak se krijimtaria e tij nuk ka arritur të mbijetojë është e vështirë që të kuptohet natyra e kësaj marrëdhënieje.
Ismail pashë Vlora/Velabishti ndërtoi profilin e një meceni bujar, por autoritar, i cili merrte përsipër dhe rolin e gjykuesit të veprave letrare. E nxitur kjo edhe nga fakti se ai shkruante vetë poezi dhe kishte një ndjeshmëri të madhe ndaj letërsisë. Sipas poetit Nezim Berati, Ismail pasha respektin e jepte sipas produktit dhe kjo praktikë dhe veçanërisht rregulli që ai vendosi ishte çmuar dhe ishte mirëpritur nga të gjithë, veçanërisht dijetarët e qytetit.
Referuar krijimtarisë së Nezim Beratit, kuptojmë se Ismail pashë Vlora zhvilloi një sistem më të komplikuar patronazhi se paraardhësit e tij. Marrëdhënies tradicionale padron-poet ai i shtoi dhe një dimension të ri: rregullator i jetës publike dhe kulturore në qytetin e Beratit. Mecenati për të, krahas mbështetjes financiare dhe publike për poetët ishte dhe një përgjegjësi publike, e cila i jepte të drejtën për të ndërhyrë dhe me urdhra zyrtarë në jetën letrare të qytetit. Sipas poetit Nezim Beratit, Ismail Pasha, ka nxjerrë një urdhëresë drejtuar poetëve që shpërdoronin fjalën dhe poezinë e përdornin për sulme vulgare dhe ofenduese. Ai kërkon që poetët të cilët shkelin limitet e satirës, të bëhen objekt i poezive satirike nga të gjithë kolegët e tyre poetë. Nezim Berati ka qenë i detyruar që të reagojë lidhur me këtë urdhëresë që duket se e ka prekur edhe atë vetë. Përmes poezisë ai i dërgon mesazhe të drejtpërdrejta padronit të tij letrar dhe e garanton për përgjegjësinë që ka lidhur me përdorimin e fjalës. Sipas tij “poeti i mirë nuk ka nevojë të ndyjë gojë.” Lidhur ngushtë me këtë, poeti ka sqaruar dhe mënyrën se si ai e koncepton poezinë dhe mjeshtërinë e poetit. Në fakt arti i krijimit, fjala dhe mjeshtëria e poetit janë çështje/tema që poetin e kanë intriguar gjatë gjithë krijimtarisë së tij. Këto persiatje, me një vetëdije të qartë poetike, sipas Ibrahim Rugovës shënojnë dhe fillimet e mendimit teorik-letrar në letrat shqipe.
Ismail pasha e avancon akoma më tej marrëdhënien që letërsia shqipe kishte vendosur me komunitetin në këtë periudhë. Nga krijimtaria e Nezim Beratit kuptojmë se recitimi i poezive shqip ishte bërë pjesë e ceremonive të organizuara në saraj me rastin e kremtimeve të ndryshme. Nezim Berati i ka dedikuar Ismail pashë Vlorës një poezi shqip kur është nisur për luftë, në krye të trupave ushtarake, ku mburr aftësitë e tij si komandant, por dhe si drejtues. Ky ka qenë drejtimi i parë pas marrjes së detyrës së sanxhakbeut dhe e ka nxitur poetin t’i shprehë urimet e lutjet e tij. Krahas kësaj, poezitë shqip dëshmohet të kenë qenë pjesë dhe e kremtimeve të festave fetare. Këto raste reflektojnë një prirje të re që po merrte komunikimi letrar në gjuhën amtare. Marrëdhënia që gjuha shqipe po vendoste me ceremonitë zyrtare, nëpërmjet letërsisë, tregon për një zgjerim të funksioneve të shqipes, por dhe peshën që po fitonte gjuha amtare, në hapësirat që administroheshin nga autoritetet vendase. /Gazeta Liberale