Analizë

Vdekja e politikës

Shkruar nga Liberale
Vdekja e politikës

Erl Kodra

Duke kërkuar një titull për tekstin e mëposhtëm, për një moment mendova se mos ndoshta është gabim strukturor që partitë tona të trajtohen politikisht domethënë, duke u dhënë atyre vlera dhe atribute politike që nuk i kanë dhe nuk i mbartin – as në substancë ideologjike ose në përfaqësimin e interesave të shoqërisë.

Në të vërtetë zhdukja e substancës politike nga partitë tona nuk është një fenomen sui generis, por është një sindromë e vjetër e shoqërive në degradim – kryesisht e elitave të korruptuara dhe të kriminalizuara , qëllimi kryesor i të cilave është kapja dhe shtrytëzimi i ekonomisë kombëtare vetëm për interesat e saj.

Elitat politike janë shkëputur nga realiteti shoqëror, ato nuk e shohin zhvillimin ekonomik dhe social të vendit si interes kombëtar, por vetëm se si mund të shtojnë pasurinë e tyre – dhe ekonominë kombëtare ta kanalizojnë në bizneset e tyre private. Në këtë rast, shprehja “asgjë personale – thjeshtë biznes” bën edhe sens “politik”.

Ka diçka serioze që nuk duhet harruar, se korrupsioni nuk është një teori konspiracioni, as ndonjë organizatë okulte në formën e Iluminatit ose Lozhave Masonike. Në të vërtetë, tek ne korrupsioni është kthyer në mënyrë jetese, së pari për elitat politike që ka tërhequr në moçalin e saj të gjithë shoqërinë.

Elitat tona nuk prodhojnë asgjë politike, ato kanë humbur interesin për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, duke u përqëndruar vetëm tek interesat e tyre private. Sipas tyre (elitave) – të merresh me politikë do të thotë të bësh biznes përmes korrupsionit. ”Asgjë personale sigurisht është thjeshtë biznes”.

Katër janë fushat ku janë angazhuar njerëzit e rëndësishëm të vendit – politika, biznesi, krimi dhe korrupsioni. Në të vërtetë, secila prej këtyre fushave është e mpleksur me tjetrën domethënë, ai që merret me politikë merret edhe me biznes edhe me krim dhe korrupsion Aq thellë ka shkuar kjo histori, sa është e vështirë të kuptohet se ku mbaron politika dhe fillon biznesi apo krimi dhe korrupsioni. Rrallë mund të gjendet ndonjë vend në planet ku elitat janë zhytur kaq thellë në llum – ku ministri, kryeministri, deputeti, biznesmeni, gjykatësi, prokurori dhe gazetari janë njëkohësisht edhe plehra njerëzor që vjedhin dhe vrasin pa pikën e turpit.

Ne jemi një vend i vogël, lehtësisht i menaxhueshëm dhe i kontrollueshëm, si nga pikëpamja e territorit, ashtu edhe nga pikëpamja njerëzore. Gjithëkush njeh gjithëkënd, dhe të gjithë sillen në një hapësirë prej 200-300 kilometrash. Shkodra me Vlorën gjenden vetëm 3 orë larg – hapësirë kjo lehtësisht e kontrollueshme nga mafia politiko-ekonomike, instaluar prej kohësh në zyrat e shtetit.

Hapësira e vogël ku zhvillojnë aktivitetin elitat e krahëve politik, nuk ka çuar në ndarjen e territorit, por i ka detyruar ato të bëjnë marrëveshje të heshtura – përmes ndarjes kohore së pushtetit, ndarjes së sektorëve ekonomik, krijimit të monopoleve dhe oligopoleve, përqëndrimit të ekonomisë në vetëm disa duar. Një biznesmen i fuqishëm përveç eskluzivitetit në një fushë të caktuar, njëkohësisht ka lidhje të fuqishme me të majtën dhe të djathtën, gjithashtu ka edhe median e tij.

Sistemi funksionon njëlloj siç funksionojnë organizatat mafioze, por me një dallim formal : Nëse mafia respekton kodin e nderit , në rastin e elitave tona ky kod është zëvëndësuar me sllogane politike të dala boje. Domethënë, kur flasin për “njerëzit e thjeshtë të këtij vendi” – ata e kanë fjalën për masën e madhe të skllevërve që duhet të mbijetojnë me vetëm pak kalori dhe proteina në ditë. Skllevërit sigurisht dëgjojnë me vëmendje, në përgjim të copës së bukës që u hidhet si qenëve sa herë që u duhet vota e tyre. Skllevërit kaq meritojnë – të quhen “njerëzit e thjeshtë të këtij vendi”.

Si konkluzion, partitë politike në Shqipëri përfundmisht kanë humbur qëllimet politike, ato janë zhveshur nga ideologjitë e majta dhe të djathta, ato nuk funksionojnë më në bazë të programeve ekonomike, politike ose sociale. Ato nuk synojnë zhvillimin ekonomik dhe social të shoqërisë, por shtimin e pasurisë dhe fuqisë së klaneve të tyre. Ato nuk përfaqësojnë asnjë grup shoqëror ose interes publik, përkundrazi, ato janë kthyer në funksion të vetvetes – në shërbim të eksponentëve njëlloj si organizatat mafioze. Shkurt – një eksponent që ka zënë një pozitë të mirë në hierarki është në gjendje të përdor çdo mënyrë dhe mjet për pasurim të paligjshëm, përfshirë krimin dhe korrupsionin.

Pavarësisht se diferencat mes PS dhe PD përgjatë 30 viteve të tranzicionit politik kanë krijuar përshtypjen e një ndarje të thellë, në të vërtetë ndarjet nuk kanë qenë mbi baza ideoligjike, por thjeshtë konflikte interesash për kapjen e pushteteve. PS dhe PD kanë qenë në dakortësi rreth çështjeve thelbësore ku ndahen e majta dhe e djathta, si përshembull qëndrimi ndaj ish-pronarëve, të përdjekurit poltik, dënimi gjenocidit komunist, etj. Është interesante të kuptosh mënyrën se si kanë funksionuar këto dy parti politike përgjatë 30 viteve – në pamje të parë në një luftë ashpër dhe retorikë ekstreme por pa thelb dhe princip. PD dhe PS kanë bërë akuza të tmerrshme kundër njëra tjetrës, por çuditërisht gjithmonë janë paqtuar ose i ka kapur amnezia kur kanë marrë pushtetin.

Ekziston një thënie në diskursin publik të Sali Berishës – e thënë rreth 30 vite më parë – se “ne ishim bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”, që u kthye në thelbin e marrëdhenieve mes PS dhe PD. “Të majtë” dhe “të djathtë” që riciklohen, ish-kuadro të regjimit komunist që japin leksione demokracie, ish-prokurorë dhe gjyqtarë, ish-oficerë sigurimi që kanë shkatërruar jetë njerëzore vazhdojnë dhe kjo është më e keqja – të kontrollojnë zhvillimet ekonomike, politike, sociale dhe kulturore të Shqipërisë. Në këtë kuptim, diferenca ideologjike mes të majtës dhe të djathtës nuk ka ekzistuar dhe as nuk ekziston.

Edhe mënyra se si partitë politike kërkojnë mbështetje elektorale në shoqëri është ekstra politike, përndryshe, ato nuk përmbajnë asgjë politike. Kaq larg ka shkuar kjo histori, sa vota është kthyer qëllim në vetvete, dhe se votuesit trajtohen si ca krijesa të rëndomta, ose qenie jo njerëzore prej të cilave duhet marrë vota me çdo çmim, njësoj siç merren vezët nga pulat, ose më keq akoma, siç merret qumështi dhe mishi nga lopët. Ata që nuk e japin votën për bindje politike, gjithsesi duhet ta japin votën të shtrënguar nga metoda të tjera ekstra politike – përmes shantazhit të drejtëpërdrejtë, frikësimit, dhunës së ushtruar nga gangsterët lokal, dhe patronazhistëve – një strukturë parapolitike e shpikur nga Edi Rama. Ai e quan Partinë Socialiste një “makineri elektorale”, njëlloj monstre që mbledh vota – domethënë vota si qëllim në vetvete, si një mallë që mund të mblidhet, blihet ose grabitet. Dhe këtu nuk ka asgjë politike por veçse parapolitike.

Partitë politike kanë adoptuar një diskurs publik special dhe agresiv, krejtësisht larg politikës, pavarësisht se slloganet politike nuk mungojnë. Ato kanë adoptuar elemente të serialeve thriller, emocionues dhe me suspansë të fortë, ku personazhet janë vet liderat e partive. Kështu, ata luajnë me emocionet njerëzore, duke u kthyer në aktorë të dashur për publikun. Ne shohim në darkë live në televizion mënyrën se si vuan Kryeministri Edi Rama, i akuzuar “pa të drejtë” si hajdut, ndërsa ai ngrihet në këmbë dhe u afrohet kamerave në studio, duke bërtitur fort se “unë nuk jam hajdut, nuk kam vjedhur”. Njerëzit që shohin nga shtëpia skenën atipike, mendojnë:

“Sa gjynah dhe sa të poshtër ata që e akuzojnë Kryeministrin tonë”

Në këtë rast fakti nuk ka asnjë rëndësi, sepse fakti nuk mund të provohet në një studio televizive, por i rëndësishëm është gjesti i Kryeministrit, emocionet njerëzore që ai prekë me performancën e tij, empatinë që ai zgjon tek publiku i gjerë. Shfaqja e tij kthehet një seri brilante thrilleri televiziv, që rrëmben vëmendjen e publikut pro dhe kundër, duke e kthyer atë një një tifoz ose adhurues pa kushte. Kështu fakti penal humbet rëndësinë juridike, duke u zëvëndësuar me aksionin emocionues të Kryeministrit, për mënyrën se si Edi Rama i mposhti kundërshtarët e tij, për aftësitë e tij për të dhënë përgjigje spontane me batuta brilante dhe të parezistueshme.

Edhe Enver Hoxha luante me elementet emocionalë përgjatë thrillerit horror më të gjatë në historinë tonë. Pamja imponuese prej burri të pashëm dhe flokëbardhë, me kapele republika, kostume të gjera, me fytyrë ëngjëllore, i drejtë, trim dhe parimor, që i dërrmonte armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm përmes fjalimeve madhështore – të linte pa tekst. Kështu, shumica e popullit mallëngjehej dhe magjepsej vetëm nga portreti i tij – balli i lartë, flokët e gjata poshtë kapeles, e qeshura ëngjëllore, zëri imponues dhe aftësitë e tij prej aktori. Nuk kishte asnjë rëndësi se sa qindra mijëra njerëz të pafajshëm vriste, burgoste ose internonte. Viktimat e tij as që kishin shansin të nxirnin zë nga goja. Njerëzia e donin në gjendje transi , duke puthur tokën ku ai shkelte. Dhe një pjesë e donin seriozisht.

Të tjerë politikanë janë kthyer në dofarë qeniesh superiore mbi të tjerët, që adhurohen pa kushte – ata nuk e vrasin mendjen se çfarë thonë sepse e dinë se adhuruesit e tyre do t’i pranojnë si të vërteta supreme fjalët e tyre, pavarësisht koherencës. Ata shpikin të paqena, rrejnë pa hesap, shpifin dhe riciklojnë akuza, madje edhe fabrikojnë gjithçka nga fillimi. Dhe këtë e bëjnë duke e ditur se kjo po shkatërron të ardhmen e vendit dhe demokracinë.” Asgjë personale, thjeshtë biznes” – sigurisht.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH