Nga Prof. Asoc. Dr. Enri Hide,
drejtues i ekipit të projektit FloodNorthALB për UET
Fatkeqësitë natyrore përbëjnë një rrezik të lartë për jetën e qytetarëve, pronën, mjedisin dhe monumentet e trashëgimisë kulturore, veçanërisht në vendet në zhvillim si Shqipëria dhe ato të Ballkanit Perëndimor. I gjithë procesi i zhvillimit ekonomik dhe social i një vendi varet nga efektet që shkaktojnë rreziqet që vijnë nga fatkeqësitë natyrore.
Nga ana tjetër, një pjesë e konsiderueshme e fatkeqësive natyrore lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi tashmë me efektet e ndryshimeve klimatike. Këto efekte kanë filluar të jenë gjithnjë e më të pranishme në Shqipëri.
Në procesin e përshtatjes ndaj numrit në rritje dhe larmishmërisë së rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, Shqipëria ka zhvilluar një tërësi mekanizmash, strategjish dhe planesh, në nivel qendror, rajonal dhe lokal. Ky proces është përshpejtuar sidomos pas tërmetit të vitit 2019 që e la vendin me pasoja të rënda ekonomike dhe sociale. Ndërkohë, vendi është bërë pjesë e Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, duke garantuar ndihmën e vendeve-anëtare të BE-së në rastet e fatkeqësive natyrore. Gjatë thuajse pesë viteve të fundit Shqipëria i është nënshtruar një reforme të thellë në sistemin e saj të menaxhimit të fatkeqësive, duke e zhvendosur fokusin nga një menaxhim pasiv i situatave, në një menaxhim proaktiv, te orientuar drejt parandalimit dhe gatishmërisë. Këto strategji përfshijnë ndër të tjera Strategjinë Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë dhe Planit të Veprimit (2023-2030), Vlerësimin Kombëtar të Risqeve nga Fatkeqësitë Natyrore, si dhe Planin Kombëtar të Emergjencave Civile (miratuar në fillim të vitit 2024), duke krijuar një kohezion institucional dhe mekanizmash për të gjitha Etapat e Menaxhimit të Fatkeqësive. Këto dokumente janë jetike për parandalimin, përgatitjen dhe reagimin nga fatkeqësitë në Shqipëri dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.
Këto përpjekje gjithashtu kanë nxjerrë në pah nevojën për bashkëpunim më të madh rajonal, koordinim të aktiviteteve dhe rritjen e aftësive të vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u përballur e sidomos për të parandaluar e zvogëluar risqet nga fatkeqësitë natyrore. Në këtë kuadër, një rol të rëndësishëm luajnë edhe institucionet akademike, universitetet dhe qendrat kërkimore, të cilat mund të kontribuojnë thelbësisht në parandalimin e gatishmërinë ndaj fatkeqësive, përmes rrjetëzimit kombëtar e rajonal, si dhe bashkëpunimit me institucionet dhe aktorët shtetërorë.
Prandaj, në përgjigje të kësaj nevoje në rritje, Universiteti Europian i Tiranës i është bashkuar një nisme nën drejtimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, me mbështetjen e BE-së dhe Komisionit Europian (Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile dhe Ndërhyrjeve Humanitare - ECHO-UCPK) dhe shumë partnerë të tjerë europianë e rajonalë, për të zhvilluar në Shqipëri stërvitjen më të madhe në shkallë rajonale të gatishmërisë katastrofave natyrore. Një ndër katastrofat më të prekshme për vendin tonë, e cila ka shkaktuar problematika të thella ndër vite me impakt në sigurinë kombëtare të vendit dhe kohezionin socio-ekonomik të një rajoni nevralgjik si Shkodra, janë përmbytjet, të cilat arritën kulmin në vitin 2010, ndonëse thellësia historike e këtij fenomeni shtrihet qysh në vitet ’50-të.
Kjo nismë shumë e rëndësishme, e pagëzuar si FloodNorthALB (akronimi i projektit) synon t'i përgjigjet nevojave urgjente për menaxhimin kompleks të përmbytjeve dhe të ofrojë një përgjigje efektive shumëpalëshe, reduktim të rrezikut nga fatkeqësitë në rajonin shumë të cenueshëm të Shkodrës dhe zonën ndërkufitare midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. Synimi kryesor i projektit FloodNorthALB është të trajtojë përmbytjet komplekse në Rajonin e Shkodrës, që vuan rregullisht nga përmbytjet e rënda - në kufijtë me Malin e Zi dhe me pjesëmarrjen e autoriteteve kombëtare të mbrojtjes civile të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, me mbështetjen e partnerëve europianë nga Greqia, Qipro dhe Italia. Qarku i Shkodrës është një shembull karakteristik i zonës së ndjeshme ndaj rrezikut të përmbytjeve të rënda, në mënyrë të përsëritur, me një sistem kompleks për t'u përballuar.
Stërvitja, e cila parashikohet të mbahet në vitin 2025, tashmë ka hyrë në trajektoren e planifikimit të saj, me përfshirjen aktive të të gjitha vendeve partnere si Mali i Zi, Qipro, Greqia, Italia, aktorë të shoqërisë civile, nën lidershipin e AKMC-së, si element kyç për një ushtrim të suksesshëm në shkallë të plotë të këtij projekti. Qëllimi i FloodNorthALB është të përmirësojë gatishmërinë e mbrojtjes civile dhe aftësitë e reagimit të Shqipërisë në trajtimin e fatkeqësive të mëdha komplekse që kërkojnë koordinim të përbashkët reagimi, të lehtësuar nëpërmjet Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit.
Fokusi i partnerëve do të jetë në krijimin e kuadrit për ndarjen e kapaciteteve, aftësive. dhe burimet, vendimmarrja e mbështetjes shkencore (përmes përfshirjes së universiteteve si UET), testimi i mjeteve inovative dhe trajnimi/ushtrimi i përbashkët që mund të çojë në përmirësimin rrënjësor të procedurave të bashkëpunimit ndërkombëtar rajonal/ndërkufitar të UCPM. Qëllimi final është ndërtimi, përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së dhe vendeve fqinje, i një bazë të përbashkët koordinimi në lidhje me detyrat, procedurat dhe bashkëpunimin gjatë ndërhyrjeve ndërkombëtare të asistencës për mbrojtjen civile.