Finalistët e Olimpiadës së Ekonomiksit trajnohen për fazën ndërkombëtare. Nën kujdesin e Universitetit Europian të Tiranës dhe UET Center, pesëmbëdhjetë të rinj nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilët u shpallën fitues të raundit kombëtar, zhvilluan një trajnim dyditor për të thelluar njohuritë e deritanishme në fushën e ekonomisë dhe financave.
Organizata jofitimprurëse Economic Fundamentals Initiative, e cila mbështet zhvillimin e olimpiadës në shkollat e mesme të vendeve që janë partnere me të, e solli për herë të parë këtë boot camp në Durrës, për t’iu dhënë nxënësve fitues një shtysë më tepër për finalen ndërkombëtare në Athinë, ku do të zgjidhet ekonomisti më i mirë i ardhshëm. Përgjatë datave 11-12 qershor, ata morën seminare të plota, me koncepte të përmbledhura dhe shembuj praktikë nga profesorë të njohur amerikanë dhe shqiptarë.
“Ne duam t'i inkurajojmë ata për sa i përket asaj që kanë mësuar tashmë dhe t'u japim një shtytje pak më të lartë në nivelin e njohurive dhe përmbajtjes. Duam gjithashtu t'u japim besimin për të konkurruar me bashkëmoshatarët e tyre nga e gjithë Evropa, në nivelin më të lartë në Greqi”, shprehet Joseph P. Calhoun, profesor i ekonomisë në Universitetin Shtetëror të Floridës, njëkohësisht drejtues i Stavros Center për edukim ekonomik.
Ndjehet i impresionuar nga mikpritja dhe inkurajimi që gjeti në Shqipëri, por edhe shumë i kënaqur me finalistët e olimpiadës dhe nivelin e përgatitjes që kanë marrë nga shkollat, duke mos gjetur hendek të madh mes tyre dhe nxënësve të tij në Amerikë.
“Jam shumë i impresionuar me aftësitë e tyre në anglisht, në ekonomi dhe fusha të tjera. Ata përdornin terma ekonomikë mjaft të avancuar dhe po i kuptonin këto koncepte në një nivel shumë të lartë.”
Olimpiada e Ekonomiksit është një nga kompeticionet më të mëdha botërore. Ajo organizohet nga Economics Olympiad që prej 2016 dhe nga viti në vit po njeh një shtrirje dhe pjesëmarrje të gjerë të mbi 20 shteteve nga katër kontinente. Si partnere e saj, Economic Fundamentals Initiative po mbështet gjithashtu zhvillimin e kësaj olimpiade në vendet ku operon: në Ballkanin Perëndimor, Europën Lindore, Kaukazin Jugor dhe Azinë Qendrore.
Kjo ngjarje, e cila vjen për herë të parë në Shqipëri, u organizua gjatë muajit maj nga Universiteti Europian i Tiranës dhe UET Center. Në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut është viti i dytë që zhvillohet, përkatësisht nën kujdesin e Institutit Riinvest dhe Liberal Alternative Institute – LAI.
Një ditë para nisjes së trajnimit, EFI zhvilloi një takim me tre partnerët e Ballkanit Perëndimor (UET Center, Instituti Riinvest dhe Liberal Alternative Institute), të fokusuar në rritjen e edukimit ekonomik dhe financiar në rajon, nëpërmjet rishikimit të arritjeve të deritanishme dhe planifikimit strategjik për vitin 2025. U fol për tejkalimin e sfidave dhe ndërmarrjen e nismave të reja siç është krijimi i Shoqatës së Gazetarëve të Ballkanit Perëndimor, apo nisja e një projekti të ri për të mbështetur formimin profesional të mësuesve të ekonomisë.
Drejtuesja Ekzekutive e EFI-t, Eleanor Hammond thotë se qëllimi i organizatës është të sjellë kuptimin e ekonomisë dhe të kuptuarit e financave personale për sa më shumë njerëz në vendet ku operon. Aktualisht veprimtaria e saj shtrihet në 11 shtete: Armeni, Azerbajxhan, Gjeorgji, Kazakistan, Kosovë, Kirgistan, Maqedoni e Veriut, Shqipëri, Ukrainë dhe Uzbekistan. Bashkëpunimi me rajonin e Ballkanit Perëndimor do të zgjerohet në katër vende, pas firmosjes së fundi me Malin e Zi.
“Tani kemi partnerë në 11 vende. Ne mbështesim universitetet, think tanks dhe OJQ-të, për të ofruar programe të edukimit ekonomik dhe financiar”, thotë znj. Hammond. Tregon më tej për iniciativën e re që ka në fokus mësuesit e ekonomisë dhe formimin e tyre sa më të plotë, prej të cilëve do të përgatiten të rinjtë me edukimin e duhur ekonomik dhe financiar. “Po kërkojmë projekte për trajnimin e mësuesve që t’i ndihmojë ata ta bëjnë sa më emocionuese dhe tërheqëse lëndën e ekonomisë brenda klasave.”
Po ashtu, Hammond shprehet e ngazëllyer me ecurinë dhe interesimin që ka pasur Olimpiada e Ekonomiksit, pjesëmarrësit e së cilës kanë shkuar në 20 mijë. “Jemi krenarë që kemi mbështetur dhjetë vende këtë vit, përfshirë Shqipërinë për të marrë pjesë në konkurs”, shprehet znj. Hammond.
Olimpiada do të zhvillohet gjatë datave 1-4 shtator në kampusin prestigjioz të Akademisë Olimpike Ndërkombëtare në Olimpiadën e Lashtë në Athinë, vendlindjen e Lojërave Olimpike, duke simbolizuar kështu konkurrencën paqësore dhe miqësinë ndërkombëtare. Pesë finalistët e çdo shteti pjesëmarrës, pasi kanë kaluar raundet shkollore e kombëtare, do të përballen në raundin ndërkombëtar, prej të cilit do të dalë edhe ekonomisti më i mirë.
“Një nga gjërat që më pëlqen shumë është se bilanci vjen jo vetëm nga shkollat elitare urbane, por ne kemi fëmijë nga fshatrat. Për shumë nga fëmijët tanë që erdhën në Bratislavë vitin e kaluar, ishte hera e tyre e parë në aeroplan. Dhe të shohësh ata fëmijë të ulur me fëmijët kazakë, fëmijët armenë, që krahasojnë jetët e tyre, kjo i hap ata me botën, pavarësisht nëse fitojnë apo jo”, thotë presidenti i EFI-t, Randall K.Filer, i cili gjithashtu zhvilloi trajnime me nxënësit, së bashku me Visar Vokrrin nga Instituti Riinvest në Kosovë.
Kjo është hera e tretë për profesorin Filer që viziton Shqipërinë. Hera e parë ka qenë në vitin 1994, kur ishte pjesë e një delegacioni amerikan që u soll në Shqipëri nga kongresmeni Joe DioGuardi për të mësuar diçka mbi Shqipërinë e sapo hyrë në tranzicionin politik e ekonomik. Pesëmbëdhjetë vjet më pas u rikthye sërish si turist dhe bashkë me gruan e tij eksploruan vendin për gati tre javë. Tashmë si president i EFI-t, z. Filer vjen për të trajnuar fituesit e Olimpiadës. “Takova 14 fituesit nga ky rajon. Ata janë të rinj dhe të reja mbresëlënëse.”
Z. Filer thotë së nisma e Economic Fundamentals Initiative filloi kur i kërkuan të përkthente librin “Common Sense Economics”. Me shpërndarjen e librit përmes partnerëve, ata filluan të kërkonin gjëra të tjera të domosdoshme për edukimin në vendet e Evropës Lindore.
“Ne kemi ndërtuar këtë rrjet që ka në thelb promovimin e arsimimin ekonomik, mirëkuptimin ekonomik, jo midis ekonomistëve profesionistë, por midis popullatës së përgjithshme.”
Për këtë arsye edukimi i tyre nis me nxënësit e shkollave të mesme, e më pas me studentët, për t’i ndërgjegjësuar në kohë mbi lehtësirat e të qenit i informuar dhe i njohur me ekonominë. Edukimi i mirë ekonomik përmirëson jetën e gjithsecilit dhe shoqërinë ku ata bëjnë pjesë.