Ingenious

U promovua në UET revista “Ingenious 3” për inovacionin dixhital, Curraj- studentëve: Ju duhet t’iu ndryshoni mendësinë bizneseve

Shkruar nga Liberale

U promovua në UET revista “Ingenious 3” për inovacionin

Numri i radhës së revistës shkencore të Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, “Ingenious 3”, issue 2, i dedikohet dixhitalizimit. Promovimi i botimit të radhës me titull “Digital innovation, a driving force of change” u ralizua përmes një bashkëbisedimi mes dr. Erjon Curraj dhe studentëve, ndërsa pedagogët prezantuan gjetjet e tyre të punimeve shkencore.

“Perfeksioni vret novacionin. Kështu që filloni me minimumin e mundshëm që mund të ofroni”. Ishte kjo këshilla e sipërmarrësit dhe ekspertit të teknologjisë, dr. Erjon Curraj, në një bashkëbisedim me studentët në UET mbi teknologjinë dixhitale dhe adoptimin e saj në shoqërinë shqiptare. Sipas vëzhgimeve dhe studimeve të realizuara apo dhe nga eksperienca në terren, Curraj tha se sipërmarrësit e mesëm dhe të vegjël nuk investojnë në teknologjinë dixhitale, jo sepse nuk kanë mundësi financiare, por sepse i ndalon mendësia e tyre se ky investim nuk iu kthehet mbrapsht.

Ai theksoi se në këtë drejtim një punë e madhe iu takon universiteteve, për të përgatitur konsulentë në këtë fushë. “Ndryshimi i mendësisë është ajo që bën akademia sot, sepse punon me të rinjtë që bëhen konsulentë biznesi. Nëse nuk e bën akademia këtë gjë, nga sipërmarrësi mos prisni gjë. Sipërmarrësit sot nuk kanë besim te teknologjia. Do të jenë këta të rinj që do të promovojnë teknologjinë”

Ish-doktoranti i UET këshilloi studentët që të zhvillojnë detyrat e kurseve, Bachelor apo Master, sepse aty mund të marrin frymëzim për të krijuar ide sipërmarrjesh apo start up-e. “Ka qenë pikërisht punimi i doktoraturës, dixhitalizimi i SME-ve nxitja kryesore për të vazhduar rritjen”, tha ai, duke shtuar se dixhitalizimi nuk ka kuptim pa përfshirjen e të rinjve.

Ai sugjeroi që të ofrojnë edhe produkte teknologjike falas për biznese të njohura apo të panjohura, ku mund të shohin një potencial. Curraj tha më tej se nuk duhet të stepen duke menduar se nuk kanë eksperiencën e duhur për të ndërtuar diçka, apo nuk kanë reputacion. “Dikush që guxon dhe merr inciativën, perfeksionohet rrugës, fiton eksperiencë. Niset dhe krijohet reputacioni rrugës. Në këtë mënyrë ndryshoni mendësinë. Fillon të përshtatet mendësia e tij me teknologjinë, me dixhitalizimin”.

Dekania e Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, prof.asoc.dr. Teuta Xhindi solli disa të dhëna interesante nga botimi i Komisionit Europian ,“The Digital Economy and Society Index” për vitin 2022, duke bërë një krahasim të progresit të vendeve të BE-së në dixhitalizim dhe Shqipërisë, sipas të dhënave të INSTAT.

“Në BE të paktën 54% e individëve kanë aftësi bazë dixhitale. Në Shqipëri kjo e dhënë është 24%.  E dyta, çfarë ndodh me kompanitë shqiptare, me SME-të shqiptare? Në BE 55% e SME-ve kanë një nivel bazik në arkëtimin e teknologjive dixhitale, ndërkohë që një e dhënë e tillë në realitetin shqiptar mungon”, u shpreh Xhindi.

Duke u ndalur në këtë aspekt, Erion Curraj tha se BE synon deri në 2030 dixhitalizimin bazë duke e çuar shifrën nga 54% në 80%, ndërsa për bizneset e vogla dhe të mesme ta çojë adaptimin në 90%. “Vitet e fundit pranë KPT është implemetuar projekti Jean Monnet, që ka pasur si qëllim pikërisht promovimin e kësaj agjende dixhitale të BE 2020- 2030”. Pjesë e diskutimit ishte edhe kepqërdorimi i mediave sociale, të cilat po sjellin modele që përçajnë shoqërinë.

“Thirrja ime sot është aplikimi etik dhe gjithëpërfshirës i teknologjisë dhe novacionit. Përdorni teknologjinë, nëpërmjet projekteve, donacioneve duke sjellë risi në shoqërinë tonë”, tha Curraj.

Digital Innovation, a driving force of change

Revista “Ingenious” botuar në anglisht, është relativisht e re, duke qenë se edhe Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës (FIIA) është themeluar në 2018, por që siç theksoi dekania Xhindi nga ana numerike sot mban peshë të madhe. Ky botim sjell 6 artikuj shkencor, dy prej të cilëve u prezantuan në mënyrë të përmbledhur për studentët dhe kolegët.

U promovua në UET revista “Ingenious 3” për inovacionin


Në editorialin e revistës, dekania e FIIA, Teuta Xhindi, njëkohësisht kryeredaktore e revistës shkruan se sot shprehja "inovacion dixhital" është bërë sinonim i transformimit, duke revolucionarizuar mënyrën se si funksionojnë individët, bizneset dhe shoqëritë.

“Integrimi i teknologjive dixhitale në aspekte të ndryshme të jetës sonë jo vetëm që ka përshpejtuar ritmin e ndryshimit, por gjithashtu është shfaqur si një forcë e fuqishme lëvizëse që formëson të ardhmen”, thekson ajo, duke u ndaluar më tej edhe në fushat që impaktuar fuqishëm. Jo vetëm në biznes, por edhe në mjekësi, inovacioni dixhital po transformon kujdesin, diagnostikimin dhe trajtimin e pacientit.

Pikërisht në këtë fushë ishte fokusuar punimi i Msc. Amanda Kote, e cila shkaktoi kuriozitet me prezanzantimin e sistemit VitalVieë, për monitorimin e presionit të gjakut, krijuar me ndihmën e Inteligjencës Artificiale.

Ajo ngriti tezën se, “duke përdorur teknologjitë e reja, matjet e presionit të gjakut mund të monitorohen dhe mbahen nën kontroll, kostot mjekësore mund të reduktohen dhe një standard i krahasueshëm i kujdesit mund të garantohet nëpërmjet ndërveprimit të shpejtë me mjekun, këshillave të personalizuara dhe analizës së informacionit koherent dhe të fundit”.

Më tej ajo e cilësoi një revolucionarizim përdorimin e AI në monitorimin e presionit të gjakut, duke siguruar se testimi i sistemit do të zgjerohet dhe do të jetë objekt i studimeve të reja.

Dr. Urb. Gentian Kaprata solli në këtë botim pjesën e tretë të punimit, me temë: “Dinamikat demografike dhe karakteristikat e urbanizimit në Shqipërinë e dekadës e tretë të tranzicionit: hapat determinues në formësimin e modelit demografik-territorial të tranzicionit”.

Siç shpjegoi profesori, qëllimi i këtij punimi ka qenë të mbledhë të dhënat për lëvizjet demografike në dekadën e tretë të tranzicionit, dhe më pas t’i intepretojë ato për të kuptuar modelin e shpërndarjes demografike.

Sipas gjetjeve të tij, “faza e tretë e urbanizimit të Shqipërisë në tranzicion u formësua nga: migrimi i jashtëm; rënia në rritjen natyrore të popullsisë; dhe migrimi i brendshëm. Edhe pse Censi i popullsisë së Shqipërisë nuk ka dalë akoma, sipas të dhënave të INSTAT, gati gjysma e popullsisë që ka sot Shqipëria, është e përqendruar në kryeqytet. Sipas Kapratës, një fenomen të tillë e kanë kaluar shumë vende të zhvilluara dekada më parë, të lëvizjes së popullsisë drejt vendeve ku ishin fabikat apo vendet e punës. Kjo ka qenë edhe një arsye që vendet e përballura me këtë problem kanë çuar larg qendrës univëersitetet dhe shkollat.

Shqetësimi i radhës ishte diskutimi se si mund të përdoret teknologjia dhe çfarë formash duhen gjetur në mënyrë që të zbutet ky fenomen e njerëzve t’iu krijohen mundësi të reja në zona që tashmë po braktisen masivisht.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH