Si kanë ndryshuar universitetet më të mira në Evropë në dekadën e fundit dhe cilat vende evropiane po ecin mirë përsa i përket cilësisë së universiteteve?
Cila diplomë universitare i ndihmon të rinjtë të fitojnë më shumë para? Cilat janë universitetet më të mira në botë?
“Times Higher Education” vlerëson dhe publikon çdo vit renditjen e universiteteve në mbarë botën. Për Shqipërinë, në mungesë të një vlerësimi të universiteteve, është publikuar një artikull ku ndër të tjera shkruhet se “reformat e arsimit të lartë në Shqipëri kanë të bëjnë më shumë me kontrollin politik sesa me modernizimin”.
Në fakt, vështirë të bëhet dallimi mes një shkolle të mesme dhe një universiteti në Shqipëri, ku në të dyja institucionet të ketë një standard vlerësimi për nxënësin ose studentin, kritere të pranueshme për kërkimin shkencor, një rankim të vlefshëm për vetë universitetet dhe më pak akoma debati që zhvillohet brenda tyre të merret seriozisht nga qeveritë, shumica e deputetëve të të cilëve ngrenë kartonë e miratojnë ligje pa kuptuar se për çfarë votojnë, disa prej të cilëve zotërojnë grada shkencore por nuk gjejnë dot një dëshmitar që të provojnë se para “gradimit” kanë mbaruar gjimnazin.
Në vitin 2023, 36 nga 100 universitetet më të mira globale ishin në Evropë.
Kemi të bëjmë me një rritje e konsiderueshme nga 28 universitete që nga publikimi i raportit të "Times Higher Education Rankings World University 2011".
Megjithatë, kjo nuk është performanca më e mirë në 13 vitet e fundit, pasi vendet evropiane kishin 42 universitete në listën e “Top 100 Global në 2016”.
Përveç tre universiteteve britanike, përkatësisht Universiteti i Oksfordit, Universiteti i Kembrixhit dhe Kolegji Imperial të Londrës (ICL), vetëm ETH Zurich i Zvicrës është renditur në Top 10 në 13 vitet e fundit.
Renditja e universiteteve sipas “Times Higher Education” është një listë me reputacion botëror, e cila publikohet çdo vit dhe në vitin 2023 përfshinte 1799 universitete nga 104 vende e rajone.
Lista është bazuar në 13 tregues që matin performancën e një institucioni në katër fusha: mësimdhënie, kërkim shkencor, transferim njohurish dhe perspektivë ndërkombëtare.
Të qenit në “Top 10” shihet si diçka shumë prestigjoze për universitetet kudo në botë. Universitetet në Shtetet e Bashkuara dhe në Mbretërinë e Bashkuar dominojnë renditjen e “Top 10”.
Që nga viti 2011, vetëm 13 universitete të ndryshme kanë arritur të fitojnë një vend në renditjen e Top 10-shes botërore. Katër prej tyre ndodhen në Evropë, ndërsa nëntë të tjerët janë në SHBA.
Universiteti i Oksfordit rezultoi universiteti më i mirë në botë për të shtatën vit radhazi në renditjen e “2023 Times Higher Education”.
Universiteti i Kembrixhit ishte gjithashtu në “Top 10” për të gjithë atë periudhë kohore, ndërsa ICL arriti të qëndrojë në listë për 11 vjet.
ETH Zurich i Zvicrës u rendit në vendin e nëntë në 2016 dhe 2017, dhe në vendin e dhjetë në 2018.
Ndër institucionet amerikane të përmendura në Top 10 në këtë periudhë ishin Universiteti i Harvardit, Universiteti i Stanfordit, Instituti i Teknologjisë i Masaçusetsit (MIT), Instituti i Teknologjisë i Kalifornisë, Universiteti Princeton, Universiteti i Kalifornisë Berkeley, Universiteti Yale, Universiteti i Çikagos, dhe Universitetin e Pensilvanisë.
Cilat universitete janë më të mirët në Evropë?
Në renditjen e “Times 2023”, 15 universitete europiane u renditën në mesin e 50 institucioneve më të mira në botë kurse 36 ishin në 100-shen më të mirë.
Përveç Oksfordit, Kembrixhit, ICL dhe ETH Zyrih, përfshihen University College London (22), Universiteti i Edinburgut (29), Universiteti Teknik i Mynihut (30), LMU Munich (33), King's College London (35), Shkolla e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër (37), École Polytechnique Fédérale de Lausanne (41), KU Leuven (42), Universiteti i Heidelberg (43), Paris Sciences et Lettres - PSL Research University (47), dhe Instituti Karolinska (49).
Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Holanda, Zvicra dhe Franca kanë shtuar të paktën një universitet në Top 100 çdo vit që nga viti 2011.
Në total, vetëm 12 vende evropiane – ku përfshihen ato të BE-së, Britanisë së Madhe, Zvicra, Norvegjia dhe Turqia – kanë pasur një universitet në Top 100 të paktën një herë në këtë periudhë, dhe tre prej tyre, përkatësisht Irlanda (2011), Italia (2015), dhe Turqia (2015) e arritën këtë vetëm një herë.
Universitetet amerikane dominojnë në “Top 100”, duke filluar nga 53 institucione në 2011 në 34 në 2023.
Mesatarja vjetore në këtë periudhë ka qenë 42.7 universitete. Njëzet vende dhe territore kanë pasur universitete në “Top 100” të paktën një herë në 13 vitet e fundit.
Në vitin 2023, Kina dhe Australia kishin shtatë universitete në Top 100, ndërsa pesë ishin nga Hong Kong dhe katër nga Kanadaja.
Në vitin 2023, një ndër ngjarjet më të rëndësishme akademike është ngritja e Kinës. Në “Top 100” janë shtatë universitete nga Kina kontinentale, numri më i lartë për vendin aziatik, që nga viti 2011.
Kina nuk kishte më shumë se tre universitete në Top 100 deri në vitin 2020. Numri i universiteteve në Kinën kontinentale u rrit nga tre në shtatë midis 2019 dhe 2023. Janë gjithashtu pesë universitete të Hong Kong-ut që renditen në Top 100 këtë vit.
Universiteti Tsinghua (16) dhe Universiteti i Pekinit (17) janë institucionet e renditura më mirë nga Kina, duke arritur rezultate përkatësisht 88.2 dhe 88.1.
Rezultati i ICL, i cili u rendit në vendin e dhjetë këtë vit, është 90.4. Të dhënat tregojnë se këto dy universitete kineze po i afrohen potencialisht një përparimi në renditjen e “Top 10”.
Kina kohët e fundit kaloi gjithashtu SHBA-në, përsa i përket prodhimit në kërkim shkencor.
Kina publikoi 23.4 për qind të punimeve shkencore në botë midis 2018 dhe 2020, sipas një raporti të Institutit Kombëtar të Politikës së Shkencës dhe Teknologjisë të Japonisë (NISTEP).
Përgatiti: Liberale.al