Universitet

Elisa Spiropali: Ndiq Yllin!

Shkruar nga Liberale

Elisa Spiropali: Ndiq Yllin!

*Elisa Spiropali 

Ndjehem e privilegjuar për ftesën për të mbajtur fjalën e rastit në këtë ceremoni diplomimi, dhe të ndodhem mes jush, tigrave dhe luaneshave që pas pak do t’i vërsuleni botës dhe jetës për ta bërë atë më të butë dhe më të bukur, Shqipërinë më të mbarë dhe më të begatë, dhe veten më të ditur dhe më të pasur, siç do të thoshte Henri, Laerti, Roberti e të tjerë liberalë.

Ju të dashur djem dhe vajza, ju që sapo mbaruat studimet universitare dhe pas pak do të lini shkollën për t’u ndeshur me tallazet e jetës, ju jeni e ardhmja. Thonë se e ardhmja dhe e shkuara nuk ekzistojnë. Ekziston vetëm e tashmja. E kanë gabim! E tashmja nuk ekziston. E tashmja nuk është veçse e shkuara që kërcënon dhe e ardhmja që premton. Me të tashmen, me të shkuarën kërcënuese brenda, e ardhmja jeni ju: si e ardhme në embrion që pas pak do të marrë në duart frerët nuk është herët të interesoheni të dini që tani: çfarë sfidash ju presin; cilat punë do të kryeni; cilat lufta do të bëni; cilat fitore do të korrni; çfarë armësh do të përdorni; me çfarë baruti do t’i mbushni.

Tani ju jeni të qeshur, jeni optimistë dhe ashtu ju pafsha gjithmonë! Por që të vazhdoni të jeni entuziastë dhe të mos zhgënjeheni besoj e dini edhe vet, se tash e tutje do të kaloni më pak kohë mbi celular, laptop, tableta, rrjete sociale, dhe do të merreni më tepër me preokupime më serioze, sikur janë zbatimi i planeve për të ardhmen, fitimi i dijeve, grumbullimi dhe sistemimi i përvojave.

E ardhmja që keni përpara nuk do të jetë e thjeshtë, e sheshtë, rozë. Pa u trembur se po ju moralizoj, e larg qoftë demoralizoj, thjesht nga këqyrja pa drojë e realitetit, bazuar në përvojat e mia modeste, ju them pa hezitim se e ardhmja do të jetë ndonjëherë edhe pesimiste, edhe e zymtë, madje edhe dëshpëruese, përndryshe, pa qenë e tillë, veçse e padobishme për vetë ju dhe shoqërinë, nuk do të ishte as interesante, nuk do të ishte as e bukur. Në fund të fundit, një jetë që rrjedh e qetë, pa shqota dhe stuhira, e patrazuar nga asnjë e papritur, nuk është jetë, është gjumë.
Pas pak ju do të jeni më të zjarrtët, më luftarakët, më të paepurit.

Gjatë fëmijërisë, ju si unë dhe të gjithë, yje për të ndriçuar rrugën kishit mamin dhe babin, të cilët për çdo njeri janë i pari sistem diellor rreth të cilit vërtitemi. E nëse më lejohet të vazhdoj me familjen solare, motra e vëllai janë planetë, ndërsa pak më të largëtit, satelitë e sistemit diellor me të dy yjet, prindërit tuaj, që besoj sot janë këtu dhe i përshëndes të gjithë.

Në këtë mënyrë, familja përbën një galaktikë, sa të madhe dhe të pamjaftueshme, të cilën po e lini pas, për të depërtuar dhe për t’u ndeshur në botën e pafundme, me të tjera sisteme diellore, të tjera galaktika. Një gjë ua them me shumë dashamirësi. Për ju tigrat, luaneshat, për ju supernovat e zjarrta që pas pak do të pushtoni dhe nënshtroni galaktikat e afërta dhe të largëta, jap vetëm një këshillë: Ndiq yllin tënd, të tjerët të ndjekin yjet e tyre. Prej sot, duke ndjekur yllin tënd, bota jote do të zmadhohet frikshëm. Mos u frikëso, le të zmadhohet! Sa më tepër, aq më mirë. Ti në yllnajën tënde, të tjerët në galaktikat e veta. Sa më tepër yje dhe galaktika, aq më mirë dhe aq më e larmishme, dhe aq më e qëndrueshme bota dhe jeta.

Yll pas ylli, diell pas dielli, galaktikë pas galaktike, bëhesh më trim, më i fortë, më i pamposhtur.

Të gjithë të mëdhenjtë yllin kanë ndjekur. Homeri kishte yll Helenën; Helena kishte yll Kadarenë; Dante kishte yll Beatriçen; Unë dhe familja ime, si të gjithë, jemi një galaktikë e vogël, me tre yje, bashkë më mua që yll nuk jam, por luftoj të jem, bëjmë një sistem yjor me katër yje të vegjël. Secili yll ndjek tre të tjerët pa u ndalur, pa u lodhur, të katërt ndjekim njëri- tjetrin. Unë Naltën, Krenin, Sali labin, se ashtu quhet edhe ai imi. Nalta më ndjek mua, babanë. Të gjithë yjet ndjekin njëri-tjetrin, siç bëni edhe ju në familjet tuaja.

I madhi Lasgush gjithashtu ndoqi yllin. Jo një yll. Lasgushi si poet kishte disa yje. Duke ndjekur yjet, Lasgushit i iku jeta nga një aeroport në tjetrin, nga një qiell në tjetrin, duke ndjekur të dashurat e tij. Po të mos kishte ndjekur yjet, Lasgushi nuk do të kishte skalitur margaritarë dhe nuk do të kishte mbetur i pavdekshëm në shekuj.

Ashtu edhe ju, të dashur të diplomuar, si gjithë të mëdhenjtë, ndiqni yllin që mund të jetë: shoku, miku, i dashuri, e dashura, ëndrra, pasioni, vokacioni, talenti, profesioni. Yjet nuk ndiqen duke zbatuar rregulla. Ylli me rregulla nuk është yll, është zvarranik, është kërmill, është breshkë, është bretkosë. Yllin e ndjek pa kanune, pa rregulla, në mënyrë kaotike. Nuk thonë kot: nga kaosi lindin yjet.

Me drojën e madhe që kurrsesi të mos ua lodh kokën duke tingëlluar autoreferenciale, por gjithsesi me dëshirën për të ndarë diçka nga vetja ju them se në moshën 16-vjeçare u bë shkak një bursë gjimnazi në një nga kolegjet e botës së bashkuar, që fluturimi im të niste. Fluturimi fizik e kam fjalën, siç i thoni ju të mijëvjeçarit të ri, Tiranë- Vjenë- Frankfurt- Montreal- Vankuver- ishulli i Vankuverit, dy ditë udhëtim zhytur brenda një ëndrre për të ikur nga Shqipëria e vitit 1999, ku fitimi i një burse studimi konsiderohej fat i madh dhe lotari e rrallë. Kolegji kishte 200 nxënës, nga 80 vende të botës. Të gjithë ndryshe nga njëri-tjetri, jo vetëm nga prejardhja. Siç shkruante hyji Kadare, duke cituar Heraklitin: “Të zgjuarit janë bashkë në botë, kurse të fjetur janë veç”.

Më shumë se kombësia, prejardhja, gjendja socio-ekonomike, përkatësia fetare, orientimi seksual, vihet re se përkatësia në një nga këto kategori përcakton fatet e njerëzve. Të zgjuarit janë bashkë në botë, kurse të fjetur janë veç.

Vini re dhe do të më jepni të drejtë! Fluturimi im në Kanada dhe pastaj në SHBA për në universitet, nuk ishte pa andralla, nga ankthi i fitimit të bursës, pa mundur ta paguaj vetë, te vetmia e të përballuarit gjithçka fillikat, si shumë e shumë studentë shqiptarë nëpër botë, të duket sikur më e lehtë është të rrish aty ku je, të ecësh me këmbë në tokë, siç thotë një thënie që ia kanë mveshur popullit.

Por sa e mërzitshme do të ishte jeta pa andralla, pa ëndrra, pa zhgënjime, pa beteja, pa dëshpërime, pa fluturime. Mos bini rehat! Mbaroi ajo pjesë e jetës gjatë së cilës ju morët dhe ju dhatë. Filloi tjetra, kur para se të merrni duhet të jepni. Vetëm duke dhënë më tepër, do të ndizeni, do të ndriçoheni, do të digjeni, do të shkëlqeni.

Për të luftuar korrupsionin, thonë se SPAK ndjek paratë. Për ta begatuar Shqipërinë, ti ndiq yllin. Ndiq yllin dhe bota është e jotja!

Faleminderit dhe suksese të gjithëve!

*Fjala e ministres Elisa Spiropali në ceremoninë e diplomimit të studentëve të ciklit Bachelor të Universitetit Europian të Tiranës

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH