Pavarësisht betejës së humbur në selinë e PD-së, Sali Berisha nuk ndalet. Pasi ka mbyllur një tur disa mujor nëpër Shqipëri, ka lajmëruar nisjen e një të riu të dielën. E megjithëse ai kërkon të rindezë bazën e demokratëve nga Shkodra, skenari është tashmë i njohur dhe gjasat janë të pakta që mund të prodhojnë rezultatin e dëshiruar nga ish-kryeministri dhe mbështetësit e tij
Suadela Balliu
Ndonëse nuk arriti të merrte në kontroll fortesën e bluve, në protestën e 8 janarit, Sali Berisha i përjashtuar krejt nga Partia Demokratike nuk ka ndërmend të dorëzohet.
Ai njoftoi jo vetëm rikthimin në Kuvend, ndërsa siç kishte shpjeguar më herët i kishte munguar për shkak të angazhimit me nismën Foltorja, porse do të nisë një tjetër rrugëtim nëpër rrethe.
Turi i parë me disa ndalesa, që solli si rezultat mbledhjen e firmave të delegatëve, mbajtjen e Kuvendit të 11 dhjetorit, si edhe referendumin për shkarkimin e zotit Basha nga detyra e kryetarit të PD-së, nuk arriti të ndezë ndoshta skenarin e zotit Berisha, i cili me Komisionin e Rithemelimit synoi përgatitjen e strukturave për garën që do të zgjidhte një kryetar të ri, ndër kandidatët edhe ai, si një prej ish-liderëve historikë të partisë së djathtë.
Ajo që peshoi më shumë, sesa numrat në terren, në rastin e ish-kryeministrit, ishte retorika e ashpër ndaj kryedemokratit, të cilin e ka etiketuar si peng i kryeministrit Rama.
Megjithëse ajo e mbështetësve të Berishës u artikulua si përpjekje e demokratëve për të hyrë në shtëpinë e tyre, dyert e selisë blu ishin zor të depërtueshme, ndërsa kati i dytë u mbrojt deri edhe në përleshje mes demokratësh, të cilët pas asaj proteste e kanë thelluar pakthyeshëm hendekun ndarës mes dy kampeve.
Përballë lotëve të demokratëve, të ekspozuar para gazit lotsjellës për të cilën Policia e Shtetit nuk mori autorësinë, e për të cilin Berisha akuzoi ‘demokratët’ e Bashës, ish-kryetari i Partisë Demokratike u tërhoq, por jo pa lajmëruar se ishte vetëm fillimi i të pagëzuarit prej tij si Revolucion.
Me shkarkimin nga disa funksione brenda partisë, si kryetari i Këshillit Kombëtar, Sekretari i Komisionit për Çështjet e Sigurisë, kreu i Forumit Rinor të PD apo i Lidhjes së Gruas, mbështetësit e Berishës, njëherësh anëtarë të Komisionit të Rithemelimit, i dalë nga punimet e Kuvendit të 11 dhjetorit, patën fatin e Berishës, ndërsa Kryesia e vendosi t’i përjashtojë nga partia. Ironikisht disa prej mbështetësit e Berishës kanë qenë jo vetëm anëtarë të Kryesisë së Partisë Demokratike, por janë edhe deputetë të grupit parlamentar demokrat.
Tashmë, zoti Berisha i cili e cilësonte vendimin që kryetari Basha mori më 9 shtator si nul dhe pretendonte se vijonte të ishte deputet i grupit të PD-së, nuk do të jetë më i vetëm në sallën e Kuvendit.
Nëse ajo e 8 janarit mund të cilësohet si një betejë e humbur për Berishën – ndonëse u komentua si një humbje e madhe për demokratët që për të parën herë prej themelimit të PD-së e gjetën veten kundër njëri-tjetrit – ai duket se po përgatit një strategji të re për t’iu qasur edhe njëherë fortesës blu. Por kësaj here, jo me një sulm të frontal të radhës, por duke u përpjekur të rindezë edhe njëherë energjinë e demokratëve-mbështetës të tij me një nisje nga Shkodra. Jo vetëm si një qytet me një bazë domethënëse për demokratët, por edhe me një kryebashkiake ende në detyrë si Voltana Ademi, e rreshtuar hapur krah Berishës në Kuvendin e 11 dhjetorit.
Nga ana tjetër, Basha jo vetëm që arriti të mbajë selinë e Partisë Demokratike, bashkë me vulën e siglën që janë shndërruar në pikat më relevante në termat e kujt do të mbajë de facto e de jure partinë, por edhe arriti të konkretizojë katharsisin e shumëpërfolur prej tij kohët e fundit brenda partisë. Prej muajsh, në deklarata apo edhe fjalime në Kuvend, Basha kishte pohuar se mes llumit të tranizicionit dhe politikanëve të korruptuar, ishin edhe shumë nga qeverisja e shkuar e demokratëve. Basha premtonte se përmes Vetingut të Politikanëve do të pastrohej politika, duke mos kursyer as demokratët, ndër të cilët megjithëse në qeverisje atëkohë ai nuk bënte pjesë.
Qysh prej Kuvendit të 18 dhjetorit, Basha flet për të ardhmen e demokratëve, shpresën dhe bashkimin duke e ekspozuar Berishën si një mbetje bolshevike i cili përdor dhe fut demokratët në vëllavrasje për interesat e tij personalë.
Protesta e 8 janarit, ishte një tjetër evidencë për Bashën që t’u tregojë demokratëve se në fakt e ardhmja e PD-së është ai, i rizgjedhuri për tre mandate radhazi në krye e që është edhe një frymë ndryshe nga ajo e Berishës, me mbështetjen e hapur të amerikanëve.
Edhe zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Escobar dënoi dhunën si një formë jo e duhur për të marrë kontrollin e një partie, duke u bëre thirrje autoriteteve të ndjekin penalisht çdo person që është i përfshirë në dhunë politike.
Berisha dhe Basha u thirrën nga Prokuroria, ndërsa që prej 8 janarit ata akuzojnë njëri-tjetrin për bashkëpunim me kryeministrin Rama. Akuza këto që nuk u anashkaluan pa ironinë e vetë kreut të qeverisë. Po ashtu, secila palë akuzoi për grupe të strukturuara kriminale që u bënë pjesë e protestës, ndërsa Selia Blu publikoi edhe video duke etiketuar disa pjesëmarrës, si me precedentë penalë.
Berisha, i cili prej shtatorit po luan me data simbolike në lëvizjet e tij e gjeti veten – siç ndoshta nuk e kishte llogaritur kurrë – jashtë çdo lloj funksioni politik brenda partisë, ku ai qe një prej themeluesit. I kritikuar shpesh se kishte qenë nën ndikimin e fortë të ish-liderit, Basha më në fund i pohoi disa të vërteta e duke bërë bashkë me to një mea-culpa, sepse kishte mbrojtur më shumë interesat e Berishës se të tijat. Basha pranoi se djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale kishin qenë në fakt ide e vjetër e ish-kryeministrit e po ashtu pohoi se i vetmi sukses i tij elektoral, nga i cili doli si kryetar i Bashkisë Tiranë, erdhi pasi Berisha u la jashtë fushatës. Megjithatë, Berisha bëri të kundërtën. Ai i hodhi poshtë akuzat se Basha ishte zgjedhur me bekimin e tij për ta pasur pas dorëheqjes së 2013-s, duke thënë se ai u zgjodh në fakt nga strukturat e partisë. Pohim ky, që nga ana tjetër legjitimon rezultatet e zgjedhjeve të fundit, ku Basha doli fitues përballë tre kandidatëve të tjerë për kreun e PD-së.
Ndonëse gjasat pas betejës së parë, në godinën e Partisë Demokratike nuk qenë të favorshme për Berishën, ai nuk lë kohë që kjo të komentohej si humbje, duke ia nisur edhe njëherë nga rrethet. Megjithatë, në këtë pikë situata është më e polarizuar e ndoshta demokratët – ata të pandarë qartë në dy llogoret – janë edhe më skeptikë e të dëshpëruar.
Edhe njëherë Berisha luan me simbolikat, duke zgjedhur datën 22 mars, për mbajtjen e një tjetër Kuvendi Kombëtar të PD-së, ndërsa duket se turi i ri do të jetë i ngjashëm me Foltoren, pasi gjërat nuk shkuan sipas planeve me Komisionin e Rithemelimit që do të drejtonte partinë, deri në datën ku demokratët fituan për herë të parë në zgjedhjet parlamentare, tridhjetë vjet më parë.
Por çdo nisme të Berishës, Basha i përgjigjet me një kundërpeshë. Ashtu siç Këshilli Kombëtar u mblodh për të dalë me një rezolutë, e cila e cilësonte “nul” Kuvendin e Berishës e po ashtu vendimet e dala prej tij, Selia Blu ka njoftuar mbledhjen e Këshillit Kombëtar, që do të ketë në fokus vendimet e Kryesisë pas protestës së 8 janarit.
Tashmë që Berisha dhe mbështetësit e tij janë jashtë partisë, por njësoj të vendosur për ta marrë në kontroll PD-në e jo për të krijuar një parti të re, gjasat që kjo luftë të fitohet nga ai janë të vogla. E megjithëse ai kërkon të rindezë, përmes një turi të ri, skenari është tashmë i njohur. E megjithatë, nëse ka diçka që e karakterizon zoti Berisha, edhe në këto ditë të perëndimit pa shkëlqim të një politikani, është ajo shprehja e tij nga foltorja e Kuvendit, e bërë shpesh “meme”... “Ej, jam Sali Berisha unë, o budallenj!” Pavarësisht disfatës nga fortesa rishtas e blinduar e PD-së, pranë të të tetëdhjetave të tij ish-kryedemokrati nuk ndalet, ndonëse llogaritë nuk janë në favor të tij. /Gazeta Liberale