Shënime mbi romanin “Metamorfoza e një kryeqyteti” të Ylljet Aliçkës
Liridon Mulaj
Ekzistojnë tri të tashme sipas Shën Agostinit: E tashme e shkuar, e tashme e tashme dhe e tashme e ardhme. Tri kohë të cilat intensifikojnë raportin e njeriut me kohën dhe intervalin e saj brenda individit. Brenda kësaj kohe domosdo gjenden tre frekuencat e saj kryesore, të cilat në një farë mënyre na zgjojnë tre elementë të lidhur ngushtë me ne: kujtesën e së shkuarës, realitetin e së tashmes si dhe frikën e së ardhmes. Këto janë tre elemente të cilët kufizojnë njeriun në sinore të sakta dhe herë - herë të detyrura. Por, sërish mes këtyre tre kohëve, njëra funksionon ndryshe - e tashmja e shkuar. Ky fragment kohor shpesh bie pre e manipulimit, duke kushtëzuar dy kohët e tjera. Kjo mund të thuhet në rastet kur e shkuara e individit, përmban "njolla" dhe veprime jo të denja, të destinuara për të qenë përndjekëset e tij. Për këtë arsye, shpesh ajo e tashme e shkuar që kërcënon me të tashmen të tashme, shtrembërohet, manipulohet, luftohet. Tentativa për t'i shpëtuar kujtesës kolektive, në dëm të saj e për rrjedhojë të shoqërisë, është aksioni më i zelltë i shpurave që i kanë shërbyer diktatit, kryesisht nga radhët e shkallëve të fundit të kësaj strukture piramidale.
Ka një fashë individësh të cilët këtë manipulim e kanë kthyer në moton e jetës, të asaj të tashmeje e cila qëndron në zgrip të humnerës, të një humnere të afërt që është aty, kërcënuese dhe stoike, gati për të thëthithur. Këta individë janë ata të cilët jetuan lavditë e sistemeve totalitare dhe iu shërbyen atyre derisa këto struktura gjakatare u gjendën në grahmat e fundit, e më pas ndërruan lëkurën e tyre dhe iu përshfaqen shoqërisë si të pastruar nga një e keqe, sipas tyre e përbashkët; nga një vorbull fajesh e përfitimesh, të cilat krejt padrejtësisht e ndanë shoqërinë në “Ne” dhe “Ata”.
Në romanin “Metamorfoza e një kryeqyteti” të shkrimtarit Ylljet Aliçka, na shpaloset në mënyrë mjeshtërore ky fenomen i shndërrimeve njerëzore nga përndjekës në të përndjekur. Nga persekutorë në të persekutuar dhe himnizimi i shprehjes fatale: “Ashtu ishte koha”, si fleta e fundit e atij blloku që bashkon fatet dhe i përzien ata në vorbullën manipuluese të asaj kohe të mbrapshtë.
Fisi Bendo me poetin Benjamin, me diplomatin Vladimir, me Sadikun dhe Bejto Bendon, të pushkatuarin që nuk e zinte varri brenda pa i shkruar një letër lamtumire diktatorit e nga ku tragji-komikja na vjen e qartë dhe bajate, siç ishte ai sistem që prodhonte të tilla qënie të zhytura në paradoks. Romani është i shkruar më një mprehtësi të jashtëzakonshme ku hera-herës i lë vendin groteskut dhe dhimbjes, të shkrira aq natyrshëm në njëra-tjetrën, si pjesë të pandara të një kohe të pazakontë. “Diseksioni” me të cilin shkrimtari e kryen këtë proces të jep efektin e një shkrimi të qartë dhe "agresiv" kundër asaj shpure komuniste manipuluese. Një "akuzë" shpesh drejtuar dhe kategorisë së individëve të "ashtuquajtur" elitë, të cilët ishin përgjegjës për artin dhe kulturën e vendit, Lidhjes së Shkrimtarëve të cilët autori i etiketon pa asnjë drojë si leva të pushtetit. Nuancat e këtij "agresiviteti" shprehur krejt me objektivitet dhe qartësi, e rreshtojnë Ylljet Aliçkën përkrah atyre të paktë intelektualëve të cilët guxojnë nëpërmjet letërsisë të thonë pa dorashka të vërtetat e një kohe që, si dështim i njerëzimit, u shpall në mesin e Europës.
Letërsia bazohet mbi kënaqësitë estetike, por kjo kur ndërthuret me të vërteta historike e rrit misionin e saj dhe e shtyn atë drejt një lexuesi reflektiv, që lexon dhe mendon, që lexon e ndryshon dhe më pas kërkon nga rrethi të cilit i përket një realitet ndryshe, një mburojë për të mos lejuar dehumanizimin e qenies, si qëllim parësor i sistemit të shkuar.
Dhe sërish, atij lexuesi që nuk e ka jetur atë kohë, i kujton se e tashmja e tashme, nëse nuk jetohet me parimin se njeriu meriton të jetojë si i tillë vetëm nëpërmjet dashurisë, rrezikon që në të ardhmen të tentojë të manipulojë vetveten e nëpërmjet vetvetes edhe kohën e tij. Njeriu i përket kohës, dhe në mes të asaj kohe që i është dhënë në tokë, i mbetet atij e drejta e gjithashtu detyra që brenda metarmofozës së tij, të mos ketë vend për manipulim për të jetuar; në të kundërt është i destinuar të jetë instrument i ripërsëritjes së anës së errët të historisë, asaj historie që pjell diktatura për të mos i çrrënjosur kurrë. /Gazeta Liberale