Emrin e gjyqtarit italian Giovanni Falcone nuk e bëri të pavdekshëm vrasja më 23 maj të 1992-shit. E bëri guximi, mosnënshtrimi ndaj presioneve, ideali për drejtësi dhe për të ruajtur dinjitetin e çdo qytetari të thjeshtë. Emri i tij mbetet sot e kësaj dite model për ata që duan drejtësinë dhe luftojnë për të.
Jo më kot një biografi të Falkones e ka sjellë në shqip një gjyqtar. Engert Pëllumbi, gjyqtar në GJKKO, prej kohësh është emër i lakuar për shkak të vendimeve që ka dhënë ndaj personazheve të njohur të politikës shqiptare. Së fundi ai është sulmuar nga media të ndryshme që parashikojnë dhe paragjykojnë vendimet e tij.
Por Engert Pëllumbi është i njohur gjithashtu si shqipëruesi i librit “Giovanni Falcone, një hero i vetmuar”, botim i UETPRESS, me autore Maria Falconen (motra e Giovanni Falkone) dhe gazetaren e njohur Francesca Barra. Në parathënien e këtij libri, i cili sjell hollësi nga jeta personale dhe profesionale e magjistratit, që e ktheu në mision të jetës luftën ndaj mafies, gjyqtari Pëllumbi zbulon admirimin ndaj një figure të tillë gati heroike dhe simbol i drejtësisë.
“Përmes këtij personazhi real arrita të kuptoj përmasat e vërteta të detyrës që kisha nisur, ndikimin që ajo ka në themelet e shtetit, por edhe në qasjen e shoqërisë ndaj këtij të fundit”, shkruan ndër të tjera gjyqtari Pëllumbi.
Fjala e plotë e përkthyesit
Të flasësh për Giovanni Falcone është sa emocionuese, aq edhe e dëshiruar. Figura e tij, gati heroike, përcjell gjithnjë një ndjenjë admirimi për atë që ka zgjedhur të ushtrojë detyrën e bukur të magjistratit. Kjo është e natyrshme, pasi çdokush që e ka përqafuar me pasion profesionin e tij dhe vazhdon ta dashurojë atë ka nevojë për modele, ndonjëherë për figura që e kapërcejnë realitetin kohor dhe vleror në të cilin jeton, duke u afruar më tepër me atë mitik.
I tillë mendoj se ishte Giovanni Falcone, njeriu që jetën ia kushtoi ligjshmërisë dhe drejtësisë, por që edhe me vdekjen e tij u shërbeu këtyre idealeve.
Nëse do të kërkonim një përkufizim për Giovanni Falcone-n, atëherë nuk mund të gjenim më të mirë sesa përkufizimi që ai i ka bërë vetes, si “një shërbëtor i shtetit”.
Magjistrati Falcone, me përkushtimin e tij ndaj misionit të shenjtë të rivendosjes së drejtësisë në një tokë që lëngonte nga padrejtësitë ekonomike dhe shoqërore, të çlirimit prej prangave të nënshtrimit dhe nënçmimit nga kasta e bosëve të mafies, të rikthimit të ligjshmërisë dhe besimit tek institucionet, u bë simboli i njeriut që përfaqësonte shtetin, i pranisë së këtij të fundit në jetët e njerëzve të thjeshtë. Këtë e dëshmoi varrimi i tij, në të cilin turmat dhjetëra mijëshe të qytetarëve të ndershëm, të zemëruar për humbjen e flamurtarit të tyre të lirisë, kërkonin fajtorët. Disa syresh i kishin mes veti, me kurora zyrtare lulesh të mbushura përplot me hipokrizi. I akuzuan, i fërshëllyen, dhe në fund i përzunë. Martiri u takonte atyre. Ai kishte hequr dorë nga jeta e tij që ata të jetonin të lirë, me dinjitet, kishte refuzuar të bëhej baba që fëmijët e tyre të rriteshin të pakërcënuar nga askush dhe asgjë, kishte luftuar pa kompromis për triumfin e institucioneve që ato t’u shërbenin më pas.
Personaliteti i Giovanni Falcone-s më ka frymëzuar që në ditët e mia të para të prezantimit me të Drejtën, në auditorët e fakultetit të Drejtësisë. Formimin si jurist, që në krye të herës, nuk e kam parë thjesht dhe vetëm si një shkollim çfarëdo, por si një hallkë të domosdoshme lidhëse me një dimension më të madh, qenien magjistrat, një nga tri profesionet më të bukura në botë të cilat fillojnë me shkronjën “M”(1), sipas Roço Chinnici-t(2), apo “mënyra më e mirë për t’i shërbyer shoqërisë”, sipas Pietro Grasso-s.(3)
Sa më shumë thelloja njohuritë rreth jetës profesionale të Giovanni Falcone-s, por edhe të shumë magjistratëve të tjerë që kanë ndjekur të njëjtën rrugë me të, aq më tepër kuptoja rëndësinë dhe seriozitetin e shtegtimit që kisha nisur. Është një shtegtim i bukur, por me sakrifica të mëdha, sakrifica të cilat në fakt i japin shijen e vërtetë dhe kurorëzojnë “ndjenjën e shërbimit” ndaj të tjerëve.
Me kalimin e kohës, figura e Giovanni Falcone-s u bë për mua simboli i magjistratit, atij njeriu që për këtë detyrë kaq fisnike si dhe për dashurinë ndaj vendit të tij dhe njerëzve nuk do të kursente asgjë, as jetën. Përmes këtij personazhi real arrita të kuptoj përmasat e vërteta të detyrës që kisha nisur, ndikimin që ajo ka në themelet e shtetit, por edhe në qasjen e shoqërisë ndaj këtij të fundit. Sistemi i drejtësisë është porta e fundit ku trokasin qytetarët. E nëse rojtari i portës së ligjit i përngjan përshkrimit të Kafkës, atëherë shpresa ka vdekur dhe atë askush nuk mund ta ngjallë më.
Duke njohur Giovanni Falcone-n arrita të mësoj se, të japësh drejtësi nuk është thjesht një profesion, është shumë më tepër sesa një mision, është vokacion. I gjithë thelbi i raporteve ndërnjerëzore përmblidhet në konceptin e drejtësisë. Vënia në jetë e saj përbën boshtin e ekzistencës. Të japësh drejtësi është të dhurosh pa kërkuar asgjë në këmbim. Kjo ishte fabula e jetës së Giovanni-t. Ai ofroi të gjitha kapacitetet e tij intelektuale dhe morale si një shërbëtor i përulur i shtetit dhe në këmbim ishte ky padron që e tradhtoi, që e dorëzoi në duart e atyre nga të cilët deri dje Falcone e kishte mbrojtur. Çfarë paradoksi!
Janë këto arsyet që më shtynë të përktheja nga gjuha italiane librin “Giovanni Falcone, një hero i vetmuar”.
Ky libër më ra në dorë përpara pesë vitesh si një dhuratë e çmuar nga një mik dhe koleg i shtrenjtë. Duke qenë një biografi e detajuar e jetës personale dhe profesionale të heroit tim, e shkruar me një gjuhë të ëmbël dhe të ndjerë nga e motra, më lindi ideja që ta sillja në gjuhën shqipe. Qëllimi i vërtetë i shqipërimit të këtij libri nuk lidhet thjesht dhe vetëm me një vepër pasioni nga ana ime, por synon, që një figurë kaq emblematike të drejtësisë ta bëjë të njohur gjerësisht. Sigurisht që Giovanni Falcone njihet nga pjesa dërrmuese e magjistratëve në Shqipëri, megjithatë mendoj se nuk janë të shumtë ata që kanë pasur mundësi të hulumtojnë imtësisht në jetën dhe veprën e tij. Për këtë shkak, duke vlerësuar ndikimin sado të vogël që do të kishte njohja me jetën e një prej ikonave të drejtësisë, të vlerësuar edhe ndërkombëtarisht, e çmova të nevojshme për ta bërë sa më të lehtë qasjen ndaj tij.
Uroj që figura e Giovanni Falcone-s të jetë burim frymëzimi për shumë magjistratë dhe juristë të rinj, por jo vetëm. Shpresoj që mesazhi i tij të jetë i dobishëm edhe për të gjithë ata që janë edukuar me frymën e ligjshmërisë dhe të qytetarisë, të cilët mund të gjejnë në këto faqe forcën e duhur për të bërë pjesën që u takon si anëtarë të shoqërisë. (Tiranë, tetor 2022)
1. i referohet profesioneve: Mjek, Mësues dhe Magjistrat.
2. Magjistrat italian, Drejtues i Zyrës së Hetimit të Gjykatës së Palermos gjatë viteve 1979 – 1983 dhe ideator i “ekipit antimafie”, në të cilin bënte pjesë edhe Giovanni Falcone. I vrarë nga Cosa Nostra për shkak të hetimeve kundër saj, më 29 korrik 1983.
3. Magjistrat italian, ish-Kryeprokuror Antimafie i Italisë gjatë viteve 2005 – 2012. Ka qenë njëkohësisht edhe anëtar i trupit gjykues të Maksiprocesit kundër mafies në Palermo, i ngarkuar me detyrën e përpilimit të vendimit në shkallë të parë për këtë proces. Aktualisht është senator i Republikës së Italisë.