Krye

Studentja e UET: Unë jam Erasmus Addicted, po ti?

               Publikuar në : 08:58 - 21/09/20 liberale

Romela Qytyku: West University of Timisoara

Unë quhem Romela Qytyku, studente në Universitetin Europian të Tiranës. Momentalisht jam studente e Masterit Shkencor në Inxhinieri Informatike në UET. Ishte viti im i dytë i studimeve Bachelor kur mora guximin të aplikoja për një program shkëmbimi siç ishte Erasmus+. Kisha parë disa thirrje për Erasmus + në Poloni, Itali, Suedi, Letoni dhe Rumani dhe nuk e di pse dhe si, zgjodha Rumaninë. Ishte diçka që më tha “Shko në Rumani” dhe nuk jam penduar për zgjedhjen time. Studentët priren të shkojnë në vende të shtrenjta si Italia, Finlanda, Suedia, Italia, etj. por ata harrojnë se ka disa vende të tjera që ofrojnë të njëjtin nivel arsimor në një mënyrë më të lirë. Mendoni anën pozitive, do të keni më shumë para dhe më shumë udhëtime për të planifikuar.

Siç thashë më parë, unë dëgjova për herë të parë në lidhje me këtë program nga Zyra Erasmus + në universitetin tim dhe ishte shumë e lehtë të bëja aplikimin. Ajo çfarë ju duhet janë disa dokumente të tilla si: Lista e notave, CV, ID / Pasaportë, letër motivuese dhe letër referuese. Dokumenti më i rëndësishëm për të plotësuar është Learning Agreement, ky është dokumenti që do të ketë të gjitha lëndët që do të ndiqni në universitetin pritës dhe se si ato do të  ekuivalentohen me ato në universitetin tuaj. Ju duhet të keni vëmendje në kreditet e secilës lëndë që zgjidhni, në mënyrë që të mos kryeni lëndë shtesë kur të ktheheni nëse keni më pak kredite. Unë rekomandoj që të kërkoni ndihmë nga profesorët ose Shefi/ja i/e Departamentit tuaj. Shumë studentë më pyesin nëse notat ishin të rëndësishme për të aplikuar dhe fituar, po ato kanë një rol të rëndësishëm, por jo rolin kryesor. E vetmja gjë që ju duhej të tregoni është të jeni të gatshëm të merrni cdo gjë nga e gjithë kjo përvojë. Ju duhet të keni një “shpirt” aktiv, të guximshëm. Ju duhet të jeni social, dhe të gatshëm të dilni nga zona juaj e komfortit.

Erasmusi im në Timisoara

Udhëtimi im ishte pak i frikshëm dhe i sikletshëm sepse kisha bërë një mini-operacion 24h para udhëtimit. Kur arrita në Timisoara kisha gjithçka të organizuar. Ju merrni një email në momentin që pranoheni me të gjitha udhëzimet, ata më pyetën nëse dëshiroja të qëndroja në konvikt dhe nëse kisha nevojë për një Erasmus Buddy (është dikush nga universiteti pritës që do t’ju ndihmojë për çdo pyetje ose nevojë për ndihmë që ju mund të keni keni). Ata më rezervuan një vend në konvikt. Duhej ta ndaja me një student tjetër. Paguaja vetëm 32 euro / muaj gjithçka që përfshire(internet, uje&drita) dhe ishte vetëm 5 minuta nga universiteti. Nëse dëshironi të keni një apartament dhe ta ndani atë me dikë tjetër, kostoja e tij ishte afërsisht 150-300 euro.

Më pajisën me një kartë studentore e cila më ndihmoi të udhëtoj falas me tren në të gjithë vendin, të kem zbritje për muze, teatro ose aktivitete të tjera. Gjithashtu u abonova me kartë studentore Erasmus e cila kishte shumë zbritje në disa fluturime, hotele dhe gjëra të tjera me qira që studentët i blejnë ose i marrin me qira për të udhëtuar ose studiuar; kjo kartë kushtoi 10 euro. Unë rekomandoj që të merrni pjesë në të gjitha aktivitetet e ESN (Rrjeti Studentor Erasmus), sepse është mënyra më e mirë për të gjetur miq më lehtë dhe për t’u argëtuar shumë. Anglishtja ime u përmirësua vetëm duke qenë aktive në aktivitetet e tyre. Kam shumë miq të rinj me të cilët ende kam kontakte. Po planifikojmë gjithashtu që së shpejti të kemi një ribashkim.

Shumë njerëz më pyetën nëse paratë janë të mjaftueshme. Epo kjo varet se si i shpenzoni paratë tuaja. Kam marrë 750 euro / muaj dhe  80% të gjithë shumës së parave prej 5 muajsh e mora që në fillim. Kam udhëtuar shumë, kam vizituar 7 shtete. Shijova cdo sekondë, bleva shumë gjëra, shkova në party (nuk pi alkool dhe nuk pi duhan), por sipas miqve të mi të gjitha këto gjëra ishin mjaft të lira. Ata kishin UBER që është i ngjashëm me Taxi por më i lirë dhe mund të paguaje një shumë shumë të vogël parash për të shkuar në qendra tregtare apo klube. Nuk e dija për këtë kur mbërrita për herë të parë, kështu që paguaja 10 euro për Taksinë nga Aeroporti në qendër të Qytetit qe zgjati diku 30min. Unë mund të kisha paguar 6-7 ose më pak nëse do kisha marr Uber. Kostot e mia mesatare për një muaj ishin 200-300 euro. Bleva disa enë gatimi për të gatuar, sepse konvikti kishte një kuzhinë të përbashkët me të gjitha pajisjet e nevojshme në secilin kat të konviktit. Kam ngrënë edhe në mensa, një vakt i plotë ishte për 2.5 – 4 euro (supë, sallatë dhe pjata e parë). Unë dhe të gjithe adhuronim SHAORMA nga kjo ndërruam edhe emrin e qytetit, ku nga  Timisoara në TimiShaorma. Duhet ta provoni !!

Tani le të flasim për universitetin. Të gjithë profesorët ishin të kuptueshëm. Ata më ndihmuan me gjithçka që kisha nevojë. Në Timisoara studentët mund të zgjedhin nëse duan të studiojnë në anglisht ose rumunisht, kështu që ishte e lehtë për mua të isha në klasa me studentë të tjerë, pavarësisht atyre të Erasmus +. Profesorët i zhvillonin lëndët në mënyrë shumë praktike dhe nga kjo ishte shumë e lehtë t’i kapja mësimet shumë shpejt dhe mora 10 si notë finale në të gjitha lëndët. Kur u ktheva më duhej të zhvilloja 1 provim shtesë sepse nuk mora mjaft kredite për faktin se lashë një lëndë që ishte më e avancuar për degën time. Komunikova me profesorin tim të universitetit në Shqiperi bashkë me koordinatoren e zyrës Erasmus dhe ata nga universiteti pritës në Timisoara ku gjithçka u zgjidh. Pra, PO, ju mund ta ndryshoni Learning Agreement vetëm në 2 javët e para të vitit akademik. Kur të ktheheni në shtëpi, thjesht  duhet të shkoni në zyrën e Erasmus + dhe ata do t’ju tregojnë se si të veproni. KUJDESUNI për LEARNING AGREEMENT. Ky është dokumenti që do të konvertojë lëndët dhe notat tuaja nga universiteti pritës në universitetin tuaj të origjinës.

Mos harroni të shijoni çdo moment të përvojës tuaj, mos u përqëndroni vetëm në studimet tuaja por gjeni kohë për të udhëtuar dhe për të bërë miq, sepse këto janë momentet që ju do të mbani mend gjithmonë. Dhe më besoni mua apo dhe të tjerët kur thoni: “Njëherë Erasmus, Gjithmonë Erasmus”

I am Erasmus addicted, so JOIN this addiction club now! /Gazeta Liberale

 

 

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back