Aktualitet

Stoku 1.87 miliardë euro, pse investitorët e huaj më të mëdhenj në Shqipëri vijnë nga Holanda

Shkruar nga Liberale
Stoku 1.87 miliardë euro, pse investitorët e huaj më të

Investimet holandeze vitin e kaluar arritën vlerën e 219 milionë eurove, ose 16% të fluksit total të investimeve të huaja në vendin tonë, sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë.

Ndonëse investimet e kompanive me aksionerë holandezë pësuan rënie me 7.6% krahasuar me një vit më parë, Holanda mbetet investitori me ecurinë më të qëndrueshme mes investitorëve të huaj në ekonominë shqiptare. Stoku i investimeve holandeze arriti rreth 1.87 miliardë euro, duke u rritur me 19.8% krahasuar me një vit më parë.

Kryesimi i investimeve holandeze në vitet e fundit lidhet shumë me faktin se Holanda është një nga vendet e preferuara në Europë për të regjistruar kompani holding, me qëllim kontrollin e investimeve ndërkombëtare të grupeve të ndryshme të biznesit.

Holanda është një juridiksion i preferuar për regjistrimin e shoqërive holding, sepse ajo ka një rrjet të gjerë të marrëveshjeve me vende të tjera të Botës për shmangien e tatimit të dyfishtë. Holanda është një vend i preferuar për regjistrimin e kompanive është sepse legjislacioni i atjeshëm garanton një shkallë të lartë konfidencialiteti lidhur me pronësinë e aksioneve mbi një kompani dhe për këtë arsye, disa prej kompanive që kanë fituar kontrata koncesionare në Shqipëri rezultojnë të regjistruara në Holandë.

Me përjashtim të pak rasteve të veçanta, shumica e investimeve holandeze i takojnë në mënyrë të tërthortë investitorëve nga vende të tjerë. Disa prej kompanive më të rëndësishme me aksionerë të regjistruar në Holandë janë Devoll Hydropower, Vodafone Albania, American Hospital, Karavasta Solar, etj.

Italia ishte investitori i dytë më i madh për vitin 2022, me një fluks total prej 136 milionë eurosh. Investimet italiane pësuan rënie me 4.2% krahasuar me një vit më parë. Stoku i investimeve italiane ka arritur tashmë në 1.2 miliardë euro, në rritje me 20% krahasuar me një vit më parë.

Investitori i tretë më i madh për vitin e kaluar vit ishte Gjermania, me një fluks investimesh të reja prej 91 milionë eurosh. Investimet gjermane janë rritur me 107% krahasuar me një vit më parë.

Investitorë të rëndësishëm gjermanë në Shqipëri janë të pranishëm në tregun bankar. Të matura si stok, investimet gjermane kanë arritur në 311 milionë euro, 50% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Investitori i katërt më i madh i huaj për vitin e kaluar ishte Austria, me një total investimesh prej 82 milionë eurosh, në rritje e lehtë me 18% krahasuar me një vit më parë. Stoku i investimeve austriake arriti në 710 milionë euro, në rritje me 12.3% gjatë vitit 2022.

Investitori i pestë më i madh i huaj në Shqipëri vitin e kaluar u rendit Kosova, me 63 milionë euro, në rritje me 54% krahasuar me një vit më parë. Stoku i investimeve kosovare ka arritur në 212 milionë euro, në rritje me 53% gjatë vitit të kaluar.

Të tjera shtete që kanë vlera të rëndësishme investimesh në Shqipëri janë të mbuluara nga detyrimet konfidencialitetit në legjislacionin për statistikat zyrtare siç është regjistruar kompania që kontrollon Bankers Petroleum Albania. Megjithëse ajo është blerë nga një kompani kineze, transaksioni është realizuar në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet kontrollit të kompanisë mëmë në Kanada. Për këtë arsye, teknikisht Bankers Petroleum klasifikohet ende si një kompani kanadeze dhe të dhënat mbi investimet kanadeze janë të disponueshme vetëm për stokun e tyre, që sipas Bankës së Shqipërisë në fund të vitit 2022 arriti në 1.45 miliardë euro, në rritje me 20% krahasuar me një vit më parë. Stoku i investimeve hungareze në fund të vitit 2022 arriti në 295 milionë euro, 159% më shumë krahasuar me një vit më parë. Ndërsa stoku i investimeve bullgare (në pjesën më të madhe të kontrolluara tërthorazi po nga 4iG) në fund të vitit të kaluar arriti në 716 milionë euro.

 

Liberale Newsroom

A ishin zgjedhjet e 11 majit 2025 një farsë elektorale, siç pretendon opozita?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH