Aktualitet

Sot dita e dytë e Samitit të Diasporës, mungon sërish Albin Kurti. Porosia e Begajt: Mësojuani fëmijëve gjuhën shqipe

Shkruar nga Liberale

Po zhvillohet këtë të enjte në Pallatin e Kongreseve, dita e dytë e Samitit III të Diasporës. Të pranishëm janë përfaqësues të lartë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe mbi 2 mijë bashkatdhetarë nga diaspora.

Ndonëse ishte parashikuar të merrte pjesë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mungoi, ndërsa e pranishme është presidentja Vjosa Osmani.

Në fjalën e tij, presidenti Bajram Begaj tha se nuk duhet harruar gjuha shqipe dhe se prindërit duhet të kenë rol parësor për të përcjellë gjuhën shqipe tek të gjithë ata fëmijë që jetojnë në trevat shqiptare apo në botë.

"Shqipëria është një vend i vogël, por ju i keni dhënë një shtrirje globale shumë më të madhe se përmasat e saj. Sot qindra e mijëra shqiptarë të diasporës janë shndërruar në histori suksesi, promotorë të kulturës dhe identiteti tonë, kartëvizita e shqiptarisë në botë. Në rrugën tuaj të mbushur me sakrifica se keni harruar kurrë Shqipërinë. Shqipëria nuk e ka luksin ta neglizhojë diasporën, s’duhet ta shohim si pjesë të shkëputur, por si zgjatim të identitetet tonë. Vendi ynë vetëm ka përfituar nga bijtë e saj jashtë. Kemi akoma shumë për të bërë. Do mbështes punën për shpërndajnë e librave shqip, por kjo nuk mjafton, fëmijët duhet të kenë më shumë mundësi për të mësuar shqip. Përdorimi i gjuhës shqipe s’mund të bëhet me urdhër. Roli i prindërve në përcjelljen e gjuhës shqipe është parësor. Mësimi i gjuhës shqipe duhet të jenë prioritet që na bashkojnë", u shpreh Begaj.

Ministri i Jashtëm Igli Hasani theksoi se Diaspora ka rol të pazëvendësueshëm në avancimin e kauzës kombëtare, ndërsa u shpreh se jemi borxhlinj ndaj shqiptarëve jashtë kufijve.

"S’ka mesazh më të bukur bashkimi se kjo sallë e mbushur plot, kjo mbledhje e shqiptarëve nga mbarë rajoni e bota. Ky samit vjen në një moment kur në shqiptarët më shumë se kurrë kemi arsye të ndihemi mirë me atë çfarë kemi arritur. Kemi shumë për të bërë së bashku për ti çuar më tej e zhvilluar vendet tona, për të konsoliduar ato që kemi arritur. Ajo që mund të bëjë Shqipëria e vetme, Kosova e vetme, vëllezërit në Maqedoni e Mal të Zi, është fare pak krahasuar me atë se çfarë mund të arrijmë të gjithë së bashku. Ky samit është një moment për të forma konkret bashkëpunimi. Sfida është se si të përkthejmë në nisma konkrete atë dëshirë dhe pasion që na bashkon për kombin", u shpreh Hasani.

Pjesë nga axhenda

10:10 - Z. Igli Hasani- Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme

10:20 - Z. Bajram Begaj – President i Republikës së Shqipërisë

10:50 - Znj.Vjosa Osmani-Sadriu - Presidente e Republikës së Kosovës

11:00 - Z Ali Ahmeti – Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim

11:05 - Z. Nik Gjeloshaj - zv/Kryeministër për Politikat Ekonomike dhe Ministër i Zhvillimit Ekonomik i Malit të Zi

11:10 - Z. Shqiprim Arifi - Kryetar i Komunës Preshevë/Kryetar i partisë Alternativa për Ndryshim

11:15 - Z. Mark Gjonaj - Kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës, SHBA

11:20 - Z. Edi Rama – Kryeministër i Republikës së Shqipërisë

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH