Sociale

VËZHGIM në vigjilje të Vitit të Ri: Ushqime me listë në Vlorë

Shkruar nga Liberale

VËZHGIM në vigjilje të Vitit të Ri: Ushqime me listë

Sipas shifeave zyrtare 1 në pesë shqiptarë është i varfër ose rreth 500 mijë ka të tillë Shqipëria. Varfëria është prezente në shumë familje shqiptare, aq sa në Vlorë, një pjesë e madhe e tyre çdo muaj marrin ushqime veresie, ose ndryshe borxh.

Dyqanet ushqimore në disa lagje të Vlorës prej kohësh sipas një vëzhgimi nga Euronews Albania punojnë me lista të pa paguara, kryesisht nga pensionistët. Në lagjen “24 Maji” në marketin e lagjes borxhet e familjeve të ndryshme e kanë kaluar shifrën e 300 mijë lekëve, duke krijuar edhe një ngërç për menaxhimin e biznesit.

“Këtu janë kaq fukarallëk sa nuk ka ku të vësh më. Jo një, por mund të shikosh sa emra kam të shkruar në fletore dhe sa marrin me listë këtu. Shikoje tani, 354 mijë lekë ka vetëm një shtëpi. Kush do t’ia japë? Pret kur t’i sjellë! 72 mijë lekë ka tjetri, i kam të gjithë të regjistruar sipas emrave të tyre. Disa i kam fshirë pasi ua japin. Kur ua dërgojnë fëmijët nga jashtë ua japin. Madje ata janë dy pleq, kanë arritur 354 mijë lekë. Më tha i biri në telefon: ‘Nuk kam mundësi tani t’i sjell, muajin tjetër’. ‘Pa merak’, i thash! Por kjo punë është e përditshme. Sa marrin rrogat, gjysmën e 15-ditëshit, pastaj gjysmën e muajt tjetër marrin me listë”, Hatixhe Rakipi, administratore biznesi.

Kjo situatë është edhe në lagjen “Kushtrimi” në Vlorë ku banorët marrin veresie kryesisht produktet e shportës. Lista në njërin prej bizneseve të kësaj zone shtohet gjatë sezonit të festave tregon adimistratorja e marketit.

“Është e vërtetë që marrin borxhe, të gjithë njerëzit marrin. Ushqimore marrin më shumë, ilaçe për të larë enët, për të larë rrobat. Këtu furnizim kemi edhe ne, dhe këtu kërkojnë. Ndonjë pulë, ndonjë kilë sallam, një bidon qumësht, vetëm ushqimore. Ne jemi të detyruar sepse na vjen keq, sepse kur tjetri nuk ka… kur kërkon ushqime nuk ke si t’i thuash: ‘Jo, nuk të jap’. Ka që vënë edhe 100 mijë lekë, 10 mijë lekë, 50 mijë lekë. Ata që vijnë marrin me borxh janë banorë të lagjes, persona që ne i njohim. Nuk kemi pasur shqetësime që nuk i bien borxhet, por i bien. Ka shumë fare varfëri, sidomos tani që është Viti i Ri, marrin shumë fare, shtohet lista”,-tha Margarita Dervishaj, administratore biznesi.

Pragu i të ardhurave që ndan varfërinë është 740 lekë në ditë ose 22 200 lekë në muaj. Një pjesë e madhe e familjeve në Vlorë jetojnë poshtë këtij pragu dhe rrjedhimisht konsiderohen të varfër.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH