80 vjet më parë, më 17 nëntor 1944, Tirana u çlirua nga ushtria gjermane në Luftën e Dytë Botërore. Çlirimi i Tiranës është një moment historik dhe konsiderohet si një nga operacionet më të rëndësishme dhe të suksesshme që kanë zhvilluar njësitë e UNÇSH kundër forcave gjermane e bashkëpunëtorëve të tyre për çlirimin e qyteteve të Shqipërisë.
Çlirimi i kryeqytetit iu ngarkua Korporatës së I Sulmuese, përmes një plani operativo-strategjik të Komandës së Përgjithshme që parashikonte krijimin e frontit të brendshëm dhe të jashtëm me qëllim mbylljen dhe goditjen e garnizonit gjerman brenda Tiranës.
Operacioni u zhvillua në tri faza: faza përgatitore (12 shtator – 28 tetor), faza e parë e sulmit (29 tetor – 10 nëntor) dhe faza e sulmit përfundimtar (11 – 17 nëntor).
Operacioni i mësymjes për çlirimin e Tiranës përfundoi me fitore, pas 19 ditë luftimesh të ashpra brenda në qytet, si dhe gjatë rrugëve të komunikacionit që çonin drejt tij. Më 17 nëntor Tirana u çlirua. Rol të veçantë për suksesin e operacionit luajti beteja e Mushqetasë.