Sociale

Përmbytjet “apokaliptike”/ Pedagogia shqiptare në Dubai: Qielli u bë jeshil nga stuhia, u krijuan 'liqene' nga reshjet 

Shkruar nga Liberale

Përmbytjet “apokaliptike”/ Pedagogia shqiptare në Dubai:

Pedagogia shqiptare në Dubai, Ajrina Hysaj, ka treguar situatën e përmbytjeve të ditëve të fundit atje, ku stuhi dhe shira të shumtë kanë “mbërthyer” vendin.

Ajrina Hysaj e cila jeton prej 25 vitesh në Dubai tha se stuhia e ndodhur gjatë dy ditëve ka shkaktuar shkatërrime në ndërtesat e reja që janë duke u ndërtuar.

“Kjo filloi të martën dhe korrenti është ndërprerë në disa zona në Dubai sidomos në zonat që kanë këto vilat më të hershme, se pallatet si i joni janë shumë më të sofistikuar. Janë bërë për ti rezistuar shiut se këto ndryshime klimaterike dhe krijimi i shiut ka vite që ndodh në Dubai, nuk është gjë që ka ndodhur sot”.

“Rreth e qark nesh nuk ka pasur përmbytje. Ka pasur shkatërrime. Pas nesh këto ndërtesat që po ndërtohen, janë krijuar mini-liqene, në hapjet e themeleve të tyre. Ato duken si mini-liqene. themelet e një pallati të madh që po ndërtohen duken si liqeni i Tiranës”,-tha ajo.

E ftuar në emisionin “Good Morning Albanians” në Euronews, Hysaj tha se ditën e martë, kur edhe nisi stuhia, qytetarët ishin paralajmëruar dhe shumica e tyre ndodheshin në shtëpi.

Ajo tha se ajo ditë ishte tejet e frikshme, pasi sipas saj, qielli u bë jeshil dhe stuhia ishte tepër e fortë, një stuhi që Hysaj nuk e kishte parë ndonjëherë. - “Situata është e vërtetë, në zona të ndryshme është përjetuar në mënyra të ndryshme. Këtu ku jemi ne, ne nuk kemi pasur asnjë problem, por kemi parë gjithçka që ka ndodhur. Kemi parë qiellin jeshil, kemi parë shiun, kemi parë një stuhi të frikshme.

“Ne në Shqipëri kemi shi, por këtë stuhi të frikshme nuk e kisha parë ndonjëherë. Kishte ditë në fakt që qeveria këtu thoshte që do të ketë reshje dhe stuhi. Shkollat ishin të mbyllura pas të hënës. Kjo stuhi nisi në Oman, ku vdiqën disa njerëz”.

“Ne të martën ishim në shtëpi. Ka ditë që në Dubai qielli është i errët. Jo ditë, por ka muaj edhe më shumë. Kjo mund të jetë nga retë. Kanë qenë re të dendura. Këtu është freskuar shumë në fakt”, tha Hysaj.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH