Yrmeri, një qytetar i thjeshtë që vjen nga një fshat i Tiranës, rrëfen jetën e tij të pazakontë. Ai tregon për historin e jetës së tij, jo pak të lehtë. Në jetën e tij modeste, ai ka zgjedhur mos të ketë as makinën, biçikletën apo motorin, por një karrocë të thjeshtë dhe dy kuajt e tij.
Sot në “Real People”, në Euronews Albania, 48-vjeçari tregon mbi ditën e tij të cilën e nis që në orët e para të mëngjesit për të shitur qumësht. Një rutinë kjo të cilën e vazhdon duke mos bërë asnjë ditë pushim. Më tej Yrmeri tregon pasionin e tij për kuajt.
“Unë dal nga shtëpia që në 5:30 në mëngjes dhe e mbyll në 9 të darkës. Nuk bëj asnjë ditë pushim, as të dielën. Kuajt më kanë pëlqyer gjithmonë. Kam hipur që në moshën 7 vjeç për herë të parë. Kjo karrocë ka 20 vite”, tha ai.
Yrmeri u ndal në dy prej sfidave të mëdha të jetës më të cilat i është dashur të përballet. Ai rrëfen se ka humbur babain vetëm dy vite më parë për shkak se qëlloi veten me armë gjahu. Ndërsa 8 vite me parë humbi djalin e tij në një moshë farë të re, vetëm 20 vjeç.
“Babai këtu ku jam unë e kishte shtëpinë. Jam djal i vetëm, kam dhe tre motra të martuara. Babai ka dy vjet që ka ndërruar jetë. Atë natën kisha ditëlindjen e gocës që është 7 vjeçe sot. Hëngrëm, pimë, më pas ai ka ikur në dhomën e tij, mori armën e gjahut dhe vrau veten.
Nuk dyshova në asnjë moment për asgjë sepse ishte i qetë dhe nuk ka pasur asnjëlloj shqtësimi. As të tjerët nuk kuptuan asgjë. Ishte festa e fundit. Atë ditë e ka mbajtur gjithë ditën në krah gocën time dhe i thoshte: “Hajde të gjyshi”.
Para 8 vitësh ishte një gjë akoma më e rëndë për mua. Më vdiq djali 20 vjeç, e zuri korenti. Djali e ka pasur emrin e gjyshit Muharrem por e therrisnim Eni”, u shpreh Yrmeri.