Intervistoi: Aranit Muraçi
Bota sot duket sikur po shkon drejt një lufte të tretë të madhe. Nga lufta për mbijetesë e kombeve të tjera nuk është e vështirë për të kuptuar se sa e çmuar dhe e shenjtë është liria. Kombi shqiptar historikisht iu ka mbijetuar pushtimeve të shumta ndër shekuj falë qendrestarëve, luftëtarëve dhe heronjve të cilët u sakrifikuan për liri. Për lirinë aq të çmuar që gëzojmë ne, shqiptarët sot, kudo ku jetojmë.
Ndër dëshmorët që ranë për çlirimin e trojeve shqiptare është Lefter Koxhaj i njohur si komandant Teli i UÇK-së. Këtë javë mbushen 24 vite, kur në Shkup mbetën të vrarë brenda një banese në rrethana të dyshimta dhe ende të pasqaruara, të helmuar para se të vriteshin me nga një plumb në kokë 5 heronj të UÇK-së; 3 shqiptarë nga Shqipëria dhe dy nga Maqedonia e Veriut. Komandant Teli la dy fëmijë të mitur, por para se të vritej, la edhe një letër si amanet për vajzën e tij.
Në rrëfimin e javës, LIBERALE intervistoi vajzën e Komandant Telit. Rexhina Myrta tregon historinë e saj, amanetin që i la babai. Edhe pse, ashtu si i vëllai i saj një vit më i vogël, ajo nuk arrin dot të kujtojë se mund të ketë shqiptuar qoftë edhe një herë të vetme fjalën "baba", e megjithatë, e rritur me dashurinë dhe sakrificën e nënës dhe me krenarinë e guximin që i la trashëgimi i ati, Rexhina shprehet me bindje sot se, "një gjë është e sigurt: unë nuk jam jetime. Jam bija e Komandant Telit."
Rexhina thotë se është vajza e një babai që nuk e la asnjëherë vetëm, "edhe pse fizikisht ai nuk është më."
Letra dhe amaneti i tij, "është vula e përjetshme e lidhjes tonë - thotë vajza e Komandant Telit. "Ai jeton në mua - në zërin tim kur flas për të, në rrugën time drejt dijes, në krenarinë që mbaj çdo ditë për të qenë bijë dëshmori."
(Rexhina Myrta, vajza e Komandant Telit)
1. Vajza e komandant Telit të UÇK-së, tashmë e rritur dhe e arsimuar, drejt mbarimit të doktoraturës, më konkretisht për publikun e gjerë, kush është Rexhina Myrta?
Unë jam vajza e Komandant Telit – një emër që për shumëkënd është histori, por për mua është gjaku, shpirti dhe themeli i qenies sime. Jam rritur me mungesën e tij fizike, por me praninë e vazhdueshme të emrit dhe veprës së tij, që më ka udhëhequr në çdo hap.
(Komandant Teli)
Sot jam në përfundim të doktoraturës, e përkushtuar ndaj dijes dhe ndaj amanetit të babait tim. Jam një vajzë që nuk kërkon asgjë nga kjo botë përveç së drejtës për të jetuar me dinjitet dhe për të nderuar trashëgiminë që më është lënë. Gjithçka që kam arritur vjen nga puna ime, nga përkushtimi im, dhe mbi të gjitha nga përkrahja e palëkundur e nënës sime — një grua që ka qenë prind, udhërrëfyese dhe sakrificë e gjallë për mua dhe vëllain tim.
2. Masakra e Gazi Babës, e njohur me emrin “tradhëtia e madhe” vazhdon të jetë një enigmë ende e pazbardhur. Kanë kaluar plot 24 vite nga mesnata e 7 gushtit 2001, kur në pabesi brenda një shtëpie në Shkup mbeti i vrarë babai juaj, Lefter Koxhaj i njohur si komandant Teli i UÇK-së dhe 4 bashkëluftëtarë të tij. Çfarë u është thënë dhe çfarë dini ju për atë ngjarje?
Masakra e 7 gushtit, edhe pas 24 vitesh, mbetet një “enigmë”. Askush nuk flet për detajet e asaj dite të mallkuar, kur ne humbëm njeriun më të shtrenjtë – Babain. As unë dhe as vëllai im nuk patëm fatin ta thërrasim ndonjëherë me fjalën “baba” – ajo mbeti një fjalë e ndaluar për ne, e paqëruar në buzë, e pambushur në shpirt.
Nuk flitet për atë ngjarje, dhe as sot nuk lejohet të hyjmë në atë shtëpi ku ndodhi masakra. Unë kërkoj që ajo shtëpi të shpallet muze! Të jetë një vend kujtese dhe nderimi për ata që ranë me besë.
Nga rrëfimet që kemi dëgjuar nga bashkëluftëtarët e tij dhe nga ato që mban mend nëna jonë, ajo që ka ndodhur është një tradhti e pastër. Babi dhe njësiti i tij dyshohet se janë helmuar përmes ushqimit apo kafesë. Në agimin e 7 gushtit, janë ekzekutuar me nga një plumb secili. Por e vërteta është se Babi nuk mund të vritej me një plumb. Ashtu siç e kujton edhe mami, edhe shokët e tij të luftës, ai ishte njeri që e ndjente rrezikun në ajër — një mizë po të lëvizte, ai çohej në këmbë.
Kjo nuk ishte një vrasje e zakonshme. Ishte një tradhti dhe një plan i mirëmenduar për të zhdukur një simbol të rezistencës.
3. Sa vjeçe ishit kur ndodhi ngjarja, si e mësuat atë dhe sa e vështirë ka qenë për ju dhe familjen tuaj të përballeni me jetën dhe të vërtetën që në rrugë zyrtare nuk e mësuat kurrë. Kush ju ka mbështetur si dhe cili është zhgënjimi më i madh në tërë këto vite?
Unë isha vetëm 2 vjeç e gjysmë, vëllai im 1 vjeç e gjysmë — ishim shumë të vegjël. As nuk e kuptonim ende jetën, dhe në një çast, ajo na u përmbys. Ka qenë shumë e vështirë, sidomos për mamin, e cila mbeti vetëm, pa shtëpi, pa përkrahje, e detyruar të na rrisë me dy duart e saj në kushte të pamundura.
Mami tregon se kishte tre ditë që nuk fliste dot me babin në telefon. Ajo e ndiente në shpirt që diçka kishte ndodhur — sepse babi e kishte porositur nese nuk përgjigjem në telefon: “O nuk ka rrjet , o më ka ndodhur ndonjë gjë e keqe.” Kishte një parandjenjë të fortë. Ata të dy kanë qenë të lidhur shumë dhe gjithmonë kanë komunikuar, ndaj heshtja ishte ogur i rëndë.
Lajmi i kobshëm erdhi më 7 gusht 2001, një ditë e martë e mallkuar. Një kushëriri i babait nga Korça, e telefonoi mamin dhe i tha të vërtetën që asnjë grua s’do donte ta dëgjonte ndonjëherë. Babi kishte ndërruar jetë.
(Rexhina dhe vëllai i saj, viti 2002)
Në të gjitha këto vite, përkrahjen e kemi ndjerë vetëm nga populli, miqtë dhe njerëzit e thjeshtë. Zhgënjimi më i madh ka qenë mungesa e mbështetjes dhe vlerësimit nga shteti dhe politika — si nga ai maqedonas, ashtu edhe nga ai shqiptar. Kjo heshtje institucionale ndaj familjeve të dëshmorëve është dhimbje më vete. Sepse ne nuk kërkuam as mëshirë e as ndihmë, por dinjitet dhe nderim për ata që dhanë jetën për lirinë tonë.
4. Është publikuar disa kohë më parë një letër që babai juaj e kishte lënë posaçërisht për vajzën e tij, dhe duket sikur parandjente atë që do të ndodhte. A është e vërtetë ajo letër, kur u njohët me të dhe si?
Po… është e vërtetë. Ajo letër është thesari më i shenjtë që mbaj në zemër. Është një amanet i shkruar në vijën e frontit, ndërmjet barotit dhe shpresës, me duart e një babai që e dinte se ndoshta nuk do të kthehej më. Dhe megjithatë, dashuria e tij ishte aq e madhe, sa donte të më përqafonte përmes fjalës, të më linte dritë në një botë pa praninë e tij fizike.
(Komandant Teli dhe bashkëshortja e tij viti 1995)
Kur isha në klasën e dytë, mami më thirri në dhomë dhe më tha: “Sot do të tregoj një të vërtetë të madhe, por do bëhemi të forta të dyja.” Dhe për herë të parë, më tregoi letrën që babi kishte shkruar posaçërisht për mua, në ato çaste të tmerrit e kurajos. Aty ndjeva si të më dridhej toka nën këmbë dhe shpërthyen lotët, por bashkë me to erdhi edhe krenaria, edhe drita.
“Mos ma kërko varrin, sepse nuk do të ma gjesh… Varri im është në Sllupçan, në Tanush, në Kalanë e Tetovës — aty prehen eshtrat e mia.”
Ky ishte babai im: jo një njeri i zakonshëm, por një shpirt që zgjodhi pavdekësinë në emër të lirisë.
(Komandant Teli gjatë viteve të luftës)
Në atë letër, më la amanet të kujdesesha për nënën, për gruan që kishte qenë frymëzimi i tij për të shkuar në luftë. Dhe për mua, më shkroi me një dashuri që nuk mund të matet me fjalë:
“Bëhu vajzë e mirë, e ndershme, e dëgjueshme ndaj nënës. Bëhu vajzë e diturisë e sinqeritetit.”
Ajo letër nuk është thjesht një dokument — është zëri i tij që më udhëheq në çdo vendim të jetës. Është përqafimi i munguar, është forca ime në netët e gjata, është kujtimi më i gjallë i një babai që nuk më la asnjëherë vetëm, edhe pse fizikisht nuk është më.
Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë plotësisht atë çfarë ndjeva… Por një gjë është e sigurt: unë nuk jam jetime. Unë jam bija e Komandant Telit, dhe kjo letër është vula e përjetshme e lidhjes tonë. Ai jeton në mua — në zërin tim kur flas për të, në rrugën time drejt dijes, në krenarinë që mbaj çdo ditë për të qenë bijë dëshmori. Dhe siç shkruante vetë:
“Mirupafshim në botën e amshuar, në botën ku nuk ka më brenga. Dhashtë Zoti që të jemi të gjithë bashkë në njërin kopsht të xhenetit.”
5. Babai juaj u sakrifikua për çlirimin e trojeve shqiptare. Falë sakrificës së tij dhe të luftëtarëve të tjerë të UÇK-së që ranë heroikisht sot kemi një komb më të lirë, më të bashkuar dhe më të mirë. Si vajza e një heroi, e keni menduar sesi do të mund ta përçoni më mirë amanetin e tij?
Kjo është e ditur: falë luftës u arrit që populli i këtyre trevave të gëzojë lirinë, gjuhën, shkollimin, dhe t'i njihet të drejtat e mohuara. Edhe pse jo të gjitha pikat e Marrëveshjes së Ohrit u zbatuan, fakt është që shqiptarët sot jetojnë më të lirë dhe më të ndërgjegjshëm për identitetin e tyre.
Po, e kam menduar çdo ditë e natë. Amaneti i babait tim nuk është thjesht një fjalë, është një detyrë e shenjtë që më mban gjallë. Ai nuk luftoi për mua vetëm si bijë, por për një komb që sot jeton i lirë.
Unë nuk kam pasur fatin ta kem pranë fizikisht, por e ndjej praninë e tij në çdo hap të jetës që hedh. Ai më la një mesazh të qartë: të mos dorëzohem, të eci me kokën lart, të jem e fortë edhe kur jeta është e ashpër. Amaneti i tij është thirrja për të qenë një vajzë e ditur, e ndershme dhe e guximshme — jo vetëm për veten, por për të gjithë ata që sakrifikuan bashkë me të.
Nuk do ta tradhtoj kurrë atë sakrificë. Nuk do të lejoj që emri i tij të harrohet në heshtje, as që amaneti i tij të jetë thjesht fjalë pa veprim. Do ta përçoj me jetën time, me punën time, me gjithçka që jam dhe do të jem. Do të jem zëri i atyre që nuk janë më, forcë për ata që vijmë pas tyre.
Ky është amaneti im dhe premtimi im: ta mbaj gjallë kujtimin e babait, duke qenë unë vetja më e mirë, duke luftuar në mënyrën time — me dijeni, me nder, me krenari. Kjo është rruga ime, dhe do ta ndjek pa frikë, sepse ai më mësoi se jeta është më shumë se frymë; është luftë për të drejtën dhe dinjitetin. /Liberale.al/