Sociale

3500 persona me aftësi të kufizuar në kërkim të një pune

Shkruar nga Liberale
3500 persona me aftësi të kufizuar në kërkim të

Ervisa Kuka e cila prej 4 vitesh po përballet me sfidën e reduktimit të shikimit dëshmon se aftësitë dhe vullneti janë çelësi për të kapërcyer çdo pengesë.

Prej dy vitesh ajo është specialiste e shërbimeve të punësimit në zyrën e punës në Tiranë.

“Jam diplomuar në fushën e drejtësisë. Puna ime ka të bëjë me informimin e qytetarëve… “Është e vështirë por jo e pamundur, jam munduar vetë me forcat e mija”, tha Evisa Kuka, specialiste e Shërbimeve të Punësimit, Tiranë.

Ervisa thekson rëndësinë e një qasjeje gjithëpërfshirëse në tregun e punës, ku vlerësohen aftësitë, përtej çdo paragjykimi dhe kufizimi.

“Mesazhi që dua tu jap të gjithëve është që të trokasin sepse nëse keni dëshirën për të punuar do hapet një derë për ju”, tha Evisa Kuka, specialiste e Shërbimeve të Punësimit, Tiranë.

Sipas Agjencisë kombëtare të Punësimit dhe Aftësive po vërehet një rritje e interesit të personave me aftësi të kufizuar për t’u integruar në tregun e punës.

Rreth 3500 punëkërkues i përkasin kësaj kategorie, shumica e të regjistruarve janë në Tiranë, Gjirokastër, Fier, Dibër dhe Elbasan.

“Interesi i tyre ka qenë në rritje në fakt. Vetëm në dy vitet e fundit janë rreth 650 persona me aftësi të kufizuar të integruar në tregun e punës përmes punësimit, kurseve të formimit profesional apo programeve të nxitjes së punësimit”, tha Gertiola Çepani, përgjegjëse e Sherbimeve të Punësimit, AKPA.

Pavarësisht se tregu i punës është bërë më pranues, personat me aftësi të kufizuar përballen me sfida të shumta.

“Duhet ndryshuar mentaliteti dhe gjithpërfshirja për ta bërë tregun më dinamik dhe më pozitiv”, tha Gertiola Çepani, përgjegjëse e Sherbimeve të Punësimit, AKPA.

Sipas të dhënave të drejtorisë së përgjithshme të tatimeve në janar të këtij viti rezultuan 136 persona me aftësi të kufizuar të punësuar, nga të cilët 55 në sektorin publik dhe 81 në atë privat.

/Tv Klan

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH